Bruksel
Në një intervistë për “Top Channel”, kreu i delegacionit të Parlamentit Europian, Eduard Kukan, deklaroi se greva e ish të përndjekurve politikë është një situatë shumë tragjike. “Kur njerëzit janë kaq shumë të zhgënjyer sa ndërmarrin aktin e vetëflijimit, kjo është shumë e dhimbshme”, tha Kukan, i cili deklaroi se beson që qeveria do ta zgjidhë situatën e kompensimit financiar të tyre. Më tej ai theksoi se “Po, po e ndjek këtë situatë, pasi është një situatë shumë tragjike dhe kur njerëzit janë kaq shumë të zhgënjyer sa të ndërmarrin këtë formë proteste, është me të vërtetë shumë serioze dhe shumë e dhimbshme. Siç e kuptoj unë, ata po kërkojnë kompensimin për vuajtjet në burgjet e regjimit komunist. Pra, shpresoj se qeveria do ta realizojë dhe se do të përpiqet të zgjidhë situatën. Sepse kur qeniet njerëzore vuajnë dukshëm është me të vërtetë e nevojshme që situata të përballohet me gjithë seriozitetin”.