Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, ka përsëritur sërish kërkesën për heqjen e taksës së sheshtë për biznesin e vogël. Në një takim me përfaqësues të biznesit në qytetin e Elbasanit, kreu i PS-së akuzoi qeverinë se nëpërmjet kësaj takse po asfikson biznesin e vogël.
“Duhet të ndahemi nga taksa e sheshtë dhe ta ngrejmë sistemin e marrëdhënies mes individit dhe shtetit mbi bazën e taksimit të ndershëm. Ne besojmë që është koha që ti japin frymëmarrje asaj pjese të shoqërisë, që nën barrën e taksës së sheshtë por asfiksohen” shtoi Rama.
Ndërsa e ka cilësuar biznesin e vogël si motorin kryesor të zhvillimit ekonomik, Rama premtoi se Partia Socialiste kur të vijë në pushtet do të krijojë kushte për zhvillimin e këtij biznesi. “30 për qind e këtij biznesi është i falimentuar dhe është e pamundur që ne ta neglizhojmë këtë për një motor jetik siç është biznesi i vogël për ekonominë. Ne do të krijojmë kushte që biznesi i vogël të shtrihet edhe më shumë në mënyrë që të ketë më shumë të punësuar” tha ai.
Për Ramën, sipërmarrësit më të mëdhenj kanë nevojë për konsumatorë të aftë për të blerë produktet e tyre. “Taksa e korrupsionit është para e derdhur direkt mbi të sheshtën, por që në llogarinë e fundvitit është para e nxjerrë jashtë llogarisë së kompanisë, ndërkohë që taksa e kohës, zvarritje në labirintet e një burokracie të korruptuar” nënvizoi Rama.
13 tetor 2012 (gazeta-Shqip.com)