Partia Socialiste, nëpërmjet deputetit të vet Taulant Balla ka vijuar ditën e sotme akuzat ndaj Ministrisë së Mbrojtjes dhe titullarit të saj Arben Imami. Që nga Vlora, Balla denoncoi privatizimin dhe shitjen që Ministria e Mbrojtjes kishte nisur pranë Ministria e Ekonomisë për një pronë të ushtrisë, konkretisht aerodromin e ushtrisë në Vlorë.


“Sot po ju tregojmë një pronë tjetër që dëshmon batërdinë e Ministrit të Mbrojtjes me pronat e ushtrisë. Kjo pronë, që dikur ishte aerodromi i ushtrisë në Vlorë ka një sipërfaqe marramendëse, 302.400 metra katrorë, të cilët Arben Imami tashmë e ka bërë gati për ta shitur sipas vetë dokumentacionit që na vënë në dispozicion ku tregohet sipërfaqja dhe komunikimi me Ministrinë e Ekonomisë për të filluar procedurën e shitjes”, denoncoi Balla.


Balla ka theksuar se pronat publike duhet të marrin parasysh në radhë të parë nevojat e komuniteteve që i rrethojnë dhe mirëqenien e tyre, nisur këtu nga shtrirja e madhe e kësaj prone brenda vijës së verdhë të Bashkisë Vlorë dhe përfitimeve që mund të ketë komuniteti prej saj.


“Në fakt, për këtë pronë nuk kishte pse të fillonte procedura e shitjes, përkundrazi, për këtë pronë kaq të madhe, pothuajse në një prej zonave më të rëndësishme për zhvillim në qytetin e Vlorës, duhej të ishte vënë në dispozicion të këtij komuniteti lokal që rrethon këtë pronë. Për të ngritur këtu institucione të jetës sociale të çdo komuniteti, këtu ka nevojë për një shkollë, një qendër shëndetësore, ka nevojë për qendra të trajtimit të moshave të treta, ka nevojë për ambiente në dispozicion të kohës së lirë, fusha futbolli e të tjera me radhë”, – theksoi deputeti socialist.


14 tetor 2012 (gazeta-Shqip.com)