Pas vizitës së Kryeministrit, aksi Tiranë-Peshkopi bllokohet për katër orë nga shirat
Fatjona Mejdini
Kryeministri Sali Berisha deklaroi dje nga Peshkopia, se mes të tjerash statusi i vendit kandidat ishte marrë për shkak të investimeve të shumta që qeveria kishte kryer në infrastrukturën e vendit. Kreu i qeverisë vizitoi dje zonën e Dibrës për të marrë pjesë në panairin e agrobiznesit “Festa e të vjelave” në Peshkopi dhe në inaugurimin e godinës së universitetit të qytetit të Peshkopisë. Kryeministri premtoi se investimi i ardhshëm i rëndësishëm infrastrukturor në vend do të ishte pikërisht ndërtimi i Rrugës së Arbrit, por nuk dha afate se kur do të fillonte puna për këtë aks. Por, pavarësisht deklaratave të Kryeministrit, po dje aksi rrugor Tiranë-Peshkopi u bllokua për gati katër orë, si pasojë e rrëshqitjes së dherave nga shiu. Bllokimi, i cili ndodhi në tunelin e Shkopetit, solli pamundësi të automjeteve për të lëvizur dhe për pasojë solli radhë të gjata të tyre.
Statusi
Kryeministri Berisha deklaroi dje, se rekomandimi i Komisionit Europian për t’i dhënë Shqipërisë statusin e vendit kandidat, ka ardhur si pasojë e disa masave të qeverisë për zhvillimin e vendit. Berisha e lidhi ngushtë këtë proces me disa masa të qeverisë për sa i përket infrastrukturës, sigurimit të rendit, sigurisë, arsimit dhe ekonomisë. “Statusi u bë i mundur, sepse ne faktuam para mbarë Europës seriozitetin e qëndrimit tonë. Vetëm për vizat kemi plotësuar 120 kërkesa. Për të marrë statusin, ne kemi plotësuar me qindra kërkesa e i kemi zbatuar ato. Ju garantoj se do të bëjmë gjithçka që atë ta kemi realitet sa më shpejt”, deklaroi Berisha. Ai po kështu deklaroi se nuk e kuptonte se pse përfaqësuesit e Partisë Socialiste nuk donin që qytetarët shqiptarë të integroheshin në Europë. “Kur të tjerët lënë karriget bosh në Parlament dhe nuk i përgjigjen detyrimit kushtetues, detyrimit të zgjedhësve të tyre për të votuar ligje që kërkohen për integrimin në Bashkimin Europian, Europa çuditet. Çfarë interesash kanë këta zotërinj, që nuk votojnë për interesin e qytetarëve të tyre!”, deklaroi Berisha, duke premtuar që mazhoranca do të bënte përpjekjet maksimale për të arritur dhe plotësimin e tri kushteve, të cilat do të siguronin marrjen përfundimtare të këtij statusi.
Rrugët
Kryeministri Berisha e vendosi theksin dje në fjalën e tij përpara banorëve të Peshkopisë tek përpjekjet e qeverisë për krijimin e një infrastrukture moderne rrugore në zonën e Dibrës. Berisha përmendi edhe vullnetin e qeverisë për të ndërtuar të shumëpërfolurën Rrugën e Arbrit, pavarësisht se një ndërtim i këtij aksi ishte premtuar duke nisur nga viti 2005. Edhe dje Berisha nuk dha një afat të saktë kohor, kur ky projekt i rëndësishëm do të merrte udhë. “Ne ndërtuam mbi dhjetë mijë kilometra rrugë, në të katër anët e vendit dhe ju jap fjalën se Rruga e Arbrit, rruga e dytë e kombit, do të ndërtohet në kohën më të shkurtër”, theksoi Berisha. Por dje pas vizitës së Kryeministrit në këtë zonë, aksi rrugor Tiranë-Peshkopi qëndroi i bllokuar për rreth katër orë, si pasojë e problemeve të shkaktuara nga rrëshqitjet e dheut në tunelin e Shkopetit.
Kryeministri merr pjesë në diplomimin e studentëve në Peshkopi
Berisha: Cilësia e universiteteve, problem serioz
Kryeministri Berisha teksa mori pjesë dje në diplomimin e studentëve të parë të filialit të Universitetit të Durrësit, në Peshkopi, deklaroi mes të tjerash se arsimi i lartë në vend po vuante nga mungesa e cilësisë. Në ceremoninë që u shoqërua edhe me inaugurimin rikonstruksionit të godinës së universitetit, i vendosur në qendër të qytetit, me financim të buxhetit të shtetit me vlerë 75 milionë lekë, Berisha u ndal te nevoja e përmirësimit të cilësisë në arsimin e lartë. Sipas tij, qeveria kishte arritur rezultate të kënaqshme për sa i përket rritjes së numrit të studentëve, të cilët shkonin në universitet, por kjo nuk ishte e mjaftueshme. “Qëllimi ynë është që ne të ecim me shpejtësi drejt një Shqipërie që bazohet në dije. A kemi ne probleme në këtë rrugë? Po, kemi probleme serioze, kemi probleme të cilësisë. Për të përmirësuar cilësinë duhet detyrimisht të kesh trupa pedagogjike, pajisje, logjistikë dhe pastaj ta shpallësh këtë një qëllim kryesor. Unë ju garantoj se tani jemi në një fazë që cilësinë do ta shpallim qëllim kryesor të shkollës sonë të lartë”, deklaroi Berisha, duke premtuar masa të reja në këtë drejtim.