Koordinatorët e grevës rikthehen sërish
Dy koordinatorët e grevës së urisë të të përndjekurve politikë, Skënder Tufa dhe Asllan Patrioti, janë rikthyer dje pasdite. Në një prononcim të mëparshëm ata thanë se largoheshin, ndërsa pas lutjeve të grevistëve kanë zënë sërish pozicionet e tyre.
Shëndeti
Dy grevistë nuk pranojnë të shkojnë në spital
Dy grevistë nuk kanë pranuar të shkojnë për mjekime në spital. Fatmir Lloshi dhe Besim Valteri janë në gjendje të rëndë shëndetësore dhe përpos kësaj nuk pranojnë për një kurim të specializuar, pasi pohojnë se po shkuan në spital s’kanë mundësi të rikthehen.
Rrëfimi i 47-vjeçarit: Ju dua shumë, mos ndieni dhimbjet e mia nga zjarri
I djegur në më shumë se gjysmën e trupit, Lirak Bejko, u bën apel shokëve të mos kryejnë të njëjtin veprim. Pohon se dhimbjet e djegies së trupit nga zjarri janë të padurueshme dhe kërkon që grevistët të mos ndërmarrin asnjë veprim të tillë. Në një intervistë televizive për A1, 47-vjeçari që shokoi të gjithë opinionin publik, jo vetëm në Shqipëri, me aktin e tij ekstrem, pohon se greva le të vazhdojë, por jo me këto dhimbje për shokët. “Grevën le ta vazhdojnë, por të mos bëjnë akte të tilla, të djegin veten. I dua shumë”, thotë Lirak Bejko, që disa ditë më parë, gjatë një transmetimi direkt televiziv, ka nxjerrë një shishe benzine dhe ka lyer trupin. Më pas, ka vënë çakmakun te këmba dhe e ka ndezur. Në të dhjetat e sekondës, trupi i tij ka marrë flakë, ndërsa pamjet e tij horror janë transmetuar “live”. Flakët i kanë prekur të gjithë trupin, pasi në pamjet e djeshme, gjatë intervistës televizive, Bejko është shfaqur i fashuar pothuajse i gjithi dhe vetëm sytë i dukeshin.
Rrëfimi
“Kemi pasur një protestë kundër qeverisë, për shkeljen e të drejtave themelore të njeriut, për sa u përket ish të burgosurve politikë dhe kishim ditë që nuk merrnim asnjë përgjigje. Madje diskriminimi vazhdon. Këtë çështje kishim vendosur ta sensibilizojmë me kryerjen e disa akteve të rënda që shkonin deri në ekstrem. Dhe ashtu siç u paralajmërua, ndodhi. Unë, Gjergj Ndreca, dhe disa persona të tjerë jemi organizatorë të asaj greve”, ka pohuar 47-vjeçari, për organizimin e protestës ekstreme, ndërsa pohon se gjendja e tij është e stabilizuar, por ka dhimbje. “Them se ndodhem në duar të sigurta”, vijon ai, duke bërë edhe një lutje për shokët. “U lutem shokëve të mi të mos e bëjnë këtë akt ekstrem. Është shumë e vështirë të ndiesh dhimbje të djegies së trupit. Piqet mish në hell. Për arsye se unë shokët e mi i dua shumë, kemi të njëjtin ideal, nuk dua që t’i ndiejnë këto dhimbje, u kërkoj që të mos marrin këto veprime”, përfundon Bejko.
Kurimi në Itali
Burimet spitalore të qytetit të Barit në Itali pohojnë se gjendja shëndetësore e Lirak Bejkos është e stabilizuar për momentin, por 48 orët e ardhshme do të përcaktojnë nëse do të dalë apo jo nga rreziku për jetën. Djegia ka avancuar në 50 për qind të trupit, nga 40 që ishte në Shqipëri, për shkak se flakët i kanë prekur pothuajse të gjithë trupin. Mjekët italianë pohojnë se do të kryejnë disa ndërhyrje kirurgjikale në zonat e djegura dhe do të zëvendësojnë lëkurën e djegur, me simulues lëkure apo me lëkura nga të vdekurit. Megjithatë, kjo fazë është shumë e rrezikshme, pasi sipas mjekëve, pacienti mund të marrë shumë infeksione apo probleme multiorganie që mund të çojnë deri në vdekjen e pacientit. Përveç kësaj faze kur pacienti mund të përgjigjet, ai do të kalojë të tjera, faza ku gjendja do të jetë më e rëndë. Mjekët parashikojnë një trajtim të gjatë, pasi djegia është në 50 për qind e trupit dhe është shumë e thellë.
Vetëflijimi
Disa ditë më parë, Lirak Bejko, ka ndërmarrë një akt ekstrem për të protestuar. Ai i ka vënë flakën vetes me benzinë. Ka gjetur një shishe benzine që ishte në çadër dhe ka lyer veten. Më pas ka ndezur çakmakun dhe është përfshirë në flakë. Në pamjet dhe fotot pas ngjarjes duket 47-vjeçari i gjithi në flakë. Ai ka bërë një rrotullim në këmbë dhe është rrëzuar në hyrje të çadrës. Policët dhe grevistët kanë shkuar te Liraku dhe kanë tentuar t’i shuajnë flakën. Ia kanë dalë pas disa sekondash, por tashmë flaka e kishte bërë punën e saj. Në fotot pas djegies duket i përndjekuri në gjendje të transformuar. Ai është transportuar në spitalin “Nënë Tereza” dhe më pas drejt Italisë, ku dhe po kurohet. Familjarët e tij kanë nënshkruar një deklaratë ku merrnin përsipër rrezikun gjatë transportimit përtej Adriatikut. Lirak Bejko, ishte një nga organizatorët e kësaj proteste, bashkë me Gjergj Ndrecën. Ndërkohë, ai njihet si agresori i deputetit Ilir Rusmali, ndërsa më pas kanë bërë edhe disa akte të tjera, në formë proteste për paratë që nuk kishin marrë për vitet e burgut. s.ç
Mjekët
Mjekët italianë pohojnë se do të kryejnë disa ndërhyrje kirurgjikale në zonat e djegura dhe do të zëvendësojnë lëkurën e djegur. Kjo fazë është e rrezikshme, pasi sipas mjekëve, pacienti mund të marrë shumë infeksione dhe rrezikon jetën
Sot, në orën 12:00. Berisha t’u kërkojë falje, të përndjekurit të ndalin grevat vetësakrifikuese
Gazetarët, protestë para Kryeministrisë, mbështetje për grevistët e urisë
Një grup reporterësh dhe gazetarësh shqiptarë, që mbulojnë grevën e urisë të të përndjekurve politikë, u kanë bërë thirrje qytetarëve shqiptarë të mbështesin protestën e grevistëve të urisë dhe i kanë kërkuar Kryeministrit Berisha të tërheqë fyerjet ndaj tyre dhe t’u kërkojë ndjesë për qëndrimin e mbajtur. Gazetarët kanë kërkuar që ditën e diel, në orën 12:00, të protestojnë para qeverisë, në shenjë proteste për qëndrimin e mbajtur ndaj grevës. “Ne, gazetarët shqiptarë, solidarizohemi me grevën e ish të përndjekurve politikë dhe i konsiderojmë kërkesat e tyre moralisht dhe ligjërisht të drejta! Gjatë ditëve të fundit, jemi detyruar të raportojmë për ngjarjet rrëqethëse të vetëdjegies së tre qytetarëve. Sakrifikimi sublim i këtyre tre qytetarëve për fat të keq ka hasur në shurdhërinë e pashpirt të institucioneve publike, para së gjithash, Kryeministrit Sali Berisha. Duke qenë se ne jemi edhe qytetarë, përveç të qenët gazetarë dhe duke qenë se grevistët ish të persekutuar politikë janë praktikisht sot jetimë politikë, në protestë kundër partisë që teorikisht mbështet kërkesat e tyre dhe në përpjekje për t’i dhënë fund valës së vetëdjegieve nga dëshpërimi dhe indiferenca, bëjmë këtë deklaratë publike: Kryeministri Sali Berisha duhet të takohet menjëherë me grevistët, t’u kërkojë atyre ndjesë për fyerjet dhe injorimin që u ka ofruar deri më sot dhe të nisë punën për një zgjidhje afatgjatë, të ndershme dhe financiarisht të përballueshme nga buxheti i shtetit për pretendimet e tyre. U lutemi ish të përndjekurve politikë dhe të gjithë të dëshpëruarve në Shqipëri, të ndalin grevat vetësakrifikuese dhe të përdorin metoda të tjera të protestave qytetare. I kërkojmë Policisë së Shtetit të mos u rikthehet metodave të dhunshme që Shqipëria ka parë gjatë viteve ’95- ’97, të heqë menjëherë rrethimin ndaj grevistëve dhe të ndalë keqtrajtimin e tyre. Veprimet e policisë janë tërësisht të kundërligjshme dhe përbëjnë shkelje të Kushtetutës. U bëjmë thirrje qytetarëve shqiptarë të bashkohen me kauzën e ish të persekutuarve, si një kauzë e drejtë, zgjidhja e të cilës bën të mundur që asnjë shqiptar të mos dënohet në të ardhmen për bindjet e tij politike. Dëmshpërblimi i ish të persekutuarve nuk është vetëm një masë ligjore për këta njerëz. është hapi që parandalon përsëritjen e vuajtjeve që shkaktohen nga regjimet totalitare. Ditën e diel, datë 14 tetor 2012, ora 12:00 do të organizohet një protestë para selisë së Kryeministrisë”, thuhet në deklaratë.
Qëndrimet
Mazhoranca s’jep shenjë për negociata, opozita kërkon solidarizim
Politika qëndron në llogore në ditën e 22 të grevës
Në ditën e 22 të grevës së urisë së ish të përndjekurve, politika shqiptare nuk lëvizi nga pozicionet e ndërmarra prej javësh. Përfaqësuesit e qeverisë dhe të mazhorancës ruajtën pozicionin se nuk do të bënin asnjë negociatë me protestuesit dhe nga ana tjetër përfaqësuesit e partive opozitare shkuan pranë ambienteve të grevës duke kërkuar zgjidhje për situatën e krijuar. Zëvendësministri i Financave, Nezir Haldeda, deklaroi dje në një prononcim për “Top Channel” se askush nuk mund të dalë mbi ligjin dhe se të përndjekurit do të dëmshpërblehen sipas përcaktimeve të vendosura prej kohësh në ligj. “Nuk duam që të spekulojmë me këtë çështje, absolutisht ajo do të trajtohet sipas ligjeve që janë në fuqi, askush nuk mund të dalë mbi ligjin”, deklaroi zëvendësministri në lidhje me kërkesat për dëmshpërblim të ish të përndjekurve. Nga ana tjetër, përfaqësuesi i Frymës së Re Demokratike, Aleksandër Biberaj, vizitoi dje të përndjekurit duke i kërkuar qeverisë të dialogojë për këtë situatë të rënduar në kufijtë kritikë. Po kështu, Biberaj ka kërkuar sensibilizim qytetar në lidhje me këtë grevë urie. Pranë grevistëve ishin dje dhe disa përfaqësues të Partisë Civile e themeluar nga një grup të rinjsh. Ish të përndjekurit i vizitoi dje dhe kryetari i Kuvendit të Bujanocit, Xhelal Svecla, sekretar për Marrëdhëniet me Jashtë pranë lëvizjes “Vetëvendosje”.
