Shqiptarët rigjejnë optimizmin para Sllovenisë. Meha është ende në dyshim


Altin Manallari


Humbja 1-2 me Islandën në shtëpi solli zhgënjim të madh te tifozeria, por edhe mes futbollistëve, pasi pritej të grumbullonim 6 pikë në 2 ndeshjet e tetorit dhe të pretendonim për një pozicion më të mirë në Grupin E në fund të eliminatoreve të Botërorit Brazil 2014. “Nuk ishte rezultat i drejtë”. Kjo është fraza që dëgjohet nga të gjithë futbollistët kuqezi, që tani duhet të mendojnë për sfidën e ardhshme kundër Sllovenisë. Nga mbrojtja në sulm, të gjithë të besuarit e Xhani de Biazit kërkojnë të kthehen te fitorja, e cila do të ishte dhe një shpagim për të gjithë tifozët. Por për të përmbushur këtë mision, sipas Mërgim Mavraj, duhet një paraqitje si ajo me Islandën, me ndryshimin e vetëm, shmangien e gabimeve që sollën dhe humbjen e së premtes. Por mbrojtësi kuqezi thekson se zhgënjimi është lënë pas dhe tashmë në Kombëtare mbizotëron një atmosferë e mirë për sfidën e së martës. “Në Kombëtare mbizotëron një atmosferë e mirë, – është shprehur Mavraj dje në konferencën për shtyp. E kemi analizuar ndeshjen dhe kemi evidentuar gabimet që bëmë. Është me rëndësi të kemi një paraqitje të ndryshme kundër Sllovenisë, Të bëjmë një paraqitje si me Islandën në të parën pjesë, pasi nëse bëjmë sa më pak gabime, atëherë do ta kemi shumë të vështirë të arrijmë suksesin që duam. Por me mbështetjen e tifozëve, që kanë qenë fantastikë, do të mund të arrihet gjithçka”, tha mbrojtësi i Kombëtares. Më pas, Mavraj saktësoi se tashmë është rikuperuar plotësisht nga dëmtimi: “Gjendja ime pas dëmtimit është përmirësuar dhe besoj se do të jem në fushë të martën. Për të arritur objektivin, duhet që të gjithë të japim maksimumin, prandaj them se duhet të jemi të përqendruar përgjatë 90 minutave, pasi një gabim mund të na kushtojë shtrenjtë”. Në të njëjtën linjë shkon dhe Edgar Çani. Sulmuesi shënoi kundër Islandës, ndërsa me shpresën që këtë herë goli të vlejë më shumë, beson te fitorja kundër Sllovenisë. “Duhet vetëm të mendojmë të luajmë mirë, të shohim gjithë rreziqet që mund të kemi me ndeshjen me Slloveninë dhe të shohim çfarë do të bëhet dhe shpresojmë të arrijmë tre pikët”, u shpreh Edgar Çani, sulmues i Kombëtares, i cili komentoi edhe grupin: “Grupi është shumë i ekuilibruar dhe ne duhet të luftojmë në të gjitha ndeshjet, sidomos në ato në shtëpi, pasi këtu mund të mundim cilindo kundërshtar”. Kombëtarja shqiptare vijon përgatitjet në Durrës. Gjatë seancave stërvitore, trajneri De Biazi është fokusuar te taktika për të shmangur gabimet e evidentuara në tri ndeshjet e para të eliminatoreve të Botërorit 2014, ndërsa kundër Sllovenisë pritet të bëjë edhe ndryshimin në formacion. Ndërkohë që mesfushori Alban Meha vazhdon jetë në dyshim, pasi vuan ende problemet nga dëmtimi i pësuar në ndeshjen ndaj Islandës. Zëvendësimi i Mehës në pjesën e dytë erdhi për arsye dëmtimi. Ai mund të mos jetë i gatshëm. Stafi mjekësor e ka të vështirë të konfirmojë aktivizimin e tij ndaj Sllovenisë, por e lë të hapur deri në momentet e fundit para takimit. De Biazi ka edhe një ditë në dispozicion për ta verifikuar formën e mesfushorit.


 


 


Në dyshim


Alban Meha vazhdon të jetë në dyshim, pasi vuan ende problemet nga dëmtimi i pësuar në ndeshjen ndaj Islandës. Zëvendësimi i Mehës në pjesën e dytë erdhi për arsye dëmtimi. Stafi mjekësor e ka të vështirë të konfirmojë aktivizimin e tij ndaj Sllovenisë, por e lë të hapur deri në momentet e fundit para takimit. De Biazi ka edhe një ditë në dispozicion për të verifikuar formën e mesfushorit