Ministria e Mbrojtjes: Lista e pronave, në internet

Ministria e Mbrojtjes reagoi pas akuzave të deputetit socialist Taulant Balla duke pretenduar se lista e pronave që kanë dalë në shitje është bërë publike në faqen zyrtare dhe nuk ka asnjë abuzim.

Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Mbrojtjes, Edvin Kulluri, në një deklaratë për mediat, u shpreh se: “Deputeti Taulant Balla refuzon ose nuk mundet të kuptojë sqarimet që Ministria e Mbrojtjes ka dhënë në vijimësi për procedurat dhe trajtimin e pronave të tepërta të ushtrisë. Ndaj të ndodhur në këtë situatë, nuk na mbetet gjë tjetër veçse të inkurajojmë deputetin e Partisë Socialiste që në 983 ditët në vazhdim të vazhdojë të informojë ish-pronarët, njësitë e pushtetit lokal apo edhe investitorë të ndryshëm rreth 983 pronave në administrimin e Ministrisë së Mbrojtjes që janë në proces tjetërsimi.

Kontributi i zotit Balla në përmirësimin e vazhdueshëm të imazhit të Ministrisë së Mbrojtjes dhe rritjes së transparencës është i mirëpritur, megjithë publikimin në faqen tonë të internetit të listës së pronave të tepërta prej vitit 2010, pjesë e së cilës janë dhe pronat e cituara nga zoti Balla. Kontributi i drejtpërdrejtë i deputetit në fjalë, do ndihmojë në informimin akoma më të detajuar të personave apo subjekteve të interesuara për vendndodhjen, sipërfaqen apo edhe pamjet e pronave të destinuara për t’ju kthyer ish-pronarëve apo të interesuarve për t’i zhvilluar ato.

Njëkohësisht, daljet e zotit Balla përbëjnë një nxitje, që listës së 71 pronave të cilat u janë transferuar njësive të qeverisjes lokale për objekte sociale, t’u shtohen edhe të tjera, ashtu siç e parashikon ligji. Së fundi, për të shmangur çdo keqkuptim në lidhje me disa ish-reparte ushtarake në vijën bregdetare, dëshirojmë të informojmë deputetin socialist dhe kolegët e tij, se rreziku që i kanosej Shqipërisë nga ish-vende imperialiste, kapitaliste apo shoviniste sot është shndërruar në marrëdhënie bashkëpunimi. Vende si Italia, Greqia apo edhe Mali i Zi janë ose vende aleate në NATO ashtu si vendi ynë, ose pjesë e Partneritetit për Paqe të Aleancës së Atlantikut të Veriut”.

15 tetor 2012 (gazeta-Shqip.com)

Autor te 15 Tetor 2012. Politikë. You can follow any responses to this entry through the RSS 2.0. You can leave a response or trackback to this entry