Plani i ri urbanistik, Lapraka, kërthiza e transportit publik

Plani i ri urbanistik, Lapraka, kërthiza e transportit publik

19
0
SHPËRNDAJE

Ndërtesat në trajektoren e hekurudhës 

Zhvillimi i pronës do të bëhet në zonën ku aktualisht ndodhet trajektorja e hekurudhës

Me planin urbanistik, në njësisë bashkiake nr. 11, parashikohet të ndërtohet terminali multimodal i pasagjerëve dhe marrëveshja për studimin e fizibilitetit të tij u nënshkrua pak ditë më parë.

“Kjo është edhe ‘kërthiza’ e transportit publik të qytetit të Tiranës. Këtu do të gërshetohen treni, trami, autobusët urbanë dhe interurbanë, taksitë, por edhe funksionet e tjera të shërbimit dhe këtu do të zgjidhen në mënyrë të përhershme dhe përfundimtare, sfidat me të cilat transporti urban është përballur për një kohë të gjatë. Është një gjenerator i fuqishëm punësimi dhe do të jetë një ndër zhvillimet kryesore afatmesme që do të nisë së shpejti nga puna dhe që do u japë mundësi jo vetëm banorëve të kësaj zone, por banorëve të Tiranës anembanë, për të përfituar nga një ofertë e mirë punësimi”, tha kreu i bashkisë Lulzim Basha. Sipas tij, nga ky stacion multimodal, e gjithë ajo që sot njihet si hekurudhë, deri te stacioni hekurudhor shndërrohet në një arterie urbane, zhduket traseja e trenit, zëvendësohet në kohë me shinat e tramit me rrugë urbane e trotuare në të dyja krahët.

Për pronat në të dyja krahët, kjo do të thotë një mundësi e madhe zhvillimi. “Ne e kemi reflektuar këtë mundësi të madhe zhvillimi, duke vënë koeficientet përkatëse të zhvillimit për pronat në të dyja anët e asaj, që sot është trajektorja e hekurudhës dhe nesër do të jetë një shtyllë e rëndësishme kurrizore, një rrugë e fuqishme urbane, me parametra bulevardi që shkon tej për tej zemrës së zonës suaj, njësisë bashkiake nr. 11.

Bulevardi i ri dhe rehabilitimi i lumit të Tiranës, së bashku me ndërtimin e arterieve rrugore, në të dyja anët e tij parashikohet të sjellin në këtë njësi bashkiake, jo vetëm një infrastrukturë moderne, por mundësi të zhvillimit të pronës e si rrjedhojë zhvillim ekonomik e punësim. Kreu i bashkisë tha dje, se grupi i punës ka finalizuar opsionet për zhvendosjen e tregut të gjësë së gjallë, jashtë vijës administrative të Tiranës. L.Mixha