Ndërtimet në Tiranë
Tarifa depozitohet për të mundësuar financimin e instrumenteve vendore të planifikimit
Lorina Mixha
Subjektet që do të ndërtojnë objekte në kryeqytet do t’u duhet të paraqesin garanci se mund ta kryejnë një investim që në kohën e aplikimit për leje ndërtimi. Nëse garancia do të paguhet me para në dorë apo do të depozitohet në një kompani sigurimi, kjo pritet të sqarohet dhe të publikohet në Fletoren Zyrtare në datën e hyrjes së rregullit të ri në fuqi. Vendimi për të depozituar 1 për qind të vlerës së ndërtimit në kohën e shqyrtimit të lejes është miratuar në Këshillin Bashkiak javën e kaluar me propozim të Bashkisë së Tiranës.
Sipas vendimit të fundit të Këshillit Bashkiak, taksa e ndikimit në ambient bën një riorganizim të taksës në përqindje, sipas kostos së ndërtimit, që subjektet duhet t’i derdhin bashkisë për sa i takon ndikimit në infrastrukturë.
Në relacionin e projektvendimit për taksën e ndikimit në infrastrukturë jepen sqarime, për çdo kategori e nënkategori sipas ndarjes territoriale mbi bazën e parimeve të planifikimit të territorit, duke bërë një ndarje të zonave.
“Harta së cilës i referohet tashmë vendimi për ndarjen e zonave është harta kadastrale e përdorur nga ZRPP-ja dhe Enti Kombëtar i Banesave e ndërtuar mbi bazën e çmimeve të tregut të lirë të apartamenteve dhe trojeve në ato territore. Në këtë mënyrë, llogaritja e taksës i afrohet shumë vlerës së territoreve mbi të cilat do të ndërtohet”, thuhet në relacionin e projektvendimit.
Në nenin 13, pika 3 e vendimit të Këshillit të Ministrave nr. 502, datë 13.07.2011 për “Miratimin e rregullores uniforme të kontrollit të zhvillimit të territorit” (i ndryshuar) përcaktohet se: “Për çdo kërkesë për punime, njësia e qeverisjes vendore mund të zbatojë një tarifë për shqyrtimin e kërkesës sipas përcaktimit të legjislacionit të posaçëm për taksat vendore. Vlera e kësaj tarife llogaritet mbi bazën e sipërfaqes së ndërtimit për të cilën përgatitet kërkesa për zhvillim”.
Në zbatim të kësaj dispozite është propozuar një tarifë për shqyrtimin e kërkesës për leje për punime në vlerën 1% të vlerës së investimit, tarifë e cila depozitohet për të mundësuar financimin e instrumenteve vendore të planifikimit dhe kontrollit të zhvillimit të territorit në Bashkinë e Tiranës. Kjo vlerë prej 1% është vendosur në analogji me tarifën e aplikuar më parë mbi bazën e përcaktimeve të ligjit për “Urbanistikën”.
Sipas këshilltarit të PS-së, në parlamentin vendor, Gent Gazheli, i cili kërkoi edhe më shumë sqarime në mbledhjen e Këshillit Bashkiak, në projektvendimin e paraqitur vërejmë të prezantohet një hartë e re kadastrale e përsosur nga ZRPP-ja dhe Enti Kombëtar i Banesave. “Ka një paqartësi ligjore midis konceptit të tarifës dhe taksës për aplikimin e tarifës për shqyrtimin e kërkesës për punime në masën 1% të vlerës së investimit. Gjatë mbledhjes nga Këshilli Bashkiak, u kërkua që kjo vlerë të paguhej kesh për t’u ngurtësuar, por të përdorej garancia e kompanive të sigurimit”, sqaroi Gazheli.
Afatet
Afatet për kryerjen e pagesave në lidhje me këtë tarifë janë vendosur duke mbajtur parasysh detyrimin që pagesa e kësaj takse të bëhet përpara pajisjes së subjektit me formularin e lejes. Është përcaktuar afati pesëditor për pagesën mbi bazën e përcaktimeve të ligji nr. 10119, datë 23.04.2009 “Për planifikimin e territorit”, ndërsa afati i dytë 30-ditor, brenda të cilit llogaritet edhe kamatëvonesa, është afati nga dita e marrjes së lejes e deri në afatin minimal brenda të cilit subjekti duhet të filloje punimet (për 30 ditë nga data e marrjes së lejes subjekti nuk mund të fillojë punimet (neni 75/5 i ligjit 10119 dt. 23.04.2009 “Për planifikimin e territorit”).
Ligji
Qeveria vendore vendos tarifë për shqyrtim kërkese
Në nenin 13, pika 3 e vendimit të Këshillit të Ministrave nr. 502, datë 13.07.2011 për “Miratimin e rregullores uniforme të kontrollit të zhvillimit të territorit” (i ndryshuar) përcaktohet se: “Për çdo kërkesë për punime, njësia e qeverisjes vendore mund të zbatojë një tarifë për shqyrtimin e kërkesës sipas përcaktimit të legjislacionit të posaçëm për taksat vendore. Vlera e kësaj tarife llogaritet mbi bazën e sipërfaqes së ndërtimit për të cilën përgatitet kërkesa për zhvillim”. Në zbatim të kësaj dispozite është propozuar një tarifë për shqyrtimin e kërkesës për leje për punime në vlerën 1% të vlerës së investimit, tarifë e cila depozitohet për të mundësuar financimin e instrumenteve vendore të planifikimit dhe kontrollit të zhvillimit të territorit në Bashkinë e Tiranës. Kjo vlerë prej 1% (për qind) është vendosur në analogji me tarifën e aplikuar më parë mbi bazën e përcaktimeve të ligjit për “Urbanistikën”.
Zonat ku taksa paguhet 4% e ndërtimit
- Kinema “Ali Demi”
- Fusha e sportit
- Fshati Shkozë
- Depo e ujit
- Piramida
- Stadiumi “Qemal Stafa”
- Pazari i ri
- 9-katëshet
- Shkolla “Avni Rustemi
- Ministria e Jashtme
- Ambulanca nr. 1
- “Bërryli”
- Shkolla e Baletit
- Ambasada Amerikane
- Ish-Blloku
- Libri Universitar,
- Stadiumi “Selman Stërmasi”
- Shushica
- Liqeni Artificial
- Blloku “Vasil Shanto”
- Selitë e vogël
- Shkolla Teknologjike
- Kombinati
- Vaqarr
- Selitë
- Yzberisht
- Sharrë
- Gjykata e Rrethit
- Ish-ekspozita “Shqipëria Sot”
- Blloku i ambasadave
- Fakulteti i Inxhinierisë së Ndërtimit
- Medreseja
- Farmacia nr. 10,
- Tregu industrial
- Selvia
- Gjimnazi “Partizani”
- Tafajt
- “Piazza”
- Gazeta “Zëri i Popullit”
- Gjimnazi “Sami Frashëri”
- Stacioni i trenit
- Arkiva
- Hipoteka
- Politeknikumi
- Rruga “Don Bosko”
- Fabrika e këpucëve
- Bregu i lumit
- Rruga “Siri Kodra”
- Rruga “Myslym Shyri”
- Drejtoria e Policisë
- Kisha Katolike PTT
- Telekomi
- Lidhja e Shkrimtarëve
- Rruga e Durrësit
- Prokuroria