Hetimet


Më kishte ndërhyrë në familje. Vërtetohet atësia dhe dënimi i parashikuar


Muhamet Vata

Muhamet Vata
Babai i shtatë fëmijëve, gjashtë vajzave dhe një djali, nga dy martesa. Me bashkëshorten e parë, Rrushen, ka pasur pesë vajza dhe një djalë, ndërsa me Teftën, 21 vjet më të vogël, një vajzë 5 vjeçe


Pas arrestimit të Shaban Norjes, grupi hetimor ka rimarrë në pyetje Muhamet Vatën, babai i Ajshe Vatës, 18-vjeçarja e masakruar ditë më parë në afërsi të banesës së saj. Babai i shtatë fëmijëve, gjashtë vajzave dhe një djali, nga dy martesa, ka rrëfyer se ishte konfliktuar me Shabanin në vitin 2008. Konflikti ishte pas martesës së vajzës së dytë, V.Vata, e cila është kthyer vetëm dy ditë pas ceremonisë, pasi ishte e defloruar. 51-vjeçari ka mësuar se personi që i kishte hequr virgjërinë vajzës ishte Shaban Norja. Megjithatë, nuk ndërmori asnjë veprim. Hetuesit kanë marrë dëshminë e Muhametit, i cili ka treguar për jetën e tij, martesën e parë me Rrushen, me të cilën kishte pesë vajza dhe një djalë, dhe martesën e dytë me Teftën, 21 vjet më të vogël, me të cilën ka një vajzë 5 vjeçe.


 


Ekspertiza


80-vjeçari ishte ngjizësi i fetusit të Ajshe Vatës. Ekspertët e laboratorit kriminalistik kanë pohuar se nga analiza dhe krahasimi i kryer rezulton që fetusi kishte si baba të ndaluarin Shaban Norja, i cili akuzohet për vrasje në rrethana të tjera cilësuese dhe armëmbajtje pa leje. Ajshe Vata ishte 11-javëshe shtatzënë dhe pas vrasjes së saj, ekspertiza nxori rezultatet. Shabani ka deklaruar në polici se ka pasur lidhje me vajzën dhe se e vrau për shkak se viktima nuk donte të abortonte foshnjën.


 


Dënimi


Vrasja në rrethana të tjera cilësuese për të cilën akuzohet Norja, legjislacioni penal parashikon dënimin me burgim jo më pak se 20 vjet, ose me burgim të përjetshëm, ndërkohë që hetimet vazhdojnë për të zbardhur nëse ka persona të tjerë të përfshirë në këtë ngjarje të rëndë, që ka kapërcyer dhe imagjinatën më të shëmtuar njerëzore në vend. Ndërkohë janë të shumtë në Xhafzotaj dhe fshatrat përreth, por edhe më gjerë që deklarojnë se raste të kësaj natyre duhet të dënohen me vdekje, dënim që nuk është më pjesë e legjislacionit penal shqiptar. “Të kthehet dënimi me vdekje. Janë ngjarje të rënda që meritojnë dënimin kapital, që të mos përsëriten. Është e papranueshme. Duhet drejtësi”, shprehen në Xhafzotaj. Ndërkaq rezultati i analizës së kryer nga Laboratori Kriminalistik mbi atësinë e fetusit përkon edhe me deklarimin e të moshuarit, që pas ndalimit ditën e diel ka pohuar gjatë dhënies së dëshmisë se ishte i bindur që Ajshja ishte shtatzënë me të. Më parë, ekspertët kanë përjashtuar mundësinë e një incesti në familjen Vata, duke bërë analizat krahasuese të materialit të marrë nga fetusi i viktimës dhe atë nga meshkujt e familjes së saj. V.Q