Kryeministri Berisha ka mbledhur pasditen e sotme kabinetin qeveritar për të miratuar disa vendime që lidhen me financimin e një sërë veprimtarish për festimet e 100-vjetorit të pavarësisë. Ai njoftoi se nesër do të niset në Kongresin e Partive Popullore, prandaj edhe mbledhja e parashikuar për nesër, u zhvillua sot.


Kreu i qeverisë e ndali vëmendjen tek vizita e tij në Kosovë, në kuadër të aktiviteteve që ata mbanin për 100-vjetorin e Pavarësisë, ndërsa tha se u prit atje në mënyrë vëllazërore. Berisha tha se popujt tanë duhet të udhëhiqen nga motja, të bashkuar në BE.


“Ky proces i bashkimit kombëtar është i pandalshëm, është ideali i qindra e mijëra shqiptarëve të rënë për liri dhe dinjitet kombëtar. Ëndrra e tyre pret të realizohet ndaj edhe duhet të bëjmë gjithçka që shqiptarët të ndjehen mirë, të mos ndjehen të shkëputur nga kombi, kudo që ndodhen janë një shumicë etnik dhe gjeografike”, tha Berisha. Më tej ai është ndalur në atë që e ka cilësuar rritje ekonomike për 3 mujorin e dytë të këtij viti, që sipas tij tejkaloi dhe parashikimet e FMN-së.


“Në 3 mujorin e dytë kemi pasur rritje ekonomike, saqë ekonomia doli nga një plogështi e diktuar. Rritja në tremujorin e dyte ishte 2.1%, nuk them se kjo është rritja më e mirë, por në vazhdim ne presim më shumë rritje në tremujorin e 3 dhe të 4. Kjo rritje dëshmoi vitalitetin e ekonomisë. Rritja është 4 herë më të madhe se ajo që parashikon FMN si rritje vjetore”, tha Berisha.


16 tetor 2012 (gazeta-Shqip.com)