Të dhënat
Shifrat e Ministrisë së Drejtësisë: Vetëm gjysma ka përfituar
Ministria e Drejtësisë, institucioni që plotëson dosjet dhe i çon te Ministria e Financave për dëmshpërblim financiar, tregon një pjesë të së vërtetës rreth procesit me ish të përndjekurit.
Sipas dokumentit zyrtar të Kuvendit të Shqipërisë, që zbardh të dhënat e raportuara nga zv/ministrja Brikena Kasmi, vetëm gjysma e ish të përndjekurve kanë përfituar, ndërsa shumat e dhëna nuk korrespondojnë me detyrimin që u takon, sipas ligjit. Në dokument, Kasmi thotë se, qeveria ka akorduar përmes 22 VKM-ve rreth 43 milionë euro (gati 60 milionë dollarë).
“Sipas llogaritjeve, i bie që të kenë marrë 3 663 euro mesatarisht 11 mijë ish të përndjekur, ose 2.4 euro në ditë (tre dollarë)”, deklaron zv/ministrja e Drejtësisë, duke shtuar se, pjesa e mbetur, rreth 10 mijë, mbeten ende të patrajtuar financiarisht, sa i takon këstit të parë.
Por çfarë thonë ligjet e vendit, të cilat reklamohen më të madhe nga Kryeministri dhe tek anëtarët e tjerë të kabinetit. Sipas masës së vendosur, ish të përndjekurit duhet të marrin 2 mijë lekë për ditë burgu të kryer (po aq edhe ata të internuar në kampe me tela me gjemba). Ministri i Drejtësisë, Eduard Halimi, tha me të madhe se, fondi i dëmshpërblimit, rreth 18.5 dollarë për ditë burgu është vlera më e lartë, në raport me vendet e rajonit.

Pra, nga e thëna në të bërë, ndryshon shumë. Kur vjen puna për të treguar ligjin, zyrtarët e lartë e reklamojnë për shumë të drejta që u jep kategorisë së ish të përndjekurve, por realiteti tregon krejt të kundërtën.
Në Ministrinë e Drejtësisë janë depozituar 20 mijë kërkesa, ku deri më sot janë trajtuar, miratuar dhe ka nisur shpërndarja e parave me këstin e parë, rreth 11 mijë dhe të tjerat janë në proces. Vonesat për grupin e dytë kanë shkaktuar edhe reagimet e shoqatave, pasi konstatojnë burokraci në marrjen e vendimeve nga qeveria. Sipas ministrive, po trajtohen edhe 2000 rastet e pushkatimeve pa gjyq, por këtu ka problem me dokumentet, pasi janë të mangëta. Për këtë kategori, Ministria e Drejtësisë u ka kërkuar vetëm dëshmi të tria palëve, në mënyrë që të përfitojnë dëmshpërblim sa për 8 vite burgu. Nga këto 200 raste, 700 nuk janë trajtuar dhe ministria u ka lënë edhe 1 muaj kohë për plotësimin e dokumentacionit, për rrjedhojë para ende nuk kanë marrë.
Nga 20 që janë në grevë, 16 prej tyre e kanë përfunduar trajtimin që kanë marrë këstin e parë dhe po vijojnë me këstin e dytë, thotë ministria. Sa u takon zvarritjeve, qeveria pranon se ka pasur vonesa, por për shkak të ndryshimit të shpeshtë të ligjeve. Halimi thotë se në vitin 2006, Shoqatës së Burgosurve u është ofruar pension mujor, sipas rasteve të aplikuara në vendet e Lindjes dhe rajonit, por e kanë refuzuar.
A.Kola