“Fiks Fare” 


Banorët furnizohen me ujë të pijshëm nga autobotet, e blejnë 20 lekë litrin


Shumë lagje të kryeqytetit vuajnë mungesën e ujit të pijshëm. Zgjidhja për këta banorë është furnizimi me ujë nga autobotet. Ujë të cilin ata e blejnë me 20 lekë litrin


Askush nuk i kontrollon autobotet që shëtisin rrugëve të kryeqytetit për të furnizuar banorët e lagjeve të ndryshme të Tiranës. Askush nuk e di se autobotet në të shumtën e rasteve tregtojnë ujë pusi të pakontrolluar.


Gazetarët e emisionit “Fiks Fare” investiguan se ku ndodheshin këto puse dhe sa i kontrolluar është uji që ata tregtojnë.


Vetë drejtuesit e këtyre kamionçinave që tregtojnë ujë, pohojnë se janë të palicencuar dhe askush nuk i kishte ndaluar për t’u kërkuar analizat e ujit që ata shesin. “Fiks Fare” gjeti tre pika furnizimi të këtyre autoboteve, të cilët as paguajnë ujin që tregtojnë dhe as kanë fletë analiza.


Vaqarr – Në një banesë në Vaqarr të Tiranës, “Fiks Fare” filmoi disa kamionçina me depozita që mbusheshin me ujë nga një pus. Një shofer mjeti teksa po mbushte depozitat e makinës së tij tregon se uji nxirrej nga pusi, i cili ishte 25 metra i thellë, por ishte pak i rëndë. Me depozitat që po mbushte do të furnizonte disa institucione.


Në lagjen “Misto Mame” – Një tjetër banesë shërben si pikë furnizuese e palicencuar për autobotet. I zoti i shtëpisë kishte shtatë vjet që merrej me shitblerjen e ujit, por këto tre vitet e fundit ai kishte zbuluar një pus në oborrin e tij, i cili ishte 90 metra i thellë.


Me krenari tregon se askush nuk e ndalon që të tregtojë ujin e pusit, të cilin nuk e kishte analizuar asnjëherë.


Mëzez – Një tjetër banesë në Mëzes me pusin e hapur në oborr furnizon autobotet. E zonja e shtëpisë tregon se ka shumë punë dhe e nuk e përballon dot. Ajo nuk arrinte të plotësonte kërkesat e klientëve të saj dhe shpeshherë i duhej të mbushte ujë diku tjetër.


Në Shkozë – Në Shkozë situata është e ndryshme nga ato të mësipërmet. Këtu nuk tregtohej ujë pusi. Banorët e disa shtëpive kishin çarë tubacionin kryesor të ujit që zbriste nga Dajti dhe kishin nxjerrë një tub dhe mbushnin depozitat.


Uji tregtohej në disa zona të Tiranës siç janë Yzberisht, Kombinat, Unaza e Re etj., dhe tregtohej me çmimin 20 lekë bidoni.