Ndërsa greva e urisë së ish-të përndjekurve politikë ka hyrë në ditën e 25 të saj, gjendja shëndetësore e grevistëve është përkeqësuar ndjeshëm, ndikuar kjo edhe nga kushtet e paqëndrueshme të motit dhe shirat e vazhdueshëm që ka vështirësuar kushtet ku ata janë ngujuar.


Mjeku Besnik Lamçe, i cili po ndjek grevën e urisë së ish-të përndjekurve informoi mëngjesin e sotëm se gjendja e ish-të burgosurve është e rënduar, por gjithsesi sipas tij, vazhdon të qëndrojë brenda parametrave jetësore.


“Gjendja është e rënduar në kontekstin e mungesës së lëngjeve në organizëm dhe prishja e parametrave që tek Vllasi Kovçi, Zamazani Kollcaku etj., ka filluar të ulet tensioni, kanë mungesë lëngjesh, që pasqyrohet me uljen e oksigjenit në gjak”, – deklaroi Mjeku Lamçe, i cili përkundër akuzave të grevistëve ndaj mungesë së kujdesit të duhur nga bluzat e bardha, u shpreh se nëse gjendja e tyre do të ishte e rënduar përtej parametrave jetësore, ai nuk do t’i lejonte të qëndronin në ato kushte dhe do t’i merrte edhe në krah, po të ishte nevoja për t’i transportuar në spital.


Grevistët kanë reaguar ditën e sotme edhe ndaj deklaratave të ministrit të Drejtësisë, Eduard Halimi për pasurinë e tyre, duke i cilësuar ato thjesht dhe vetëm trillime. Fatmir Lamaj në një prononcim për mediat ditën e sotme, i hodhi poshtë këto deklarata, ndërkohë që iu përgjigj edhe akuzave të kryeministrit se ata janë duke u përdorur nga Partia Socialiste.


“Kur kam qenë 21 vjeç dhe dola në gjyq për agjitacion dhe propagandë kam thënë këto fjalë: jam armik i komunizmit deri në vdekje, i kam qëndruar, ndërsa ti je një pjellë e tij dhe vazhdon t’i shërbesh”, – tha ai.

Ndërkohë, ministri Halimi është thirrur ditën e sotme në një seancë dëgjimore në komisionin e ligjeve për të sqaruar situatën e vërtetë lidhur me dëmshpërblimin e ish të përndjekurve politikë.


20:30 –Arvizu: Qeveria të ulet në bisedime me grevistët  


 


Ambasadori i SHBA-së në Shqipëri, Aleksandër Arvizu, ka apeluar sërish për gjetjen e një dialogu mes qeverisë dhe ish-të përndjekurve politikë. Gjatë një interviste televizive ambasadori Arvizu ka deklaruar se greva e urisë është një çështje e ndjeshme për shumë shqiptarë dhe se grevistët duhej të ishin vizituar nga të gjithë përfaqësuesit politikë. Ambasadori ka kërkuar nga qeveria që të dërgoj përfaqësues të saj, për të gjetur rrugën e zgjidhjes së kërkesave të grevistëve. “Në një shoqëri demokratike, njëri prej detyrimeve është të zhvillosh dialog”, theksoi ambasadori.


20:00- Ndreca: Berisha po luan kumar me fatet e kombit, do të përballem me të në Hagë


Gjergj Ndreca, një prej dy grevistëve të urisë që i vuri flakën vetes në shenjë proteste, i është përgjigjur sot deklaratave të kryeministrit Berisha, duke e akuzuar se po luan kumar me fatin e kombit.


“Le të dalë kryeministri dhe të pyesë të gjithë qytetarët në Tiranë, nëse më kanë parë duke luajtur bixhoz. Është  Berisha ai që luan kumar, po luan kumar me fatet e kombit.


Për sa i përket epiteteve me të cilat më karakterizoi kryeministri shqiptar, fjalën e ka drejtësia”,- ka thënë Ndreca, që ka dalë sot nga salla e reanimacionit dhe kurohet në një prej dhomave të spitalit “Papanikolau” të Selanikut. Ai ka deklaruar se me Berishën do të ballafaqohet në Hagë. “Atje duhet të ballafaqohemi sepse më ka marrë në mbrojtje Kongresi Amerikan dhe Parlamenti Europian. Por, kërkoj nga çdo shqiptar të më sigurohet familja, sepse një kriminel që ka vrarë 22 vjet, vret prapë”, shtoi ish-i përndjekuri nga shtrati i tij i spitalit.


Për Ndrecën, përpjekja për të gjetur të drejtën nuk ka mbaruar dhe megjithëse larg, ndodhet pranë shokëve të tij grevistë me mendje e me shpirt, ndërsa falenderon gjithë Shqipërinë për mbështetjen dhe solidarizimin.


“U çoj mesazhe të përzemërta të gjithë bashkëvuajtësve të mi, me lot në sy sa të bëhem më mirë do të jem prapë pranë tyre. Me amanet dua të vdes në Shqipëri. Unë nuk jam një hero, unë jam një ushtar mes ushtarëve, dua vetëm të  bëj detyrën time”, shtoi Ndreca.


Pasi falenderon mjekët e spitalit dhe gjithë ata që ndihmuan në mjekimin e tij, Gjergj Ndreca ka kujtuar se ajo çka duhet të karakterizojë kryeministrin e një vendi është humanizmi dhe jo tradhtia ndaj bashkëqytetarëve të tij, ndërsa komentoi: “Mjekët në Greqi janë habitur me faktin se jam shqiptar. Ata më thonë që kryeministri ynë është aq human, sa që u ka falur detin”.


18:30 Amnesty International:Qeveria shqiptare të respektojë të drejtat e ish të burgosurve politikë


Amnesty International i ka bërë thirrje qeverisë shqiptare të takohet me shoqatën e ish-të Përndjekurve Politikë dhe të vendosë bisedime për të trajtuar menjëherë shqetësimet e tyre. “Njëzet e katër të burgosur politikë kanë qenë në grevë urie për tri javë për të protestuar ndaj vonesave të qeverisë për pagimi e kompensimit, sipas ligjit të miratuar në vitin 2007. Sipas Shoqatës, vetëm një nga tetë këstet është paguar që nga viti 2007. Shumë nga ish të burgosurit politikë jetojnë në varfëri ekstreme. Gjatë ditëve të fundit, grupi e përshkallëzoi protestën e tyre. Më 8 tetor, njëri nga grupi, Gjergj Ndreca, i vuri flakën vetes. Një grevist tjetër, Llazi Koçi, u dëmtua rëndë. Një i tretë, Lirak Bejko, u përpoq të bënte të njëjtën gjë më 10 tetor. Shumë ish të burgosur politikë kanë protestuar para parlamentit në solidaritet me grevistët. Shumë nga grevistët janë të moshuar dhe të dobët.


Amnesty International e mirëpriti takimin fillestar të zhvilluar të premten e kaluar, takim që ndodhi vetëm pas ndërhyrjes së ambasadës së SHBA-ve dhe delegacionit të Bashkimit Europian – mes grevistëve dhe Presidentit Bujar Nishani. Gjithsesi, Kryeministri Sali Berisha, ka vijuar të deklarojë se protestuesit janë të motivuar politikisht. Amnesty International i kërkon atij të trajtojë menjëherë shqetësimet e tyre dhe të sigurojë që dëmshpërblimet të paguhen sa më parë”, thuhet në deklaratën e Amnesty International.


 


14:00- Vajza e Gjergj Ndrecës dhe dhjetëra të rinj solidarizohen me grevistët


Vajza e grevistit të vetëflijuar, Gjergj Ndrecës, si dhe dhjetëra të rinj kanë organizuar një protestë në shenjë solidarizimi me ish-të përndjekurit politikë, që prej 25 ditësh janë ngujuar në grevë urie. Me pankartat në duar “Ku është shteti?”, “Përmendu qeveri, zbato ligjet”, “SOS”, “Popull ngri kokë, bashkohu”  të rinjtë janë nisur nga sheshi i Piramidës drejt çadrave të grevistëve.


 


 


11:30- Halimi: Ish-të përndjekurit e kanë marrë këstin e parë dhe ata mbi 56 vjeç edhe të dytin


Ministri i Drejtësisë, Eduart Halimi ishte paraditen e sotme në komisionin parlamentar të ligjeve me kërkese të deputetëve socialistë, ku ka raportuar lidhur me çështjen e ish-të përndjekurve politikë.

Ministri Halimi theksoi se ligji për dëmshpërblimet, i miratuar në vitin 2007 është zbatuar me përpikëri. Sipas Halimit, nga 20 589 kërkesa të paraqitura, 11 759 kanë marrë këstin e parë të dëmshpërblimit.


Ndërkohë, ministri sqaroi se është dhënë kësti i dytë i dëmshpërblimit të ish të përndjekurve politik të cilët janë mbi 65 vjeç, ndërsa ka nisur dëmshpërblimi për ata të cilët janë nën këtë moshë.


Deputetët e PS, të cilët kishin thirrur në seancë dëgjimore ministrin e Drejtësisë u shprehën se mosreagimi i qeverisë ndaj situatës së ish të përndjekurve prej 25 ditësh në grevë urie nuk është normal, ndërsa kërkesa e tyre për këtë seancë dëgjimore ishte me qëllim që të bëhej e qartë se sa ishte duke u zbatuar nga qeveria ligji lidhur me dëmshpërblimin e kësaj shtrese.


16 tetor 2012 (gazeta-Shqip.com)