Fitonin paratë e tenderëve dhe prokurimeve që ia jepnin një firme fiktive


Arrestimet Prokuroria MatProkuroria e Matit ka zbardhur një rrjet të tërë të vjedhjes së fondeve publike që është organizuar nga kryetarët e disa komunave të Dibrës dhe shefat e financave. Në pranga janë vënë dy kryekomunarë, një i tretë është në kërkim dhe katër shefa të financave në disa komuna. Prokuroria zbuloi se në vitin 2006 ishte krijuar një firmë në pronësi të shtetases Yllka Selita, bashkëshorte e kryetarit të Komunës Lis, së cilës i përdorej vetëm emri dhe që nuk kishte dijeni për vjedhjen e kryer. Prej vitit 2006, ky subjekt është përdorur nga shtetasi Dritan Farrici me detyrë shef finance në Komunën Lis për të bërë tenderë fiktive për blerje të ndryshme nga komunat Derian, Rukaj, Xibër, Gurrë, Sue, Baz, si dhe Drejtoria e Shëndetit Publik Mat, Drejtorisë së Spitalit Burrel, Qendrat Shëndetësore Rukaj, Derjan, Macukull, Ulzë, Sue.


Prokuroria e Përgjithshme tha dje se pas zhvillimit të procedurave prokuruese në lidhje me prokurimet me vlera të vogla nga shefat e financave dhe kryetarëve të këtyre autoriteteve kontraktuese bëhej plotësimi i formularit që lidhen jo vetëm me plotësimin e ofertës nga subjekti në fjalë, por dhe të formularëve të tjerë si testimi i tregut, shpallja e fituesit etj. Këto procedura kryheshin me mënyre fiktive vetëm me qëllimin që të bëhej i mundur kalimi i fondeve të përcaktuara për shërbime apo blerje të mallrave të ndryshëm. Pas këtij momenti gjithë fondet, pasi kalonin në llogarinë bankare të shtetases Yllka Selita, transferoheshin në një llogari tjetër dhe konkretisht te llogaria bankare e shtetasit Dritan Farrici. Nga hetimi është provuar fakti se shtetasi Dritan Farrici gjithë shumat e parave që kalonin në llogarinë e tij i tërhiqte kesh nga banka dhe më pas ua jepte shefave të financave ose kryetarëve të autoriteteve kontraktuese duke mbajtur në çdo rast 10% të çdo shume që tërhiqte.


Nga aktet e hetimit është provuar fakti se që nga koha e krijimit të subjektit “Yllka Selita” e në vazhdim nëpërmjet llogarisë së kësaj të fundit, është lëvruar në total shuma prej 53,660,442 lekësh. Për sa i përket plotësimit të dokumentacionit për prokurimet në të gjitha rastet ka qenë tërësisht fiktive, thjesht kryetari i komisionit të prokurimit me vlera të vogla takohej me Dritan Farricin, i cili hiqej si financier i subjektit “Yllka Selita” dhe ishte ky i fundit që bënte plotësimin e gjithë formularëve që kërkoheshin për kryerjen e procedurave përkatëse. Në çdo rast shtetasi Dritan Farrici ka firmosur në emër të shtetases Yllka Selita si në paraqitje të ofertave, në formularët e shpalljes fituese, si dhe në faturën tatimore që lëshohej nga subjekti në fjalë.


Sipas prokurorisë, për sa i përket komisionit që caktohej për testimin e tregut ka rezultuar se në të gjithë rastet anëtarët e komisionit, nuk e kanë njohur fare subjektin Yllka Selita, as nuk kanë marrë pjesë në testimin e tregut, por dhe as nuk kanë firmosur në procesverbalin përkatës. Në lidhje me rrethanat e faktit në fjalë kanë dhënë shpjegime të gjithë personat që kanë pasur dijeni për rrethanat e faktit penal. s.çobo


 


Hetimet


Dëshmia e Dritan Farricit: Ua ktheja paratë personave përkatës


Dritan Farrici, në deklaratën e tij, ka pohuar se subjekti Yllka Selita në asnjë rast nuk ka kryer punime pranë autoriteteve kontraktuese, siç thuhet në praktikat e urdhër shpenzimeve për subjektin në fjale. Sipas Farricit, janë plotësuar thjesht formularët e autoriteteve kontraktuese, si dhe fatura e thjeshtë tatimore në mënyrë fiktive, me qëllim që të bëhej kalimi i shumave përkatëse në llogarinë e subjektit në fjalë dhe pasi të transferohej në llogarinë e tij ai ua kthente personave që kishin kontaktuar me të. Dëshmitari vijon se Selita nuk ka qenë në dijeni të veprimeve që janë kryer, pasi veprimet në fjalë janë kryer me dijeninë e bashkëshortit të saj, kryetarit të Komunës Lis, Agim Selita. Dritan Farrici ka shpjeguar se subjekti “Yllka Selita” jo vetëm që s’ka kryer asnjë shërbim apo punë, por dhe nuk ka asnjë dijeni për të gjithë procesin.


 


 


Nën akuzë


1. Hamlet Xhakrosa, Kryetar i Komunës Rukai, akuzohet për shpërdorim detyre. Arrest me burg


2. Mustafa Celami, Kryetar i Komunës Gurrë, akuzohet për shpërdorim detyre. I është shmangur hetimit.


3. Lutfi Ceka, kryetar i Komunës Xibër, akuzohet për shpërdorim detyre. Arrest me burg


4. Behar Metra, nëndrejtor i spitalit Burrel, akuzohet për shpërdorim detyre. Arrest me burg


5. Gani Ruka, shef i financës së Komunës Rukaj, akuzohet për shpërdorim detyre dhe falsifikim dokumentesh. Arrest me burg


6. Etion Isufmani, specialist i Drejtorisë së Shëndetit Publik Mat, akuzohet për shpërdorim detyre. Arrest me burg


7. Hajredin Bardhi, shef i financës së Komunës Baz, akuzohet për shpërdorim detyre dhe falsifikim dokumentesh. Arrest me burg