Ambasadori i SHBA-së: Të përndjekurit nuk janë statistika


Batuta – “Në një shoqëri demokratike qeveria duhet të bëjë dialog edhe me ndonjë grup që  nuk i pëlqen, pasi është detyra jote sepse je zgjedhur. Nëse kjo është e parehatshme atëherë abdiko nga pozita, largohu dhe atëherë le dikë tjetër”


Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Shqipëri, Aleksandër Arvizu, deklaroi dje se nëse qeveria nuk është e aftë të negocojë dhe të zgjidhë problemet me qytetarët e saj, atëherë ajo mund të largohet dhe t’ia lërë vendin një qeverie tjetër. Duke folur në një intervistë për  televizionin “ABC News”, ambasadori Arvizu, duke folur për grevën, deklaroi se: “Në një shoqëri demokratike qeveria duhet të bëjë dialog edhe me ndonjë grup që  nuk i pëlqen, pasi është detyra jote sepse je zgjedhur. Nëse kjo është e parehatshme atëherë abdiko nga pozita, largohu dhe atëherë le dikë tjetër. Ambasadori amerikan theksoi se se greva e urisë të të përndjekurve politikë nuk mund të ishte një çështje numrash, por ishte një situatë humanitare për të cilën qeveria duhet të negocionte. Këto pohime Arvizu i bëri gjatë një interviste televizive për “ABC News” dhe theksoi se situata mund të përmirësohej në rast se këta të përndjekur do të vizitoheshin nga përfaqësues të qeverisë. “Çështja e tyre është e ndërlikuar dhe jo e thjeshtë. Ata nuk janë statistika, janë njerëz, unë dua ta shoh nga një pikëpamje humane. Ata kanë qenë personat më të cenueshëm në shoqërinë shqiptare, problemi i tyre është një problem humanitar. Kjo situatë është e ndjeshme për shumë shqiptarë, për mua dhe grevistët duhej të ishin vizituar nga të gjithë përfaqësuesit politikë”, deklaroi Arvizu. Por sipas tij, përgjegjësinë më të madhe për t’i asistuar këta njerëz e kishte qeveria e vendit dhe se përfaqësuesit e saj nuk duhet të mjaftoheshin vetëm me deklarata nga foltoret politike, por duhet të përballeshin personalisht me të përndjekurit. Kjo sipas Arvizusë, vjen dhe si rezultat i detyrimit që qeveria e Shqipërisë ka për t’u qëndruar pranë të gjithë qytetarëve të saj.


“Të përndjekurit po përdorin një gjuhë të ashpër. Zyrtarët e lartë të qeverisë po shajnë dhe thelbi i vërtetë i çështjes nuk po trajtohet. Nëse një shef kabineti ose një ministër do të shkonte atje pranë të përndjekurve, situata do të ishte më mirë dhe jo vetëm të bënte akuza nga foltoret partiake. Qeveria duhet të përfaqësojë të gjithë qytetarët jo vetëm ata që votojnë për të  si për shembull në Kamzë ku bluja spikat ngado. Ajo duhet të përfaqësojë, dhe ato zona që qeverisen nga socialistët dhe mbase në zemrën e tyre”, deklaroi Arvizu në një intervistë televizive. Por sipas tij, aktet e vetëflijimit nuk duhet të përsëriteshin për shkak se ato ishin ekstreme dhe nuk sillnin asnjë përmirësim të situatës së tyre. Në lidhje me vizitat e tij pranë të përndjekurve Arvizu theksoi se ai ishte frymëzuar dhe nga fakti që Gjergj Ndreca në momentin e vetëflijimit mbante mbi krye një flamur amerikan. “Më kanë thënë dhe njerëz që kanë qenë brenda grevës se ata janë frymëzuar për këtë organizim nga “Act Now”. Vizita e parë është që vetëm t’i dëgjoja kërkesat e tyre pa asnjë paragjykim. Më pas shkova pas djegies së Gjergj Ndrecës, sepse në këtë moment pashë se ai kishte një flamur amerikan në kokë dhe flamuri ynë simbolizon flamurin e lirisë dhe demokracisë. Nuk e di këtë nëse është një shoë politik, por nuk e di si mund të mos shkoja atje. Por ky veprim që do t’i marrësh vetes jetën shihet si rast ekstrem”, deklaroi ambasadori Arvizu.


“Ajo duhet të përfaqësojë, dhe ato zona që qeverisen nga socialistët dhe mbase në zemrën e tyre”