Garancia


Ministria e Financave shkel ligjin e buxhetit


Shpresa – Ministria e Financave shpreson që KESH-i të mos e përdorë të gjithë garancinë bankare, pasi në të kundërt, rrit kufirin e borxhit


Në Kuvendin e Shqipërisë, ditët e ardhshme pritet të ketë debate të ashpra. Garancia e lëshuar nga Ministria e Financave për Korporatën Elektroenergjetike Shqiptare (KESH), në masën rreth 7 miliardë lekë, rrit automatikisht nivelin e borxhit publik, në masën 60.5 për qind, në raport me Prodhimin e Brendshëm Bruto.


Me ligj, sipas kufirit të vendosur nga qeveria (rishikuar në muajin gusht), borxhi publik duhet të qëndrojë 59.9 për qind, të paktën deri në fund të vitit 2012, por garancia e lëshuar dy javë më parë nga ministri Ridvan Bode, me vendim të qeverisë, ka sjellë kapërcimin e vlerës, me 0.6 pikë përqindje.


Gazeta “Shqip” mëson se firmosja e garancisë është bërë vetëm nga ministri, pasi zyrtarët e tjerë të Financave nuk kanë pranuar të japin autorizimin, për shkak të frikës së shkeljes së ligjit për buxhetin.


Sipas vendimit të miratuar në mbledhjen e fundit të qeverisë, mësohet zyrtarisht se garancia arrin në 50 milionë euro, gati 7 miliardë lekë, të nevojshme për të mbuluar importet deri në fund të vitit 2012. Për këtë shkak, në raportin e fundit të Fondit Monetar Ndërkombëtar, kushtuar ekonomisë së vendit, ekspertët e huaj paralajmëruan qeverinë se me masat që do të ndërmerrnin në muajt e ardhshëm, kufiri i borxhit do të kapërcehet, duke e bërë edhe më të rrezikshëm dhe të kushtueshëm shërbimin ndaj tij.


Në fillim të vitit, KESH-i mori nga arka e shtetit, duke prekur të gjithë zërin e fondit të kontingjencës (i cili përdoret për të ruajtur deficitin buxhetor nga tejkalimet e shpenzimeve), rreth 2 miliardë lekë. Këto para u përdorën për të importuar energji elektrike në muajt janar dhe shkurt, e cila më pas u kalua, pasi CEZ-i rriti importet, si detyrim për të mbuluar humbjet në rrjetin elektrik.


Këto dy garanci rrisin artificialisht nivelin e borxhit publik, pavarësisht se kredia do të paguhet mes KESH-it dhe CEZ-it. Në ligjin bazë të buxhetit, garancitë që lëshon Ministria e Financave për ndërmarrjet shtetërore, edhe pse shlyhen nga këto të fundit, futen në bilancin e shtetit shqiptar dhe merren si një e tërë. Problemi me KESH-in ekziston me vetë bankat, të cilat janë të detyruara t’i bllokojnë llogaritë, për aq kohë sa ndërhyn përmbarimi privat, për interes të kompanive importuese. Dy garancitë e miratuara i japin frymëmarrje KESH-it, për të vepruar e lirë në tregun rajonal të energjisë elektrike. Të ndara në dy shuma, 40 milionë euro dhe 1.4 miliardë lekë, korporata do të kërkojë pa problem blerjen e energjisë, por edhe këtu priten vështirësi, pasi shumë importues e kanë humbur besimin te KESH-i.


A.Kola