Politika


Merkel akuzon opozitën për bllokim


Kancelarja e Gjermanisë, Angela Merkel, deklaroi dje se Gjermania ka nevojë të stimulojë kërkesën e brendshme në ekonominë e saj si dhe i kërkoi partive të opozitës të mos bllokojnë propozimet për ulje taksash në Dhomën e Lartë të Parlamentit.


“Rritja në Gjermani mund të ndihmohet aktualisht nga rritja e kërkesës së brendshme më shumë se çdo gjë tjetër”, tha ajo. Gjermania është vënë nën presion, duke i kërkuar të rrisë kërkesën e brendshme në mënyrë që të lehtësojë presionin mbi vendet e Eurozonës në vështirësi nga kriza e borxheve sovrane. Ajo u sugjeroi kompanive të ofrojnë rritje më të madhe page për të punësuarit e vet për këtë vit.


Beteja për uljen e taksave po bëhet një pjesë e rëndësishme e fushatës elektorale për zgjedhjet federale që do të zhvillohen vitin e ardhshëm. Merkel kërkon në këto zgjedhje një mandat të tretë. Propozimi fiskal është që fashat e taksimit progresiv të rriten në raport të drejtë me rritjen e çmimeve të mallrave të konsumit. Për shkak se çmimet rriten, fashat e tatimit mbi të ardhurat personale bëjnë që më shumë gjermanë të kalojnë nga niveli i ulët i taksave në një nivel më të lartë. Në rast se fashat indeksohen, atëherë kalimi nga një përqindje e ulët në një përqindje më të lartë taksimi, do të rritet më ngadalë.


Sistemi nuk ka ndryshuar që nga viti 1958 dhe vlerësohet se shteti ka arkëtuar 76 miliardë euro gjatë pesë viteve të fundit më shumë. Opozita e ka bllokuar propozimin në Dhomën e Lartë të Parlamentit, ku Merkel nuk ka mazhorancë.


Taksa mbi të ardhurat personale në Gjermani varion nga 0 për familjet me të ardhura të ulëta, në 45 për qind për familjet me të ardhura të larta. Për individët që jetojnë vetëm dhe që kanë të ardhura më të ulëta se 8 mijë euro në vit, ka taksë zero ndërsa për familjet me dy anëtarë, taksat janë zero për të ardhurat deri në 16 mijë euro në vit. Për individët që kanë të ardhura vjetore prej 250 mijë eurosh, tatimi është 42 deri në 45 për qind në vit.