Gjyqi


Ish-udhëheqësi serb i Bosnjës hyn në fazën tjetër të gjyqit të stërzgjatur


Para se të thirret dëshmitari i parë në gjyqin e tij për krime lufte, ish-lideri serb i Bosnjës, Radovan Karaxhiq, iu tha gjyqtarëve se duhet të ishte shpërblyer dhe jo të paditej për veprimet e tij gjatë luftës në Bosnjë.


Në fillimin e prezantimit të mbrojtjes, Karaxhiqi iu tha gjyqtarëve të Gjykatës Ndërkombëtare për Krime Lufte në ish-Jugosllavi, ICTY, se ushtria serbe e Bosnjës nuk bombardoi tregun Markale në Sarajevë dhe se nuk kishte njohuri në atë kohë se boshnjakët po vriteshin në Srebrenicë, në verën e vitit 1995.


“Sarajeva është qyteti im dhe e gjithë kjo histori se ne bombarduam Sarajevën pa asnjë arsye nuk ka bazë… Çdo bombë që ka rënë në Sarajevë, më ka lënduar mua gjithashtu”, tha Karaxhiq, duke shtuar se ishin më shumë se 200 shënjestra legjitime ushtarake në qytet.


Karaxhiqi shpjegoi se roli i tij gjatë luftës në Bosnjë ishte të “humanizonte konfliktin”.


“Në vend që të paditem për krimet në luftën tonë civile, duhet të shpërblehem që bëra çdo gjë që kam mundur, për të siguruar që të mos kthehej në luftë. Unë kam minimizuar vuajtjet e civilëve, sigurova që numri i viktimave të ishte tre ose katër herë më i vogël dhe nënshkrova shumë traktate për të ndalur luftën”, tha Karaxhiqi.


Pasi Karaxhiqi të përfundojë me fjalët hyrëse, dëshmitari i parë i palës mbrojtëse do të thirret gjenerali ukrainas Andrei Demurenko. Demurenko do të dëshmojë se – edhe nëse granata shpërtheu në tregun Markale në Sarajevë më 28 gusht 1995 dhe vrau 40 persona – ajo nuk mund të ishte gjuajtur nga pozicionet e serbëve të Bosnjës.


Gjyqi i Karaxhiqit filloi në tetor të vitit 2009. Prokurorisë iu deshën dy vjet për të prezantuar provat e saj dhe rreth 300 dëshmitarë u thirrën për të dëshmuar.


Duke marrë në konsideratë faktin se prokuroria përdori 300 orë pune për të prezantuar rastin e saj, ICTY i dha të njëjtën kohë Karaxhiqit për provat e tij. Karaxhiqi po e apelon këtë vendim.


Karaxhiqi akuzohet, si ish-president i Republikës Srpska dhe ish-komandant suprem i Forcave të Armatosura të saj, për gjenocid në Srebrenicë, dëbimin e boshnjakëve dhe kroatëve në Bosnjë, marrjen peng të ushtarëve ndërkombëtarë dhe terrorizim të qytetarëve të Sarajevës në sulme me bomba dhe snajper.


I pandehuri ka deklaruar se planifikon të thërrasë 600 dëshmitarë për mbrojtjen e tij dhe tha se edhe ai mund të dëshmojë vetë në fund.