Shkollat private
Raporti i Inspektoratit të Arsimit
Lorina Mixha
Shkollat shtetërore kanë problemet e tyre me numrin e nxënësve në klasa, probleme me rekrutimin e mësuesve apo me infrastrukturën. Por në shkollat publike nuk kemi dëgjuar asnjëherë që mësuesit të japin mësim si të jashtëm, njësoj si pedagogët në universitete, ku institucioni arsimor i kontrakton për orë të caktuara, për periudha të përkohshme. Në rastin e fakulteteve, pedagogët kontraktohen për një semestër apo për një vit të plotë akademik.
Raporti i fundit i Inspektoratit Kombëtar të Arsimit Parauniversitar radhit ndër përfundimet e vëzhgimeve dhe inspektimet e kryera një fakt të ri që nuk e kishin hasur më parë. Në disa shkolla private, mësuesit punojnë si të jashtëm dhe jo si staf i brendshëm. IKAP nuk ka dhënë detaje të tjera, por ndër përfundimet dhe problematikat që rendisin ekspertët lidhet me praninë e mësuesve në shkolla për një kohë të caktuar dhe jo si trup pedagogjik kompakt, siç ndodh me stafin mësimor në shkollat publike. Pavarësisht kësaj, sipas rregulloreve, drejtoritë arsimore dhe drejtoritë e shkollave, përveç stafit të brendshëm dhe të përhershëm, kanë të drejtë të punësojnë edhe staf me kohë të pjesshme apo të kërkojë për lëndë të caktuara mësues dispozicioni.
Evidencat
Sipas IKAP-it, janë vërejtur largime të mësuesve pa respektuar legjislacionin në fuqi. Ndërkohë që nga kontrollet e ushtruara në disa shkolla mungojnë dosjet e rekrutimit të mësuesve. “Shkollat kanë bërë rekrutimin e stafit mësimdhënës dhe drejtues në përputhje me Udhëzimin Nr. 22, datë 29.07.2010 për “Emërimet e personelit mësimdhënës dhe drejtues në arsimin parauniversitar”, me përjashtim të dy shkollave private, në të cilat mungojnë dosjet e stafit mësimor, në njërin nga institucionet private dosja e rekrutimit është jo e plotë, ndërkohë që në dy shkolla private, të gjithë mësuesit që japin mësim, janë të jashtëm.
Sipas IKAP, shkollat kanë një rregullore të brendshme për funksionimin e tyre, sipas standardeve zyrtare, me përjashtim të dy institucioneve private.
Inspektorët e IKAP-it kanë deklaruar se në përgjithësi shkollat kanë një plan të veçantë për kualifikimin e brendshëm të
mësuesve. Ndërkohë që ky plan nuk bëhet në shtatë shkolla jo publike.
Shkeljet
“DAR/ZA-të kanë hartuar listat e pritjes së mësuesve. Dokumentet e emërimit dhe largimit nga puna të punonjësve të DAR/ZA-ve ka raste që janë bërë pa iu referuar bazës ligjore përkatëse dhe pa vendim të veçantë për secilin punonjës”, thuhet në raportin e IKAP-it.
Sakaq, pak kohë më parë, ka reaguar edhe Sindikata e Mësuesve lidhur me rekrutimin dhe largimet e punonjësve të arsimit.
“Ligji i ri është shkelur nga zyrat arsimore dhe nuk është zbatuar kontrata kolektive. Këto shkelje do të shkojnë në gjykatë, mësuesit do të fitojnë të drejtën e tyre dhe këto do të rëndojnë buxhetin e shtetit”, ka deklaruar sindikata.
Inspektorati Arsimor
“Në disa shkolla mungojnë dosjet e mësuesve, në të tjera mungon stafi i brendshëm dhe mësuesit japin mësim si të jashtëm”