MAKLEN MISHA


Maklen MishaKryeministri paska pasur një bisedë kokë më kokë me Zotin! Bisedat apo çdo lloj kontakti i drejtpërdrejtë me të Plotpushtetshmin janë ngjarje tejet të rralla. Që kur u shpik bota vetëm një grusht njerëzish e kanë pasur këtë fat. Por edhe mes këtij klubi special njerëzish të bekuar nuk është e tepërt të thuhet se Kryeministri përbën një rast unikal. Mjafton të bësh një hulumtim qoftë edhe fare të përciptë të historisë së miteve, legjendave, besimeve, feve e kishave që kanë ekzistuar qysh në fillimet e njerëzimit, për të kuptuar se një takim si ai që na raportoi Kryeministri me rastin e ditëlindjes as është parë, e as është dëgjuar.


Së pari, kjo përvoja e përjetuar nga Kryeministri duke u gdhirë 15 tetori është unike, për shkak të arsyeve që e sollën. Zakonisht pasardhësit e Evës apo Adamit kanë pasur fatin të takojnë Zotin vetëm në rastet e ndonjë eksperience tejet emocionale a traumatike; ose pas vitesh të tëra meditimi si eremitë apo murgj në ndonjë qoshe të humbur të dheut, pas agjërimit dhe izolimit të stërzgjatur nga tundimet e kësaj bote; ose kur qenë përzgjedhur si lajmës nga vetë i Plotfuqishmi, kur këtij të fundit i duhej të përçonte ndonjë porosi, apo kërcënim për vdekatarët e rëndomtë të kësaj bote në një mënyrë më pak dramatike se sa duke lëshuar rrufe, tërmete, re me karkaleca apo përmbytje të përmasave biblike. Por në cilën prej këtyre kategorive mund të klasifikohet vallë Kryeministri ynë? Pavarësisht përpjekjeve e hulumtimeve të shumta, më rezulton se Sali Berisha nuk mund të përfshihet në asnjë prej këtyre rasteve. Sepse s’dimë të ketë kaluar ndonjë eksperiencë të fortë traumatike, izolimi i tij në majat e pushtetit si zor ta kualifikojë atë si eremit, dhe nisur nga sa na tha gjatë mbledhjes së grupit të Partisë Demokratike, i Plotfuqishmi as nuk i ka komunikuar ndonjë urdhëresë të re, as i ka diktuar ndonjë libër të shenjtë dhe as e ka ngarkuar të na japë ndonjë paralajmërim të tipit “hiqni dorë nga bllokimi i statusit, sepse ndëshkimi i Perëndisë do të bjerë mbi ju!” Jo! Kryeministrit thjesht i ka ardhur Zoti për ditëlindje.


Së dyti, takimi i Kryeministrit me të Plotfuqishmin është unik edhe për nga natyra e bisedës së zhvilluar mes tyre. Zakonisht kur Perëndia merr mundimin të kontaktojë ndonjë bir njeriu e bën këtë për qëllime madhore. Kemi për shembull rastet e profetëve që u kontaktuan për të shërbyer si përçues të mesazhit hyjnor. Kemi raste si ai i Noes, që u përzgjodh si shpëtimtari i racës njerëzore, apo Zhan d’Arkës, të cilën Zoti përmes një sërë vegimesh, e udhëzoi të shpëtonte Francën nga dominimi anglez. Por me aq sa na informoi Kryeministri për këtë takim të mistershëm kokë më kokë me të Plotfuqishmit, atij s’është se iu kërkua të shkruajë ndonjë libër të shenjtë në fletë papirusi apo urdhëresën e njëmbëdhjetë në ndonjë plloçë guri, as iu kërkua të ndërtojë ndonjë arkë e as iu ngarkua misioni fisnik i shpëtimit të vendit nga dominimi i pushtuesve të kredhur në mëkat. Në mënyrë krejtësisht të pazakontë dhe në një shkelje të papërligjur të një tradite të konsoliduar disa mijëravjeçare, Zoti thjesht i paskësh ofruar Kryeministrit tri dhurata për ditëlindje. Ndoshta gabohem (dhe jam i hapur për vërejtjet dhe kritikat e kujtdo që është më i lëçitur në lëmin e teologjisë apo filozofisë fetare), por ky është rasti i parë që kur Eva na bëri gjëmën duke ngrënë mollën e ndaluar që i Plotfuqishmi sillet me një qenie njerëzore si të ishte ndonjë kryqëzim mes Cironkës së Artë dhe Plakut të Vitit të Ri, duke sjellë dhurata për ditëlindje.


Për fat të keq, hapësira e këtij shkrimi nuk lejon një analizë shteruese të përvojës mistike të Kryeministrit, të asaj që nënkupton ajo për të ardhmen e vetë Kryeministrit apo të vendit në përgjithësi. Do të kishte qenë me vlerë të analizohej më hollësisht aspekti moral i kësaj bisede, pra i asaj që na tregon ajo për karakterin e Kryeministrit apo të të Plotfuqishmit që e takoi. Në fund të fundit, sjellja e Kryeministrit, i cili kur i jepet një mundësi e artë për të hyrë mik te Perëndia për të përmirësuar fatet e vendit, në vend që të kërkojë ndonjë dorë të mirë parash për të zbutur varfërinë, investime në shkolla apo shëndetësi, mot të mirë për bujqësinë apo hidrocentralet, shkon e bën dy kërkesa krejtësisht egoiste, duhet thënë që është mjaft cinike, në mos imorale. Për të mos folur pastaj për vetë të Plotfuqishmin, i cili harxhon plot tri dëshira për të promovuar axhendën individuale të një politikani.


Unë bëj pjesë tek ata që e besojnë deklaratën e Kryeministrit, pra unë e besoj që Kryeministri është i sinqertë kur na thotë se ka takuar Perëndinë. Por duke qenë se jetojmë në një shoqëri ku liria e mendimit është e sanksionuar me ligj, padyshim që ka edhe nga ata që e kanë pritur këtë deklaratë me skepticizëm. Me plot të drejtë ata mund të thonë se përderisa eksperienca mistike e Kryeministrit nuk përputhet me asnjë nga modelet e pranuara protokollare, të cilave u përmbahen takimet bilaterale të kësaj natyre, ajo nuk është e vërtetë, por thjesht produkt i fantazisë kryeministrore. Këtyre skeptikëve dëshiroj t’u kujtoj se ekziston dhe ka ekzistuar gjithnjë një tjetër kategori njerëzish që kanë pasur fatin e madh të takojnë Perëndinë. Këta janë individë, burra dhe gra, fëmijë dhe pleq, të cilët kanë fatin të mos jenë krejt normalë e të cilët për këtë arsye janë parë nga shumë shoqëri njerëzore primitive si të “prekur nga dora e Zotit.” Në fund të fundit, sa kryeministra e burra shteti të tjerë njohin ata që ta pranojnë publikisht, në mbledhje të grupit parlamentar, se kanë pasur vegime dhe takime me Perëndinë?