Botërori 2014
Zvicra dhe Norvegjia fitojnë në transfertë përkatësisht ndaj Islandës dhe Qipros, por Shqipëria është në shinat e tyre
Triumfi mban vulën e Roshit. Revolucioni i jep të drejtë De Biazit
Altin Manallari
Rikthehet më në fund Shqipëria. Rigjen veten pas humbjes befasuese me Islandën dhe fiton 1-0, duke dominuar një Slloveni të mefshtë dhe duke u futur sërish në shinat për të luftuar deri në fund për kualifikim në Grupin E të eliminatoreve të Botërorit 2014.
Sikurse edhe ishte paralajmëruar, trajneri Zhani De Biazi kishte kthyer në realitet “revolucionin” në formacionin e parë. Ertit Berisha zë vendin e Ujkanit, ndërsa dora e teknikut italian ndihet edhe në mbrojtje, ku Lila zëvendëson Dallkun, ndërsa Agolli vendoset në të majtë të dyshes Cana-Mavraj. Meha nuk ia del dhe i lë vendin Vilës. Roshi gjen hapësirë në krahun e djathtë të mesfushës. E pandryshuar mbetet dyshja e sulmit Çani-Sadiku. Minutat e para të ndeshjes flasin për tanët, të cilët shfaqen të vendosur mirë në fushë dhe menjëherë arrijnë të dominojnë mesfushën, madje edhe të krijojnë raste. Një i tillë pas vetëm 4 minutash ishte me Agollin, i cili fut një kros në zonë, ku as Çani, as Sadiku e as Roshi nuk mundën ta devijojnë drejt rrjetës topin. Më pas edhe Bulku provon të vërë në vështirësi portierin Handanoviç me gjuajtje nga jashtë zonës, por që ndalet pa problem nga slloveni. Shqipëria është agresive me lojën nga krahët. Pas 19 minutash vjen goditja e parë e sllovenëve në portën tonë, por Berisha është i vëmendshëm. Në të 33-tën në një goditje këndi, Sadiku devijon me kokë, por Çani në shtyllën e dytë për pak centimetra nuk arrin ta shtyjë drejt rrjetës. Shiu i rrëmbyer nis të bjerë, duke e vështirësuar lojën në fushë. Por kjo nuk i ndal kuqezinjtë që pas shumë përpjekjesh, më në fund arrijnë të gjejnë golin e avantazhit në minutën e 37-të: Në një rivënie anësore, Vila fut një kros nga e majta e sulmit tonë në zonë, ku Roshi fiton duelin ajror me mbrojtësin slloven duke e mposhtur portierin Handanoviç. Kundërshtari tenton të reagojë dhe i afrohet portës kuqezi me disa goditje dënimi apo këndi, por pa shqetësuar aspak Berishën. Megjithatë, minutat e fundit të pjesës së parë flasin për miqtë. Në pushim De Biazi vendos të zëvendësojë Sadikun me Salihin, me synimin për të mbajtur kundërshtarin në zonën e tij. Shqipëria e nis në mënyrë agresive edhe pjesën e dytë. Në të 47-ën minutë Lila i shkon shumë pranë golit të dytë me një gjuajtje nga jashtë zonës, që përfundon pranë shtyllës së Handanoviç. Miqtë organizohen me shumë vështirësi edhe për meritë të presingut kuqezi, ndërsa Mavraj në mbrojtje është i pakalueshëm. Kombëtarja sulmon dhe në minutën e 56 kërcënon dy herë me Roshin e Çanit. Roshi është protagonist në minutën e 63-të, por në fillim Handanoviç grushton gjuajtjen e Roshit, topi shkon te Bulku, i cili nuk gjen dot portën. Sllovenët nuk kanë qartësinë e duhur për të sulmuar, ndërsa duelet e mesfushës bëjnë që Shqipëria të jetë dominuese në fushë. Në 15 minutat e fundit debuton edhe Curri nën erën De Biazi, i cili nga ana e tij mendon të mbrohet mirë dhe të aplikojë kundërsulmin. Skuadra është më e tërhequr duke lënë përpara vetëm Salihin. Sllovenët fitojnë terren, por nuk çajnë dot mbrojtjen e ngjeshur të kuqezinjve. Kaankth deri në fërshëllimën e fundit, por në fushë Shqipëria feston fitoren 1-0, duke vulosur kështu edhe fatin e 66 viteve histori të stadiumit “Qemal Stafa”, që me shumë gjasa do të prishet.
Trajneri
Keqardhja e Xhani De Biazit: Meritonim të kishim 9 pikë
“Ishte shumë e vështirë të luanim pas një humbjeje të pamerituar ndaj Islandës, por gjithsesi sot (dje) luajmë shumë mirë dhe morëm një fitore shumë të rëndësishme. Edhe në humbjen me Islandën dhamë gjithçka, në të gjitha humbjet, kemi luajtur shumë mirë, por ja që nuk jemi shpërblyer, sidomos të premten e kaluar. Në këtë ndeshje mora përgjigjen e atyre gjërave që kam parë gjatë këtyre tri ditëve në stërvitje. S’ditëm të bënim më të mirën dhe të merrnim rezultatin që dëshironim. Nga pikëpamja taktike u munduam ta mbanim ekipin sa më të shkurtër e të ngjeshur, dhe të shfrytëzonim lojën nga krahët me anën e Roshit, që është i shpejtë në shkëputje, sepse neve na mungon ai pasimi filtrues në qendër të zonës. Në ndeshjet në shtëpi, ajo që ne ndoshta nuk meritonim ta fitonim, ishte ndaj Qipros. Por ajo që na dëmtoi më shumë ishte humbja ndaj Islandës. Ndoshta do të kishim 9 pikë, nëse do kishin shkuar gjërat në mënyrë logjike”.
