Ish-kreu i KQZ-së emërohet në dikasterin që administron zgjedhjet
BLEDAR HOTI
Arben Ristani emërohet në postin e zv.ministrit të Brendshëm. Ish-kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve është emëruar dje në postin e zv.ministrit, duke marrë vendin e lënë vakant nga Avenir Peka, personi që tashmë është drejtor i Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave. Ky vendim u mor në mbledhjen e djeshme të qeverisë. Ish-kreu i KQZ-së do të jetë personi që mbase do jetë përgjegjësi për infrastrukturën për zgjedhjet e ardhshme parlamentare, për atë pjesë angazhohet Ministria e Brendshme, në ruajtjet e QV-ve, apo me hartimin e listës së zgjedhësve. Brenda një jave, qeveria ka marrë dy vendime për emërim zëvendësministrash të brendshëm. Fillimisht Berisha emëroi në këtë post kreun e PDK-së, Nard Ndoka. Përfshirjen e Arben Ristanit në politikë apo dhe në administratën publike e paralajmëroi disa ditë më parë vetë Kryeministri Sali Berisha. Në seancën parlamentare të së enjtes së kaluar kur po votohej për 7 anëtarët e rinj të KQZ-së, Kryeministri shprehu vlerësimet maksimale ndaj Ristanit. “E falënderoj z. Arben Ristani që me vendosmëri dhe civilitet përballoi vështirësitë e jashtëzakonshme të krijuara nga tensionet politike të pamerituara të adresuara ndaj tij. Garantoj Ristanin se është nder dhe kënaqësi të vazhdoj bashkëpunimin me të dhe të theksoj se ka pasur mirëkuptimin tim të plotë kur vendosi të mos kandidojë për KQZ-në për faktin se ishte i pari kryetar në histori që zgjidhej me konsensusin e të gjitha forcave politike. E falënderoj, mos u bëni merak ju (i drejtohet opozitës në Parlament) se ai do jetë në krah tim, në të gjitha betejat e ardhshme dhe vende të rëndësishme”, deklaroi Berisha. Kryeministri ia hodhi fajin opozitës për moszgjedhjen e tij në mënyrë konsensuale, sërish në postin e kreut të KQZ-së. “Për arsye të caktuara, PS i hoqi konsensusin dhe z. Ristani deklaroi se nuk do ishte kandidat në KQZ. Po ia bëj këtë falënderim se po shkëputet nga një detyrë shtetërore dhe po largohet për shkakun e vetëm se ju prishët konsensusin për emërimin e tij. Faleminderit të katër zotërinjve që nuk i votojmë më në historinë e KQZ”, theksoi Berisha. Arben Ristani si kryetar i KQZ-së drejtoi dy palë zgjedhje, parlamentaret e vitit 2009 dhe lokalet e vitit 2011. Në të dyja votimet opozita kontestoi vendimet e dhëna nga KQZ-ja. Debati më i ashpër ishte ai për moszbatimin e kërkesës së dy anëtarëve të KQZ-së për hapjen e kutive të votimit për numërimin e votave. Ndërsa për zgjedhjet e 8 majit, vendimi i KQZ-së për ndryshimin e procedurave ligjore për votimet e Bashkisë së Tiranës, duke hapur kutitë për rivlerësimin e fletëve të votimit të hedhur në kutinë e gabuar. Kjo bëri që kandidatit të PS-së, Edi Rama, i cili rezultoi me 10 vota para kandidatit të PD-së, Lulzim Basha, t’i hiqet, duke ia dhënë kandidatit të së djathtës. Kjo solli dhe protestat e opozitës përpara KQZ-së dhe rriti tensionin politik në vend.