Ndërsa ish-të përndjekurit politikë janë në ditën e 27 të grevës së tyre të urisë, një grup ish të përndjekurish kanë nisur paraditen e sotme protestën e paralajmëruar para parlamentit, ku ndërkohë është duke u zhvilluar seanca e radhës.


Përfaqësues të ish-të përndjekurve politikë i kanë bërë sërish thirrje qeverisë që të përmbushë kërkesën e tyre legjitime për dëmshpërblim për vitet e burgut që kanë bërë gjatë kohës së regjimit komunist.


Ata shprehën edhe një herë vendosmërinë për të vijuar grevën, edhe duke i zëvendësuar grevistët që po mbushin muajin pa ngrenë, me grevistë të rinj që do të vijojnë të kërkojnë të drejtat e tyre.


Protestuesit kanë bërë thirrje për lirimin e koordinatorit të grevës së urisë, Asllan Patrioti i cili u arrestuar ditën e djeshme nga polica me akuzën e mashtrimit, por ish-të përndjekurit e kanë cilësuar këtë arrestim thjesht dhe vetëm për qëllime politike.


Koordinatori i grevës së urisë, Skënder Tufa, i ka cilësuar veprimet ndaj koordinatorëve të grevës si tërësisht politike, ndërsa ka hedhur akuza edhe ndaj opozitës, e cila sipas tij është një nul, “ajo duhet të jetë aty ku është zëri i qytetarëve”.

Më tej Tufa ka bërë thirrje për një zgjidhje në mënyrë të qytetëruar të kësaj çështjeje, duke e ftuar sërish qeverinë që të negociojë me ish të përndjekurit.


 


19:00- Ministrat Bode dhe Halimi “llogari” në Kuvend për ish-të përndjekurit


Greva e ish-të burgosurve politikë është bërë pjesë e diskutimeve në Kuvendin e Shqipërisë, pas kërkesës për interpelancë me ministrin e Drejtësisë Eduart Halimi dhe ministrit të Financave Ridvan Bode. Ministri Halimi deklaroi se ligji për dëmshpërblimin është miratuar në vitin 2007, ndërkohë që janë depozituar mbi 20 mijë kërkesa për dëmshpërblim dhe ka përfunduar procesi për mbi 11 mijë prej tyre. Halimi theksoi se është shpërndarë kësti i parë për të gjithë ish-të burgosurit politikë, ndërkohë që ka filluar shpërndarja e këstit të dytë për ata që janë mbi 65 vjeç. Halimi nuk ka ngurruar të përsërisë akuzat për PS-në se gjatë qeverisjes në kohën kur Pandeli Majko ishte kryeministër shpërbleu me qindra milionë lek xhelatët e tyre, Ramiz Alinë, Nexhmie Hoxhën dhe bllokmenët e tjerë hoxhistë të dënuar për genocid dhe krime kundër njerëzimit.


Të njëjtin qëndrim ka mbajtur edhe ministri i Financave Ridvan Bode, por ai ka folur me gjuhën e shifrave. Sipas Bodes tashmë po vijon shpërndarja e këstit të dytë sipas radhës. “581 mln lekë për këstin e dytë për ish-të dënuarit politikë. Kush është mbi 65 vjeç ka marrë 864 mln lekë të dëmshpërblimit. Në vitin 2009-2012 fond për likuidim prej 6.5 mld lekësh për këtë shtresë. 305 të pushkatuar pa gjyq, të dënuar me burgim, 10835 persona. 581 mln lekë për këstin e dytë për ish-të dënuarit politikë, ndërkohë vijon shpërndarja e këstit të dytë sipas radhës e rregullit”,- theksoi Bode.


AK: Berisha në provë, dorëhiqu nëse ke dinjitet


Ora 16:40- Kreu i Aleancës Kuq e Zi, Kreshnik Spahiu, ka tentuar të vizitojë grevistët e urisë, por nuk është lejuar nga forcat e shumta policore që ndodhen pranë tendave. Në një prononcim për mediat Kreu i AK-së, e ka akuzuar drejtpërdrejt Kryeministrin Berisha se po sillet në mënyrë çnjerëzore me këta njerëz, ndërsa i bëri thirrje të japë dorëheqjen. “Diplomatët e huaj i kanë bërë thirrje të dialogojë, po e vënë në provë nëse është burrë shteti apo burracak, dhe nëse është burrë shteti ai duhet të dorëhiqet. Dorëhiqu nëse ke dinjitet”, tha Spahiu, i cili e ka cilësuar si arbitrar vendimin e djeshëm të gjykatës së Tiranës për shpalljen si të paligjshme të grevës së urisë.


Ndërkohë AK përmes një deklarate për shtyp ka njoftuar aderimin e Shpëtim Karamuça në radhët e Aleancës Kuq e Zi si Sekretar për çështjen e Ish-të Burgosurve Politikë. Karamuça ka qenë një ndër iniciatorët e grevës së urisë, por ka dal për shkak të problemeve shëndetësore që la shfaqur.


15:40-Ambasadorja gjermane: Qeveria të ulet dhe të dialogojë me grevistët


Ambasadorja gjermane në Shqipëri, Carola Müller-Holtkemper ka kërkuar nga qeveria shqiptare gjetjen e një zgjidhjeje për grevën e ish-të përndjekurve politikë. Ajo ka apeluar për nisjen e dialogut dhe gjetjen e zgjidhjes së kërkesave të tyre.


“Ish-të dënuarit politikë kanë vuajtur shumë në kohën e komunizmit dhe tashmë ka ardhur koha që ata të dëgjohen dhe të marrin atë që u takon. Qeveria shqiptare, më e pakta që duhet të bëj për ta, është të ulet dhe të dialogojë me ta. Edhe në Gjermani e kemi kaluar këtë situatë, kemi pasur të persekutuar dhe të dënuar nga regjimi, e njoh si situatë, por u kemi dhënë zgjidhjen që u takon”, ka deklaruar për “Shqip” ambasadorja gjermane, e cila ndodhet në Pogradec për të inspektuar realizimin e disa projekteve për ujësjellësin, fond i qeverisë gjermane.


Greva e urisë, Wollfarth: Demokracia kërkon dialog, gjeni rrugën për të ecur përpara


Protesta e ish-të përndjekurve politikë para parlamentit u përshëndet nga kryetari i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, Eugen Wollfarth, i cili theksoi se duhet t’i kushtohet vëmendje çështjes së ish të përndjekurve politikë si dhe ka kërkuar dialog për zgjidhjen e situatës së krijuar me ish të përndjekurit politikë.


“Demokracia kërkon dialog. Ashpërsimi i mëtejshëm i deklaratave politike publike vetëm sa acaron një situatë tashmë të tensionuar. Prandaj, unë i nxis të gjitha palët, përfshirë shoqërinë civile, të angazhohen në një diskutim të sinqertë, me qëllim gjetjen e një rruge konstruktive për të ecur përpara”, – thekson Wollfarth.


Ambasadori i OSBE-së e ka vlerësuar protestën që zhvilluan sot, përpara Kuvendit të Shqipërisë, një grup ish të përndjekurish politikë, si paqësore dhe qytetare.


“E drejta për të zhvilluar protesta paqësore është thelbësore në qeverisjen demokratike. Unë i përgëzoj të gjithë ata që u përfshinë në manifestimin e sotëm, si protestuesit, ashtu edhe punonjësit e policisë, për sigurimin e një atmosfere konstruktive”, – theksoi më tej Wollfarth.


 Arrestohet për mashtrim koordinatori i grevës së ish të përndjekurve, Asllan Patrioti


Në orët e vona të mbrëmjes së djeshme policia ka shoqëruar në komisariat koordinatorin e grevës së urisë të ish-të përndjekurve politikë që sot hyn në ditën e 27.


Asllan Patrioti u mor nga policia rreth orës 2:001 të së mërkurës, ndërsa vetëm gjatë ditës së sotme janë zbardhur shkaqet e arrestimit të tij, të cilat sipas policisë nuk kanë lidhje me grevën.


Polica njoftoi se Patrioti është vënë në pranga me akuzën mashtrimit. Sipas saj, Patrioti,ka vjedhur me anë të mashtrimit një shtetas italian të cilit i ka marrë  700 euro pasi i premtoi se do t’i nxirrte automjetin e tij nga komisariati.


Burime zyrtare të policisë së Tiranës bënë të ditur se në muajin qershor 2012, shtetasi italian M.N denoncoi vjedhjen e automjetit te tij personal, i cili pas pak ditësh u gjet dhe iu kthye pronarit nga strukturat e policisë së komisariatit të policisë Nr.4 Tiranë.

‘Ndërkohë që shtetasi italian prej kohësh, pas gjetjes se automjetit të vjedhur, ishte nën presionin e shtetasit Asllan Patrioti për t’u paguar, pasi pretendonte se kishte ndikuar për gjetjen e automjetit të vjedhur’, tha policia.


18 tetor 2012 (gazeta-Shqip.com)