Pronarët – Shehi është i qëndrimit se as ish-pronarët nuk mund të konsiderohen një “levë elektorale” në vend, pavarësisht përpjekjeve në këtë drejtim


Skemat – Për zgjidhjen e çështjes së të përndjekurve politikë, kreu i LZHK-së theksoi se duhet të rivendosen në funksion skemat e ndërtuara që në fillim të viteve ‘90


Bashkimi – Sipas Shehit, ajo që ka rëndësi në këtë 100-vjetor të vendit është që shqiptarët të ndihen të bashkuar dhe të reflektojnë


Kreu i LZHK-së kërkon negociata nga qeveria


Fatjona Mejdini


Dashamir ShehiKryetari i Lëvizjes për Zhvillim Kombëtar, Dashamir Shehi, deklaron se përfaqësues të qeverisë duhet të ulen për të diskutuar me të përndjekurit politikë, për t’i dhënë fund një greve që ka degraduar në situata ekstreme. Në një intervistë për “Shqip”, Shehi, si një nga përfaqësuesit e spikatur të së djathtës shqiptare, e konsideron grevën e ish të përndjekurve si ekonomike dhe thekson se do të ishte shumë logjike që të kishte dhe element politik. Ai thekson, se sot, të përndjekurit nuk kanë peshë elektorale, por përbëjnë një çështje juridike, ekonomike dhe humanitare. Shehi flet edhe për procesin e integrimit në Shqipëri dhe atë të rishikimit të historisë.


Z. Shehi, si e shikoni ecurinë e grevës së urisë të të përndjekurve politikë, kur po kalon një muaj nga nisja e saj? Si i gjykoni kërkesat e të përndjekurve dhe qëndrimin e qeverisë ndaj tyre?


Gjykoj që, fatkeqësisht, kjo është një grevë e cila ka marrë dhe trajtën tragjike me vetëdjegien e dy anëtarëve të saj. Personalisht nuk më ka shkuar kurrë mendja që niveli i protestës në Shqipëri të mbërrijë në këtë nivel. Unë do të kisha protestuar në një mënyrë tjetër dhe sigurisht, nuk e aprovoj këtë rrugë ekstreme, e cila nuk është as pjesë e mentalitetit shqiptar. Megjithatë, gjykoj se qeveria ka pjesën e saj të mëkatit në këtë mes. Kjo, nisur nga fakti se janë bërë vite që nuk ofrohet një skemë për ta mbyllur këtë barrë në kurriz. Në Shqipëri, skema të gatshme ka pasur prej vitesh, mbi mënyrat sesi mund të paguhej dhe si mund të thjeshtoheshin pagesat dhe si mund të zgjatej në kohë për ta bërë të suportueshme nga ana financiare. Them që dhe sot, po të ulet dhe të ketë bashkëbisedim, jo thjesht me këta 15 grevistë, por me këtë kategori, mund të gjendet një zgjidhje oportune. Mendoj se këtu duhet bërë një marrëveshje principi, që qeveria duhet t’i kthehet problemit të të përndjekurve politikë, pagesës së tyre, por edhe momenteve të tjera të procesit të integrimit të tyre. Sepse kjo është një temë e cila nuk po mbyllet as tani që kanë kaluar 22 vjet. Mendoj se kjo grevë duhet të marrë fund, për t’u hapur një faqe tjetër e marrëdhënieve të qeverisë me këtë shtresë. Por me keqardhje mund të them që jam i sigurt që problemi do të zgjatet dhe shumë vite të tjera, për pamundësitë që ka shteti shqiptar. Por do të sugjeroja, ashtu siç e kemi menduar dhe vite më parë, që për ata të cilët janë mosha të vjetra, pagesat mund të bëhen me shpejtësi. Pastaj për ata që janë më të rinj, afati mund të zgjatet. Pra brenda së njëjtës sasi që do të shpenzojë shteti shqiptar, po të gjenden skema efikase, problemi do të jetë më i lehtë për t’u zgjidhur. Në qoftë se ne do ta lëmë këtë situatë të mahiset, gjykoj se e gjithë Shqipëria humb në këtë mes. Humb në imazh ndërkombëtar fillimisht, sepse siç po e shikojmë, për këtë situatë kanë reaguar dhe ambasadorët e huaj. Humb pikë dhe përpara organizatave ndërkombëtare, të cilat nuk mund ta kuptojnë skemën shqiptare. Por dhe shoqëria shqiptare humb shumë, sepse në këtë situatë kemi të gjithë përgjegjësitë tona morale dhe politike. Për sa i përket grevës, nëse është politike apo ekonomike, unë e shoh si ekonomike. Madje gjykoj që dinjiteti i të përndjekurve është që të merren pak me politikë, të thonë ndonjë fjalë politike. Sepse po qe se kanë dalë thjesht për lëmoshë ekonomike, gjykoj që kjo nuk është ndonjë lavdi e madhe, duke pasur parasysh formën tragjike që po merr situata.


Mendoni se me këtë grevë, PD si një parti tradicionale e shtresës së djathtë po humb kredibilitet, i përkthyer në kosto elektorale dhe disa parti të tjera të djathta si FRD po marrin “terren”?


Kush mundohet ta shfrytëzojë politikisht këtë grevë bën gabim, sepse tema është shumë më e gjerë se ka kaq dhe për faktin se u bënë 22 vjet demokraci dhe për mua, ky problem kërkon minimalisht dhe një dekadë tjetër për t’u zgjidhur. Kështu që kush mendon se mund të nxjerrë ndonjë përfitim të shpejtë imediat nga kjo çështje, nuk mund të nxjerrë dot asgjë. Kjo çështje do të zgjidhet, sepse është në moralin e shoqërive moderne, të rikuperojnë gabimet e bëra nga brezat e mëparshëm. Nga pikëpamja elektorale, mendoj se të përndjekurit janë shpërndarë në kaq shumë kampe, në kaq shumë parti të ndryshme sa efekti elektoral i tyre, gati-gati nuk ndihet më. Më vjen keq që e them këtë konkluzion, por prej vitesh i kam mëshuar tezës së të përndjekurve dhe pronarëve, por realiteti elektoral është krejt ndryshe. Kjo sepse, fatkeqësisht, në Shqipëri numrat elektoralë lëvizin nga një logjikë tjetër, do të ishte shumë më mirë nëse do të lëviznin nga ky sens moral, por kjo nuk ndodh në realitet. Për vite me radhë, ne kemi pretenduar se çështja e së drejtës së pronës do të ishte levë elektorale, por kjo nuk ka ndodhur këtu. Grabitësit e pronave janë shumë më tepër se ata që i kanë humbur pronat dhe në beteja elektorale ne e dimë që fiton gjithmonë i “keqi”. Kështu që të përndjekurit nuk mund të konsiderohen më si faktor elektoral në vend. Kjo çështje duhet të trajtohet si një dramë shoqërore, e cila nuk po merr zgjidhje nga shteti shqiptar. Kjo çështje duhet të shikohet në rrafshin juridik dhe pastaj duhet të lidhet me mundësitë financiare të vendit. Sepse dhe një ekzagjerim në vlerë, do të bëjë që prapë të hidhet baltë në këtë kategori dhe ata që kurrë nuk kanë ndjerë asnjë dhimbje për këtë shtresë, pra do të thonë që këta kanë marrë paratë e shkollave dhe të rrugëve që mund të ndërtoheshin në vend.


Pak ditë më parë, Shqipërisë iu rekomandua statusi i vendit kandidat nga KE në rast se deri në dhjetor do të plotësoheshin disa kushte. A mendoni se ky zhvillim mund të konsiderohet një sukses?


E gjykoj që vendimi i pak ditëve më parë, hoqi një pengesë të radhës për t’iu afruar portës. Nëse ne do bëjmë “urra” sikur kemi arritur një gjë të madhe, mund të them se realisht nuk është arritur kushedi çfarë, sepse fqinjët tanë e kanë kaluar këtë etapë shumë kohë përpara, pa diskutuar lindjen e Europës, ku të gjitha vendet janë anëtare me të drejta të plota në Bashkimin Europian. Ne jemi ende te dera dhe që ajo të hapet do të duhen edhe nja shtatë vjet. Dhe siç shihet, përsëri pengesa është kaluar me kushte, që nisin tani dhe përfundojnë në qershorin tjetër kur janë dhe zgjedhjet. Por ajo që në thelb duhet të kuptojmë, është që këto reforma duhet të bëhen për Shqipërinë, për të ardhmen e këtij shteti dhe jo ky është obligim nga BE. Një vend si Shqipëria, që ka kaluar nga feudalizmi klasik tek ai komunist, do t’i duhen dhe shumë reforma të tjera për të arritur të jetë pjesë e vendeve të zhvilluara të Europës.


Shqipëria është duke festuar 100-vjetorin e krijimit të shtetit dhe duket se një sërë vendimesh nga qeveria janë marrë në favor të “rivlerësimit” të figurës së Ahmet Zogut. Si e gjykoni këtë fakt?


100-vjetori është një datë e rëndësishme për të reflektuar mbi historinë tonë dhe se vitin tjetër, fillon prapë një vit i vështirë pune dhe i lodhshëm dhe duhet ta shfrytëzojmë këtë kohë për të hapur faqe të mbyllura të historisë sonë. Njëri prej këtyre rasteve është dhe Zogu. Gjykoj se pasi është hedhur 50 vjet baltë mbi Zogun, ajo çfarë bëhet sot është vetëm pastrimi i një krahu ose i gjysmës së fytyrës. Kjo është pozitive, por përveç Zogut, ka ardhur momenti që dhe figura të tjera të historisë së vendit të shihen me qetësinë e duhur. Do të uroja që ky 100-vjetor të ishte një festë, ku shqiptarët të bashkohen sa më shumë të munden, për të mos përsëritur përvojat e hidhura ku shkrimi i shtrembër i historisë i ka ndarë ata.


 


Detajet


Principi – Dashamir Shehi thekson se çështja e të përndjekurve duhet të vlerësohet në princip, si një detyrim i shoqërisë ndaj fajeve të brezave


Statusi – Sipas Shehit, Shqipëria nuk duhet të kalojë në eufori për sa i përket marrjes së statusit, sepse përpara ka shumë rrugë


Zogu – Kreu i LZHK-së thekson se rivlerësimi i figurës së Zogut duhet të vijojë, sepse kjo figurë ka ende mbi vete baltën që u hodh për 50 vjet


Parashikimi  – Kreu i LZHK-së thekson se do të duhet minimalisht dhe një dekadë që çështja e të përndjekurve të marrë fund dhe zgjidhje.