Partia Demokratike ka vijuar akuzat ndaj ish-të përndjekurve politik të ngujuar në grevë urie që prej 27 ditësh dhe kryesocialistit Edi Rama. Sipas zëdhënëses së selisë blu, koordinatori i grevistëve,Asllan Patrioti është mashtrues dhe rryshfetxhi.


“Konkretizimi i motos së kryetarit të Partisë Socialiste Edi Rama ‘Të bashkohemi me të gjitha fundërrinat për të përmbysur mazhorancën aktuale’ pas aleancës me trafikantin Skënder Tufa, pati një dëshmi tjetër tronditëse. Prokuroria e Shtetit arrestoi mbrëmë koordinatorin tjetër të Edi Ramës për grevën e tij private të paligjshme, Asllan Patrioti, pasi ishte i filmuar si gjobvënës, mashtrues e ryshfetxhi.


Partia Demokratike denoncon para opinionit publik Edi Ramën dhe aleancën e tij publike me trafikantë dhe kriminelë ordinerë si një fyerje dhe poshtërim për forcën e tij politike dhe mbështetësit e saj të ndershëm kudo në Shqipëri”, ka deklaruar Silvi Bardhi, zëdhënësja e PD-së.


Sipas saj në krye të grevës Edi Rama ka vendosur persona: “ordinerë të inkriminuar me qëllimin më djallëzor dhe të ligë, personifikimin me ta të martirëve të gjallë të kalvarit të etërve hoxhistë të Edi Ramës”. Partia Demokratike ka bërë sërish apel familjarëve të grevistëve, të mos pranojnë që njerëzit e tyre të shfrytëzohen dhe keqpërdoren.


18 tetor 2012 (gazeta-Shqip.com)