Bujqësia


Subvencion për fermerët që kanë tufa dhensh e dhish


Në fillim të vitit të ardhshëm do të aplikohet një skemë e re për subvencionimin e fermerëve që do të mbarështojnë racat më cilësore të dhenve dhe dhive. Ministri i Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit ka bërë me dije se skema e re që për nga rëndësia ekonomike mund të krahasohet me atë të arrorëve dhe ullirit, do të subvencionojë fermerët që kanë racat cilësore. Ministri Genc Ruli tha se baza shkencore, financiare dhe teknike është tashmë gati dhe ftoi fermerët që të bëhen pjesë e kësaj skeme që, sipas tij, sjell vetëm përfitime. “Skema jonë do të synojë që të kemi subvencione me bonuse, subvencione suplementare ndaj atyre që kemi aplikuar deri më sot për tufat e dhenve dhe dhive me mbi 100 krerë. Ne do të synojmë që të subvencionojmë dhe tufa më të vogla, por subvencion më të madh për kokë në rast se janë të racave më të mira”, tha ministri Ruli.


 


Lezhë, nxirren jashtë punonjësit e ndërmarrjes. Nikël, bllokojnë aksin Tiranë – Fushë-Krujë


Ndërprerjet e energjisë, banorët bllokojnë rrugët, protestë para CEZ


Banorë të qyteteve dhe fshatrave në vend kanë nisur protestat për kufizimet dhe ndërprerjet e energjisë elektrike. Banorët e Lezhës dhe Niklës kanë protestuar dje, duke bllokuar akset rrugore apo duke u grumbulluar pranë zyrave të CEZ-it për kufizimet e rrymës elektrike.


Dje, banorët e Komunës Kolsh në Lezhë u rikthehen protestave për mungesë të energjisë elektrike, pasi situata nuk është përmirësuar. Në mesditë, banorët e Komunës Kolsh i janë drejtuar zyrës së CEZ në ndërmarrjen elektrike dhe të ujësjellësit, duke nxjerrë jashtë të gjithë punonjësit dhe duke sjellë edhe pezullim të punës. Ndërkohë, vetëm pak kohë më parë, banorët e Kolshit kanë pezulluar aksin nacional Shkodër-Tiranë në shenjë proteste për mungesën e energjisë elektrike. CEZ, në një reagim, thekson se 80% e banorëve të dy fshatrave të kësaj komune janë debitorë, ndaj për këtë arsye kompania ka marrë vendimin e ndërprerjes së energjisë.


Katër ditë pas protestës së parë, qindra banorë të Niklës kanë bllokuar aksin rrugor Tiranë – Fushë-Krujë në shenjë proteste ndaj mungesës së energjisë elektrike. Për disa orë rresht, banorët kanë bllokuar qarkullimin e automjeteve, duke krijuar trafik, radhë të gjata automjetesh. Protestuesit kanë deklaruar se do të vijojnë protestat e tyre ndaj CEZ Shpërndarjes, pasi kjo kompani bën ndërprerje masive, ndëshkime kolektive, duke lënë pa energji edhe konsumatorët e rregullt në zonë. Situata është rënduar keqas dhe është dashur ndërhyrja e autoriteteve shtetërore pranë kompanisë për të zhbllokuar situatën dhe rikthyer energjinë. Informacioni i marrë përmes thirrjeve telefonike ka çuar në shpërndarjen e protestuesve, ndërsa CEZ ka deklaruar se konsumatorët e Niklës kanë mbledhur një borxh prej 92 milionë lekësh, si rezultat i mospagesës së faturave të energjisë së konsumuar. Ndërkaq, për protestën e ditës së shtunë, Policia e Krujës ka nisur procedimin penal ndaj 4 banorëve të Niklës, të cilët akuzohen se kanë organizuar protestën e paligjshme, duke shkaktuar për një orë e gjysmë pengimin e qarkullimit të mjeteve të transportit.


 


Përmbytja e Nënshkodrës


Banorët e Obotit ende pa dëmshpërblim, paralajmërohen protesta


Në një kohë kur po bëhen dy vite që kanë kaluar nga përmbytja masive e ndodhur në Nënshkodër, banorët e kësaj zone kanë reaguar duke i bërë thirrje qeverisë që të dëmshpërblejë banorët nga dëmet e përmbytjes së fundit të vitit 2010. Konkretisht janë banorët e Obotit të Komunës Ana e Malit që jetojnë buzë lumit Buna zona më e prekur nga përmbytja, të cilët kanë ngritur zërin për dëmshpërblimin që u është premtuar se do të marrin. Banorët e Obotit shprehen se dëmi që la pas përmbytja e 2010-s ka qenë fatal për shumë familje, të cilat ende nuk janë rikuperuar nga dëmi i bërë dhe presin që të marrin dëmshpërblimin për të rifilluar jetën.


Banorët e Obotit kanë kërcënuar se nëse nuk do të marrin dëmshpërblim, do të përshkallëzojnë veprimet e tyre në respektim me ligjin deri sa të merren paratë e premtuara për dëmin që u është bërë.