Pas diskutimesh të gjata dhe debatesh mes pozitës dhe opozitës, Kuvendi i Shqipërisë ka miratuar me vetëm 69 vota pro Projektligjin për buxhetin faktik për vitin 2011. Kreu i grupit kuvendosh socialist Gramoz Ruçi, e ka cilësuar aktin normativ të rrëzuar, pasi sipas tij duhen 71 vota pro për miratimin e aktit normativ për buxhetin faktik. Ndërkohë kryeparlamentarja Jozefina Topalli ka kundërshtuar duke pretenduar se votimi bazohet në rregullore.
“Faleminderit zoti Ruçi, votimi është në përputhje me rregulloren dhe ligjin, flisni kot”, ka përfunduar debatin kryeparlamentarja Toplali.
Sakaq Kuvendi miratoi me 69 vota pro dhe 53 kundër, aktin normativ të propozuar nga Ministria e Financave, që lidhet me detyrimet e papërmbushura që ndërmarrjet e ujësjellës-kanalizimeve dhe bashkitë e komunat për sistemet e pompimit kanë ndaj shoqërisë “CEZ”. Akti i qeverisë propozon, që këto detyrime të zbriten nga transferta e pakushtëzuar e njësisë së qeverisjes vendore dhe të destinohen për shlyerjen e detyrimeve elektrike ndaj CEZ.
Opozita e kundërshtoi aktin duke theksuar se kjo ka pasojë, e para që CEZ-i merr lekë në llogaritë e veta dhe e dyta njësitë vendore kolapsohen në shumicën e territorit të Republikës së Shqipërisë. Më herët Kuvendi ratifikoi me 121 vota pro, asnjë kundër, marrëveshjen me Austrinë për ekspozimin për herë të parë në Shqipëri të përkrenares dhe shpatës së Heroit tonë Kombëtar, Gjergj Kastriot Skënderbeu. Ratifikimi i hap rrugë ardhjes dhe ekspozimit për herë të parë të përkrenares dhe shpatës së Skënderbeut, të cilat gjenden në Muzeun Historik të Vjenës.
18 tetor 2012 (gazeta-Shqip.com)