Komisioni i jashtëm i Parlamentit Europian miraton rekomandimin e Komisionit Europian për dhënien e statusit kandidat për Shqipërinë. Lajmi u bë i ditur në Kuvend nga kryetarja Jozefina Topalli, gjatë seancës së sotme plenare, cila deklaroi se deputetët e PE votuan në unanimitet të plotë rekomandimet KE për dhënien e statusit të vendit kandidat vendit tonë.


Më tej Topalli i bëri thirrje palëve politike që të votojnë 3 ligjet e rëndësishme, të cilat janë në rendin e ditës të punimeve të sotme të kuvendit, që përbëjnë edhe kushte  e vëna nga Brukseli për të kaluar në hapin tjetër, të statusit të vendit kandidat.


“Si shqiptare, si kryetare e parlamentit, ju ftoj që t’i votojmë këto kushte si detyrim, natyrisht edhe në kuadrin e 100-vjetorit të vendit. Me shumë përulësi dhe njerzillëk ju ftojmë që të votojmë këto kushte që ka vendosur Brukseli ndaj parlamentit. Do të ishte non sens që Parlamenti Europian rekomandon dhënien e statusit kandidat dhe opozita shqiptare e bllokon”, – deklaroi Topalli.


Rezoluta PE, e hartuar nga eurodeputeti Nikolaos Chountis i bën thirrje forcave politike në Shqipëri të forcojnë dialogun e bashkëpunimin për të arritur rezultate konkrete në reformat e kërkuar nga ana e KE. Gjithashtu, bëhet thirrje për konsolidimin e mëtejshëm të demokracisë dhe forcimin e të drejtave të njeriut, ndërsa kërkohet vazhdimi i reformës në sistemin gjyqësor.


“PE i bën thirrje forcave politike të përmbushin reformën e mbetur mbi Rregulloren e Parlamentit, të përforcojnë më shumë rolin mbikëqyrës të Kuvendit, të përmirësojnë përgatitjen e ligjeve dhe të përforcojnë konsultimet me shoqërinë civile, sindikatat dhe organizatat e ndryshme shoqërore”, – theksohet në rezolutë.


Në rezolutë vijohet me një sërë kërkesash ndaj qeverisë, si shmangia e politizimit të administratës, lufta ndaj korrupsionit, siguria e lirisë së medias etj., parakushte për të kaluar në marrjen e statusit.


18 tetor 2012 (gazeta-Shqip.com)