Mes plaçkës së grabitjes qenë edhe piktura të Picasso dhe Gauguin


Me një shpejtësi dhe shije të jashtëzakonshme, disa hajdutë ia dolën të grabisin një muze arti në Holandë, i cili po festonte ditëlindjen e njëzetë dhe u larguan prej aty me shtatë kryevepra, përfshirë piktura shumë të shtrenjta nga Picasso, Monet, Gauguin, Matisse dhe Lucian Freud.


Muzeu Kunsthal në Roterdam, ku po shfaqej një koleksion privat nën pronësinë e Fondacionit Triton, u mbyll për vizitorët pas vjedhjes, por hapësirat bosh të lëna pas qenë të dukshme për fotografët nga dritaret në ndërtesën moderne. Vjedhja ishte alarmi më i fundit mbi sigurinë e dobët të muzeve në Europë, të cilat tashmë janë objektivat kryesore të hajdutëve. Në vitin 2010, pesë piktura, përfshirë edhe një Picasso dhe një Matisse, me vlerë të përbashkët mbi 100 milionë euro, u vodhën nga Muzeu i Artit Modern në Paris. Ato nuk janë gjetur ende.



Vjedhja ndodhi rreth orës 3:00 të mëngjesit. Policia filloi hetimin duke analizuar videot e mbikëqyrjes për të gjetur indicie për vjedhjen. Hyrja e hajdutëve pati shkaktuar rënien e alarmit te një agjenci sigurie, por në kohën kur policia arriti, hajdutët qenë zhdukur bashkë me pikturat. Veprat e artit, pjesë e një koleksioni të krijuar nga investitori holandez Willem Cordia, i cili vdiq në vitin 2011, po shfaqeshin për herë të parë në publik te muzeu që nuk disponon një koleksion të vetin.


Tablotë e vjedhura janë krijuar përgjatë tri shekujve. Vepra “Autoportret” nga Meyer de Haan e vitit 1890, “Vajza përballë dritares së hapur” nga Gauguin e vitit 1898, “Ura Vaterlo, Londër” dhe “Ura Charing, Londër” nga Monet, që të dyja vepra të vitit 1901. Nga Mattisse u vodh vepra “Vajza që po lexon në të bardhë dhe të verdhë” e vitit 1919, ndërsa nga Picasso u vodh “Kokëlaramani” e vitit 1971. Vepra e fundit i përkiste piktorit bashkëkohor Freud “Gruaja me Sytë e Mbyllura”, e cila është realizuar në vitin 2002.


Vjedhja konsiderohet si shumë mirë e menduar, e konceptuar me zgjuarsi dhe u ekzekutua me shpejtësi, gjë që nënkupton se është vepër e profesionistëve. Ky është opinioni i Charles Hill, një detektiv arti nga Britania, i cili ka arritur të gjejë një version të kryeveprës “Britma” nga Edvard Munch, e cila ishte vjedhur në Oslo më 1994. Eksperti është habitur edhe nga volumi i pazakontë i vjedhjes. “Hajduti ka shumë gjasa që të ketë një borxh të madh për të shlyer”, shton ai.


Një ekspert tjetër sugjeroi se vjedhja duhet të ketë qenë një punë e porositur, pasi duket se veprat janë përzgjedhur me kujdes paraprakisht.


Policia mbërriti në muze brenda pesë minutash nga rënia e alarmit, por kjo nuk ishte e mjaftueshme. Veprat nuk kanë një vlerësim paraprak, por ekspertët besojnë se vlera e tyre e përbashkët mund të arrijë në dhjetëra milionë euro. Por problemi për vjedhësit duket se është vështirësia që haset për të shitur vepra të mirënjohura.