Seancë maratonë në Kuvend për draftin që i heq 14 milionë USD pushtetit vendor
BLEDAR HOTI
Akti normativ i qeverisë, që i heq 14 milionë dollarë amerikanë bashkive dhe komunave për të paguar detyrimet që ndërmarrjet e ujësjellësit kanë ndaj CEZ-it kalon vetëm me 69 vota në Kuvend. Në momentin kur është votuar për aktin normativ “Për ndryshimet në buxhetin e vitit 2012”, deputetët e PS-së kanë hequr të gjitha kartat e tyre të votimit, duke mbetur në sallë vetëm kartonët e mazhorancës. Menjëherë pas procesit e mori fjalën kreu i grupit të PS-së, Gramoz Ruçi, i cili e cilësoi votimin e pavlefshëm, pasi mungonte kuorumi i nevojshëm. “Mbyllët një vendim në kundërshtim me Rregulloren. Akti normativ u rrëzua”, tha Ruçi. Por Kryeparlamentarja me ironi iu përgjigj: “Kur dhe pse?”. “Sepse mori 69 vota, në prezencën e deputetëve, duhen 71. Unë u ngrita të të evidentoj shkeljet dhe jo të ta kthej mendjen ty. Ka një interpretim, Gjykata Kushtetuese zonjë, të thotë se duhen 71 vota në kalimin e një ligji”, replikoi Ruçi. Ndërsa Topalli theksoi “edhe 36 vota pro më mjaftojnë. Votimi është në përputhje me Rregulloren dhe ligjin, flisni kot”.
Bode shpall divorcin me CEZ-in
Qeveria dha dje nëpërmjet ministrit të Financave, Ridvan Bode, sinjalet për prishjen e kontratës me kompaninë CEZ. “Ne nuk mund të presim gjyqet mes KESH dhe CEZ për borxhet. Prandaj ne jemi në negociata me Bankën Botërore për një kredi afatgjatë deri në 100 milionë USD për KESH me qëllim importimin e energjisë. Ne nuk mund ta lëmë vendin pa energji popullsinë dhe pa balancuar humbjet. Enti Rregullator, që është autoriteti i Kuvendit, ka nisur procedurat për heqjen e licencës. Nga ana tjetër, qeveria po bën të pamundurën për të garantuar furnizimin e pandërprerë me energji në të gjithë vendin”, deklaroi Bode në Kuvend. Ministri i Financave, më pas kërcënoi bashkitë e komunat, duke theksuar se nëse nuk paguhen deri në fund të vitit, atëherë paratë do të mbahen në vitin e ardhshëm, gjatë hartimit të buxhetit të ardhshëm. Partia Socialiste ka protestuar ndaj një akti të tillë duke e cilësuar si antikushtetues, pasi prek autonominë e pushtetit vendor. Deputeti i PS-së, Erion Braçe, u shpreh se e gjithë situata ka ardhur nga borxhet e mëdha që CEZ Shpërndarje ka dhe se kjo që po i merret pushtetit vendor është thjesht një thërrime e 100 milionë USD që kompania çeke i ka KESH-it. Ai akuzoi CEZ-in se po i rrit shpenzimet artificialisht duke i kaluar nga qendra te CEZ Shpërndarje, duke aluduar për një skemë mashtrimi. Ministri Sokol Olldashi, ndryshe nga deputetët e PD-së, deklaroi se debati në Kuvend nuk ka lidhje me gjendjen e situatës energjetike, por me mospagesat e faturave nga ujësjellësit që janë në varësi të bashkive dhe komunat. “Opozita duhet të vijë këtu me një alternativë, jo me raporte. Nuk jam dakord me deputetin Sherefedin Shehu, se merret me raportet, por duhet të jepen zgjidhje konkrete nga opozita. Ne kemi paguar 8 miliardë lekë për të shlyer detyrimet që ujësjellësit kishin ndaj CEZ”. Deputeti i PS-së, Bashkim Fino, u shpreh se “nuk e kuptoj një akt të tillë, qeveria mund të kishte bërë një ligj të posaçëm. Ju s’keni të drejtë t’ia merrni fondet bashkive dhe komunave tani në fund të vitit, pasi do t’i penalizoni ato në moskryerjen e investimeve dhe në plotësimin e nevojave dhe shërbimeve”. Deputeti i PS-së, Arben Ahmetaj, akuzoi ministrin Bode për futjen në krizë të sistemit energjetik në Shqipëri. “Jo zoti ministër, fajin nuk e ka CEZ-i, por ti, ministri i Ekonomisë, apo dhe Kryeministri që gënjen. Ju keni dështuar në të gjitha, në modelin e paraqitur, anën financiare, anën teknike dhe mbi të gjitha për shkak të dështimit, fatura e shqiptarëve është e lartë për shkak të qeverisë, që tashmë po grabit edhe paratë e pushtetit vendor”, akuzoi Ahmetaj.
10 orë – Seanca e djeshme kuvendore ka zgjatur mbi 10 orë. Ajo nisi në orën 10:30 dhe mbaroi në orën 20:15. Debatet e shumta ishin për aktin normativ dhe buxhetin faktik
Berisha – Në seancë munguan Kryeministri Berisha, kreu i LSI-së, Meta, kreu i PDIU-së, Shpëtim Idrizi, Lefter Koka i LSI-së. PS nuk arriti të shfrytëzonte në maksimum situatën
23 diskutantë – Vetëm për aktin normativ ishin të listuar për të diskutuar 23 deputetë të Kuvendit, të mazhorancës dhe opozitës. Këtu pa përfshirë ndërhyrjet e ministrave