Bukuresht
Kreu i PD-së flet në takimin e partive të djathta europiane: Do të jetë fushatë e qetë
Kryeministri Sali Berisha, gjatë pjesëmarrjes dje në Kongresin e Partisë Popullore Europiane, shprehu bindjen e plotë se PD do të fitonte një mandat të tretë qeverisës gjatë zgjedhjeve parlamentare të qershorit të ardhshëm. Këtë bindje, kreu i qeverisë e shprehu në fjalën që mbajti përpara përfaqësuesve të PPE-së. Duke iu drejtuar anëtarëve të këtij forumi të përbërë nga kryeministra europianë dhe drejtues të partive popullore në kontinent, Berisha deklaroi se ai priste mbështetjen e tyre përgjatë çeljes së fushatës së ardhshme të PD-së. “Vitin e ardhshëm, Shqipëria do të ketë zgjedhjet dhe unë e ndjej në ajër se votuesit janë shumë të kënaqur me arritjet dhe ato që PD-ja ka bërë. Unë ju ftoj të vini sërish në vendin tim dhe të hapni fushatën elektorale, e cila do të jetë një nga më të bukurat, një fushatë e qetë, një fushatë që do t’i bindë shqiptarët për program e ri të EPP-së, i mishëruar tërësisht në programin e Partisë Demokratike”, shprehu bindjen Berisha. Ai po ashtu theksoi se Shqipëria kishte bërë shumë përparime në fushën ekonomike dhe sociale, por për të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor, ishte e nevojshme që të afroheshin sa më shumë me Europën. “Unë ndaj të njëjtin mendim me ju, që motoja ‘Më shumë Europë’ është vitale për vendet tona. Së pari, ne po përballemi me probleme të mëdha për sa i përket problemeve të Euros dhe krizës së Eurozonës. Ne nuk jemi vend i Eurozonës, por sistemi ynë bankar vjen tërësisht nga vendet e Zonës së Euros. Ndaj unë do të vlerësoja shumë një interes më të madh për të tamponuar pasojat e krizës së Euros në vendet tona. Së dyti, Ballkani Perëndimor ka nevojë për më shumë Europë, sepse është fakt se gjatë 2-3 viteve të fundit, për shkak të disa çështjeve specifike për t’u zgjidhur, procesi është në vështirësi reale”, deklaroi Berisha, duke i mëshuar idesë se Europa duhet të ndiqte politika më të hapura për Ballkanin Perëndimor. “Bashkimi Europian ka potencialin e saj dhe shpresoj se është në interesin më të mirë të rajonit, që BE ta mbajë në fokus rajonin tonë”, theksoi Berisha.
Ekonomia – Kryeministri Berisha deklaroi dje se Shqipëria ka një rritje ekonomike 4 herë më të lartë se vendet e tjera të rajonit ballkanik
Taksa – Berisha deklaroi dje se vendosja e taksës së sheshtë me 10 për qind bëri që vendi ynë të jetë tërheqës për investimet e huaja
Nacionalizimi – Sipas Berishës, në rast se Europa nuk do të fokusohej te Ballkani Perëndimor, atëherë boshllëku mund të zëvendësohej nga nacionalizimi
Siria – Kreu i qeverisë shqiptare shprehu dje shqetësim, sepse sipas tij një pjesë e vendeve të lira nuk po ndërhyjnë për t’u dhënë fund masakrave në Siri
Ftesa
Kryeministri takon Merkel në ambientet e konferencës
Kryeministri Berisha, sipas zyrës së shtypit të Kryeministrisë, pati një diskutim të shkurtër dje në Bukuresht me kancelaren e Republikës Federale Gjermane, Angela Merkel. Në njoftimin për shtyp theksohet se Berisha, pasi vlerësoi si një arritje të madhe për vendin propozimin e bërë nga Komisionit Europian për statusin e vendit kandidat, e siguroi Merkel për vendosmërinë e qeverisë së tij për të plotësuar në kohë kërkesat e fundit të Komisionit Europian për dhënien e statusit, në dhjetor të këtij viti. Kryeministri nënvizoi shkurtimisht situatën ekonomike, përballimin me sukses të krizës botërore dhe sfidat që përballon Shqipëria për shkak të saj. Sipas zyrës së shtypit të Kryeministrisë, Berisha përfitoi nga rasti për ta ftuar personalisht kancelaren Merkel për festimet e 100-vjetorit të pavarësisë. “Kancelarja gjermane e falënderoi Kryeministrin Berisha për ftesën dhe u shpreh se do shqyrtonte me interes propozimin për statusin dhe ftesën për të vizituar Shqipërinë”, theksohet në njoftim.
Ftesat
Nisur nga kremtimi që këtë vit Shqipëria do të bëjë në kuadër të 100-vjetorit të formimit të shtetit, Berisha ka ftuar shumë liderë botërorë për të qenë pjesë e festimeve
Bruksel
PE: Zgjedhjet, prova për statusin kandidat
Eurodeputetët kanë deklaruar dje se rezoluta e Parlamentit Europian për Shqipërinë, duhet të përcaktojë si kusht të rëndësishëm, zgjedhjet e vitit të ardhshëm. Grupimet e djathta e të majta politike, përveç vijimit të dialogut politik, theksuan rëndësinë e zgjedhjeve të ardhshme. Ndërsa liberalët u fokusuan, ndër të tjera, tek pandëshkueshmëria dhe respektimi i të drejtave të njeriut. Eduard Kukan, kreu i delegacionit për Ballkanin në Parlamentin Europian, theksoi : « Statusi kandidat për Shqipërinë është i arritshëm. Por, kjo varet shumë nga vullneti politik dhe nga një dialog i qëndrueshëm mes të gjitha palëve të spektrit politik. Të them se dua të jem optimist ndoshta është shumë, por unë do të kisha dëshirë të isha optimist në këtë kuadër dhe të shoh vijimin e progresit dhe normalizimin e plotë të jetës së brendshme politike në vend. Unë shpresoj gjithashtu se zgjedhjet e ardhshme nuk do ta vështirësojnë këtë progres”.