“Pas kurimit në spital, nuk na lejojnë të kthehemi te çadra”


Silvana Muça


Greva e urisë së ish të përndjekurve politikë ka hyrë në ditën e 28-të të sajë dhe në çadrat e izoluara nga policia, kanë mbetur vetëm 7 persona. Çdo ditë në emër të grevës, po ndodhin zhvillime të reja, gjithmonë në dëm të ish të përndjekurve politikë. Dalëngadalë, policia po shkreh grevën 28-ditorëshe, duke ndjekur një skemë aspak të dhunshme. Gjendja shëndetësore e grevistëve ka ardhur gjithnjë, duke u rënduar dhe si pasojë e kësaj kanë pasur nevojë për mjekim më të specializuar, duke iu drejtuar spitalit. Por 24 orë, pasi janë trajtuar dhe gjendja e tyre është përmirësuar, grevistët nuk janë lejuar nga uniformat blu, që të rikthehen sërish në grevat e urisë. Në një takim të shkurtër dhe të drejtpërdrejtë në ambientet e grevës, ish të përndjekurit politikë që kanë mbetur, thonë se duke nisur që prej ditës së sotme (djeshme), nuk do t’i drejtohen më spitalit, për mjekim më të specializuar, pavarësisht gjendjes së rënduar shëndetësore dhe psikologjike. Në raste të tilla, ata pranojnë që të marrin shërbim mjekësor, vetëm nga mjekët që janë stacionuar pranë çadrave, duke mos marrë parasysh as rrezikun për jetën. Në një gjendje të tillë, ndodhen tre grevistë, por pavarësisht kësaj, ata nuk kanë pranuar që të shkojnë në spital. Vllasi Koçi, Ramadan Spahiu dhe Agim Kollçaku, kanë nevojë për mjekim më të specializuar, por pavarësisht kësaj, ata nuk kanë pranuar që të largohen nga çadrat, sepse nuk kanë garanci për t’u rikthyer. Sipas tyre, largimi nga çadrat, do të thotë dorëzim para kauzës që po mbrojnë. Të gjithë nën një zë, kundërshtojnë vendimin e gjykatës për ndërprerjen e grevës, duke pranuar që të dalin nga atje, vetëm kufoma. Dy ditë më parë, grevistët hodhën “Shortin e vdekjes”, duke i thënë Kryeministrit Sali Berisha se do të vetëflijohen, në bazë të një shorti. Atij që do t’i binte letra me vrimë, kishte edhe radhën për të vdekur, ose mund të vdisnin të gjithë së bashku. Ndërsa një ditë më pas, grevistët janë më të rezervuar për shortin që shpallën publikisht. Ata nuk duan të thonë, nëse plani vetëvrasës, është ende në fuqi, apo nëse shorti është hedhur dhe emrin nuk duan ta bëjnë të ditur për të mos trembur familjarët e tyre, apo për të mbajtur larg vëmendjen e uniformave blu. Ata thjesht deklarojnë, që do t’i shkojnë deri në fund kësaj, greve, pa kursyer as jetën, nëse qeveria nuk u përgjigjet kërkesave për dëmshpërblim. Ata shprehin indinjatë për braktisjen nga shumë institucione, nga Avokati i Popullit, nga Partitë politike, komunitetet fetare apo shoqëria civile, duke e thënë se indiferentizmi i tyre, është një plagë e rëndë për shoqërinë shqiptare. Lavdosh Beqo, një prej personave që ka mbetur në çadrën e grevës së urisë dhe ka zëvendësuar Gjergj Ndrecën, thotë se i është bashkuar kauzës së të përndjekurve politikë, thjesht për mbështetje morale dhe jo financiare. Ai ka ardhur posaçërisht nga Franca, për t’iu bashkuar çështjes së ish të përndjekurve politikë, e cila ka mbi 20 vjet që zvarritet nga shteti. “Para disa kohësh, dëgjova në media se personat me aftësi të kufizuara, u hodhën në protesta, sepse kërkonin nga shteti demokratik ndihmë. Kam parë që janë trajtuar keq dhe pasi qeveria u premtoi zgjidhje të kërkesave, nuk u mor më me ata. Qëllimi i dy grupeve politike, si ai i Partisë Socialiste ashtu edhe ai Partisë Demokratike, është që të ulërijnë në Kuvend duke hedhur akuza të rënda ndaj njëri-tjetrit. Kjo është estradë më vete dhe në këtë rast Berisha, vazhdon të bëjë propagandë para zgjedhjeve, duke na thënë se PS-ja nuk na ka dhënë asgjë, për 8 vjet. Në çdo rast, ai përmend Arianit Çelën, që i kanë dhënë paratë e burgut dhe pension të madh. Kryeministri ynë, po tallet me atë shtresë, që deri më sot e ka pasur fuqi me vota. U kërkoj shqiptarëve që të na mbështesin, sepse kemi vërtet nevojë për ata”, është shprehur Beqo, për gazetën “Shqip”.


 


Grevisti: Shorti, jo presion, por një paralajmërim


Grevisti nga Kavaja, Afrim Biturku, personi që publikoi “Shortin e vdekjes” para kamerave, thotë se e gjithë pjesa e mbetur në grevë, do t’i shkojë deri në fund, kauzës së nisur. Biturku, përsërit edhe një herë, se shorti nuk është presion ndaj Kryeministrit, por një paralajmërim vetëflijimi, në rast se policia i nxjerr me dhunë nga çadrat, megjithëse po përdoret një tjetër skemë për t’i larguar nga greva.


A do ta zbatoni vendimin e gjykatës, për ndërprerjen e grevës? Nuk kemi pse ta bëjmë një gjë të tillë. Vendimi është i paligjshëm, sepse ne nuk kemi pasur përfaqësi juridike, në momentin që është dhënë urdhri, për ndërprerjen e grevës. Madje, ne e kemi ngritur çështjen pranë Komitetit të Helsinkit dhe presim një përgjigje pozitive nga ata.


Pse numri i grevistëve është reduktuar në 7 persona?


Një pjesë e tyre janë dërguar në spital, për të marrë mjekim të specializuar, sepse gjendja shëndetësore është rënduar. Pas përmirësimit të shëndetit, ata kanë tentuar që t’i rikthehen grevës, por policia nuk i ka lejuar që të futen në ambientet e çadrave. Ne kemi vendosur që të mos largohemi më drejt spitalit, sepse askush nuk po na jep garanci për vijimin e grevës. Gjendja shëndetësore e grevistëve sa vjen e rëndohet dhe tre prej tyre e kanë refuzuar shërbimin e spitalit.


Nëse policia ju nxjerr nga këtu, çfarë do të bëni?


Ne nuk ndalemi. Vetëm vdekja mund të na ndërpresë grevën e urisë, sepse vullnetin e kemi të hekurt. Nëse do të hapet një vatër tjetër, do t’i bashkohemi me patjetër. E kemi vendosur, që kësaj çështje t’i shkojmë deri në fund. Duam atë që na takon me ligj, në të kundërt nuk ka rrugëzgjidhje, përveç vdekjes.