“Fiks Fare”
Prej ditësh ka nisur heqja e tornove dhe frezave, për t’i shitur për skrap
Kombinati mekanik i Poliçanit po shkatërrohet dhe pajisjet e tij po shiten për skrap. Ambientet e këtij kombinati po shkatërrohen. Kamionë të ngarkuar me skrap dalin nga oborri i kombinatit të Poliçanit. “Fiks Fare” ka vijuar sërish investigimin në kombinatin mekanik në Poliçan. Pas denoncimit të skandalit të ripaketimit të fishekëve “Kallashnikov” në kombinatin mekanik të Poliçanit, të cilët janë sjellë për demontim, “Fiks Fare” tregoi sesi shiten pa dalë në ankand tornot, radifikët, presat, me të cilat është punuar për vite me radhë në këtë kombinat.
Në pamje dukej qartë se kamionët që nxirrnin skrapin nga kombinati i Poliçanit nuk ishin të ngarkuar vetëm me skrapin e predhave të demontuara, por me hekur të nxjerrë nga magazinat dhe ndërtesat e shkatërruara. Prej ditësh ka nisur heqja nga repartet e këtij kombinati të tornove dhe frezave, për t’i shitur më pas për skrap. Gazetarët kanë mundur të futen në Kombinat, pasi kanë siguruar një fletëhyrje të lëshuar nga drejtori i këtij kombinati, i cili është vënë në dijeni se gazetari, i prezantuar si tregtar, donte të blinte një torno e një frezë.
Edhe pse është një institucion i sigurisë së veçantë, në këtë kombinat mund të hyjë kushdo lirshëm, nëse kërkon që të blejë tornot apo presat disa tonëshe.
Të shoqëruar nga kryeinxhinieri dhe inxhinierët e kombinatit të Poliçanit, gazetarët e “Fiks Fare” kanë hyrë në magazinat ku qëndronin të grumbulluara pajisjet e kombinatit, të cilat presin që të shiten për skrap. Një pasuri e tërë që shitet, edhe pse është pasuri kombëtare. Gjatë bisedave që gazetari i prezantuar si tregtar ka zhvilluar me dy inxhinierët e kombinatit të Poliçanit mësoi se tornot, të mbledhura për skrap në magazinë, janë të pakonsumuara dhe mund të vihen në punë.
Përpara shitjes, këto torno kalojnë për riparim në repartin e mekanikëve dhe vetëm më pas mund ta blesh, duke të futur në çmim edhe një përllogaritje të shërbimit të riparimit. Një kg varion nga 100 deri 120 lekë të reja.
Nëse kërkon skrap me shumicë të shesin edhe tornot që janë në punë. Gazetarëve të “Fiks Fare”, punonjësit e kombinatit mekanik të Poliçanit u kanë sugjeruar që të prenotojnë që të blejnë një torno, në të cilën aktualisht punohet, por që shumë shpejt do ta nxjerrin në shitje. Vlera e saj është rreth 3 milionë lekë, në varësi të peshës së saj