Para sfidës me Kastriotin, trajneri vë nën presion të tijtë


Altin Manallari


Objektivi i Tiranës në çdo sezon është i pandryshuar: Titulli kampion, është gjëja që u kërkohet bardhebluve në çdolloj situate. Dhe kjo nuk ka ndryshuar në këtë edicion. Këto javë të para kanë treguar se 24 herë kampionët e vendit e kanë potencialin për të luftuar deri në fund. Por përpara ndeshjes me Kastriotin, trajneri Artur Lekbello i ka paralajmëruar futbollistët e tij se nëse duan të fitojnë titullin, atëherë do të duhet të fitojnë si brenda ashtu edhe jashtë fushës së tyre. Menjëherë pas përfundimit të jehonës së ndeshjeve të Kombëtares, është rikthyer fuqishëm atmosfera e kampionatit shqiptar të futbollit. Ndërprerja njëjavore e kampionatit për shkak të impenjimit të përfaqësues ka ardhur si ilaç për disa skuadra të Kategorisë Superiore, që kanë pasur probleme dëmtimi apo fizike, pasi ka ndihmuar në rikuperimin e formës. Kjo pauzë ka ndikuar pozitivisht edhe të Tirana për të përmirësuar disa aspekte në lojë, duke i dhënë mundësi trajnerit Artur Lekbello, të punojë në përgatitjen atletike, por edhe në atë taktikë të ekipit të tij. Tekniku i bardhebluve beson se formacioni i tij tashmë është gati për të përballuar me sukses ndeshjet e mbetura të fazës së parë.


“Këto ditë pushim na kanë bërë shumë mirë, pasi kishim vërtet nevojë, u shpreh dje trajneri i Tiranës, Lekbello. Në këtë periudhë kemi punuar që futbollistët e dëmtuar të rikuperohen, por edhe një pjesë e lojtarëve të arrinin formën e duhur fizike. Gjithashtu i kemi kushtuar vëmendje edhe përgatitjes taktike. Në këtë moment besoj se kemi arritur aty ku duhet dhe jemi gati për kampionatin”. Numri një i pankinës së bardhebluve ka sqaruar më pas se javët e fundit para ndeshjeve të Kombëtares e kishte ndier ngarkesën e madhe psikologjike dhe fizike të futbollistëve të tij, të cilët kanë qenë të impenjuar në dy 4 ndeshje shumë të rëndësishme: dy ndeshjet e Kupës kundër Partizanit, si dhe me ato me Besën dhe Flamurtarin në kampionat, ndaj kjo periudhë pushimi ishte vërtet e nevojshme. “Ishte një ngarkesë e madhe për sa i përket fluksit të ndeshjeve, pranon Lekbello. Kishim dy ndeshje derbi me Partizanin në Kupë, të cilat u pasuan dhe nga dy takime të vështira në Vlorë ndaj Flamurtarit dhe në shtëpi ndaj Besës”. Por tashmë 24 herë kampionëve u duhet të mos bëjnë më hapa falsë. Të dielën në kryeqytet skuadra e Lekbellos do të ketë vetëm një alternativë, fitoren, ndaj një Kastrioti, i cili po kalon një periudhë të vështirë dhe ende nuk ka gjetur një trajner, pas shkarkimit të Artan Mërgjyshit. “Fitorja ndaj Kastriotit është detyrim. Nëse duam të fitojmë kampionatin, duhet të fitojmë si brenda edhe jashtë. Nuk duhet ta nënvlerësojmë aspak kundërshtarin, i cili është një ekip që mund të na hapë shumë punë. Do të kemi probleme nëse do të zbresim në fushë me idenë se përballë do të kemi një ekip të dobët, vetëm e vetëm se në javët e fundit ka marrë disa rezultate të dobëta”. Ajo që kënaq trajnerin ka të bëjë me faktin se do të ketë në dispozicion të gjithë futbollistët, pasi tashmë ekipit i është bashkuar edhe Gilman Lika, i cili ka qenë i grumbulluar me Kombëtaren.


 


 


 


Kategoria Superiore


 


Java VII


 


NESËR


14:00 Bylis-Luftëtari


14:00 Shkumbini-Kukësi


17:00 Besa-Flamurtari


 


TË DIELËN


14:00 Laçi-Apolonia


14:00 Tomori-Vllaznia


14:00 Tirana-Kastrioti


17:00 Teuta-Skënderbeu