Qeveria duket se rrëmben njerëz me synimin e qartë për të terrorizuar të tjerët
Grupet e të drejtave të njeriut që po punojnë në Siri raportojnë se së paku 28 mijë njerëz janë zhdukur, pasi janë rrëmbyer nga ushtarët apo milicitë. Aktivistët thanë se disponojnë emrat e 18 mijë njerëzve që rezultojnë të zhdukur, si dhe janë në dijeni për 10 mijë raste të tjera. Një prej aktivistëve deklaroi: “Askush nuk është i sigurt” përballë një fushate të hapur terrori që po zbatohet nga qeveria.
Qeveria e Sirisë nuk ka komentuar në pretendimet e fundit, por në të shkuarën ka mohuar abuzimet me të drejtat e njeriut. Grupimi i të drejtave të njeriut, Avaaz, thotë se ka mbledhur dëshmi nga sirianët, të cilët thonë se bashkëshortët, djemtë apo vajzat e tyre janë rrëmbyer me forcë nga trupat qeveritare. Një nga të zhdukurit është i biri i Fayzeh al-Masri, nga rrethinat e Homsit, i cili është vetëm 26 vjeç dhe u zhduk shkurtin e kaluar. Familja ka marrë një telefonatë nga një numër që dyshohet se i përket shërbimit sekret; telefonata i tha se i biri ka vdekur.
Numri i të zhdukurve është shumë i vështirë të verifikohet në një kohë kur konflikti është ende në zhvillim e sipër. Në konflikte të tjera në të shkuarën, megjithëse kanë përfunduar, nuk dihet ende numri i saktë i të zhdukurve. Në Irak janë ende duke punuar për të gjetur numrin e saktë ndërsa në Kili, u deshën njëzet vjet për të numëruar të zhdukurit e grushtit të shtetit të vitit 1973. Por të dhënat paraprake të Sirisë konsiderohen në nivele rrëqethëse.
Në rastin e Masrit, ai u arrestua pasi po përpiqej të organizonte një protestë paqësore kundër arrestimit të aktivistëve të tjerë.
Rrëmbimi i njerëzve është një metodë e njohur e regjimeve totalitare për terrorizimin e popullsisë. Për shkak se njerëzit zhduken në mënyrë të mistershme, pasi rrëmbehen duke ecur në rrugë apo duke shkuar për të bërë pazar, efekti psikologjik mbi popullatën është ai i pasigurisë dhe rrezikut konstant, pavarësisht nëse bën diçka kundër qeverisë apo rri mënjanë.
Aktivistët thonë se pikërisht kjo është çfarë po ndodh në Siri aktualisht.
“Paniku i mosnjohjes nëse babai apo fëmija juaj është gjallë apo i vdekur, si dhe shpresa e vazhdueshme se është gjallë, shkakton frikë të madhe dhe shtyp disidencën”, komenton një aktivist.
Muhammad Khalil, një avokat i të drejtave të njeriut nga qyteti i Hasakës thotë se qeveria e Sirisë ka dy arsye për të kryer rrëmbime: “Disidentët hiqen qafe thjesht, në mënyrë individuale, pa shkaktuar reagim të drejtpërdrejtë nga mbështetësit e tyre, ndërkohë që e gjithë shoqëria terrorizohet nga ideja dhe nuk i kundërvihet më regjimit”, thotë ai.