Fazil Say është i famshëm në të gjithë botën


Pianisti turk me famë botërore, Fazil Say, shkoi në një gjykatë në Stamboll sot i akuzuar për nxitje të urrejtjes dhe për fyerje të vlerave në muslimanëve. Ai po përndiqet penalisht për disa mesazhe që ka publikuar në “Twitter”, ku është tallur me myslimanët radikalë. Rasti i tij ka shtuar shqetësimet mbi ndikimin në rritje të fesë në administratën shtetërore të Turqisë.


Say, i cili i mohon akuzat, tha së fundmi se është habitur shumë për faktin që është i detyruar të shkojë në gjykatë. Duke refuzuar kërkesën për shpallje të pafajësisë, gjykata vendosi të thërrasë një seancë tjetër më 18 shkurt.


Prokurorët i ngritën akuzat kundër tij në qershor. Ai rrezikon deri në 18 muaj burg, por opinionistët vendës besojnë se çfarëdolloj dënimi ka shumë gjasa që do të jepet me kusht.


Akuzat për të u ngritën pas disa mesazheve të “Twitter” në prill. Në një prej tyre, ai thotë: “Nuk jam i sigurt nëse ju e keni kuptuar këtë, por kudo që ka një humbameno, një askush, një të ulët, një hajdut apo një të çmendur, ka gjithmonë një islamik”.


Disa dhjetëra mbështetës të pianistit u mblodhën para gjykatës me parulla, një nga të cilat i kërkonte partisë në pushtet, e cila ka rrënjë islamike, “ta linte artistin të qetë”.


Say ka luajtur mes të tjerash me orkestrën filarmonike të Nju Jorkut, me orkestrën simfonike të Berlinit etj. Ai ka shërbyer si ambasador kulturor për Bashkimin Europian.


Egemen Bagis, ministri përgjegjës për marrëdhëniet me BE-në, thotë se akuza ndaj tij duhet të rrëzohet duke argumentuar se gjykata duhet t’i konsiderojë komentet e tij si “brenda të drejtës së zakonshme për të llapur”.


Gjithsesi, Bagis kritikoi edhe pianistin për “fyerje të besimit dhe vlerave të njerëzve”.