Plot 40 mijë vetë pushtojnë qendrën e kryeqytetit të Greqisë
Policia e Greqisë u përplas me protestuesit që kërkojnë t’u jepet fund masave të kursimit dhe e qëlluan policinë me bomba me naftë dhe gurë dje, ndërsa sindikatat organizuan një grevë të përgjithshme që ndaloi jetën ekonomike në të gjithë vendin.
Kjo qe greva e dytë masive në vetëm tri javë dhe mbi 40 mijë nga grevistët marshuan në Athinë për t’u treguar udhëheqësve të Europës, të cilët po takohen në Bruksel se uljet e mëtejshme të pagave dhe pensioneve thjesht sa do të përkeqësojnë situatën e tyre pas pesë vjetësh recesion.
Tensioni u rrit kur një grup i vogël protestuesish filluan të hedhin copa mermeri dhe shishe qelqi të mbushura me benzinë ndaj policisë, e cila vuri një barrikadë para Parlamentit. Policia hodhi një seri baterish me bomba lotsjellëse për t’i shpërndarë.
Një protestues 65-vjeçar vdiq nga problemet në zemër, ndërsa tre të tjerë u plagosën. Policia arrestoi 50 vetë. Shumica e bizneseve dhe sektorit publik ndaloi aktivitetin si pasojë e grevës.
“Mjaft është mjaft. Ata na kanë hapur varrin, na kanë ulur aty dhe po presin për priftin që të na lexojë fjalët e fundit”, thotë Konstantinos Balomenos, një punëtor ujësjellësi 58 vjeç, paga e të cilit është ulur në 900 euro në muaj dhe ai ka edhe dy fëmijë të rritur të papunë.
Disa nga protestuesit mbanin flamuj grekë, spanjollë dhe portugezë dhe bërtisnin: “BE, FMN – Jashtë”.
Greqia ka humbur një të katërtën e prodhimit të brendshëm bruto gjatë pesë viteve të fundit, gjë që ka sjellë një katastrofë sociale, pasi rënia ekonomike dëmton më shumë të varfrit dhe shtresën e mesme sesa të pasurit. Një në katër grekë janë aktualisht të papunë, ndërsa pagat janë ulur deri në nivelin e një vendi me të ardhura të mesme. Ndërkohë, çmimet kanë vijuar të rriten.