Bebet In vitro
Rreth 15 për qind e shqiptarëve nuk mund të sjellin në jetë një fëmijë në rrugë natyrale
Lorina Mixha
Çiftet, të cilat e kanë të pamundur të sjellin në jetë një fëmijë në rrugë natyrale dhe paguajnë sigurimet shëndetësore do të mund të lindin me metodën in vitro në spitalet shtetërore.
Të parët që do të realizojnë procedurat, do të jenë mjekët e maternitetit “Koço Gliozheni”.
Riprodhimi i asistuar apo siç njihet metoda in vitro është ligjëruar në Shqipëri në vitin 2003, por të gjitha çiftet që kishin nevojë për këtë metodë për të sjellë në jetë një bebe, e kanë marrë këtë kujdes shëndetësor në klinikat private. Për realizmin e kësaj metode në varësi të shkallës së ndihmës shëndetësore kostot që çiftet kanë paguar nisin nga 3 mijë në 7 mijë euro, në qendrat shëndetësore jopublike brenda vendit.
Ndërkohë që sipas drejtoreshës së maternitetit “Koço Gliozheni”, Rubena Moisu, asistimi do të ofrohet falas edhe në spitalet shtetërore.
Deri në vitin 1990 kishte shumë më pak mundësi për çiftet jopjellorë që të mund të përfitonin nga metodat e MAR, që në praktikë, ishte e rezervuar vetëm për ato çifte që kishin lidhje me elitën qeverisëse.
Materniteti “Koço Gliozheni”, me mbështetjen e Komunitetit Europian ka iniciuar një projekt, që do të përcaktojnë mënyrat dhe pajisjet që duhen për të ofruar fekondimin in vitro, në sistemin publik. Statistikat e Ministrisë së Shëndetësisë raportojnë se janë rreth 12 për qind e çifteve shqiptare që kanë probleme me sjelljen në jetë të një fëmije në rrugë natyrale, ndërkohë që mjekët gjinekologë kanë thënë dje se kjo statistikë shkon deri në 15 për qind të rasteve.
“Ministria e Shëndetësisë, në planin strategjik për shëndetin riprodhues për vitet 2010-2015, parashikon objektiva për adresimin e fertilitetit”, tha ministri i Shëndetësisë, Vangjel Tavo.
Për tetë vjet, numërohen rreth 1000 nëna të cilat kanë sjellë në jetë fëmijët e tyre nëpërmjet kësaj metode.
Sot, klinikat publike mund të përdorin plotësisht teknikat e MAR në Shqipëri, pasi sektori publik ofron kujdes parësor shëndetësor të lirë dhe të mbuluar nga sigurimi shëndetësor, ndryshe nga dy klinikat private që përdorin metodat MAR, por me dizavantazhe, që lidhen me çmimet e shtrenjta, të papërballueshme për shumë çifte që kanë të ardhura të ulëta.
Që nga viti 2003, me një rregullore të Ministrisë së Shëndetësisë, u lejua përdorimi i metodës “In Vitro”, ku mosha e lejuar e grave për të është më e vogël se 50 vjeç. Ekzaminimi fillestar kërkon diagnostikim të qartë të shkaqeve të infertilitetit dhe rekomandimi kryesor për çiftet lidhet me disa ndryshime në jetesë, si ushqim të mirë, ulje e stresit.
Në shkallë kombëtare ende nuk ka shifra të sakta për normën e infertilitetit. Megjithatë, në Tiranë numërohen nga viti 2004-2012 rreth 33.304 kërkesa nga çifte të cilët nuk kanë mundësi të sjellin në jetë në mënyrë natyrale një fëmijë. Në tetë vjet rreth 497 nëna, të cilat kanë kryer riprodhim të asistuar në klinikat private, sjelljen në jetë të fëmijës e kanë bërë në maternitetin “Koço Gliozheni”. “Në maternitetin tonë përdoret ekzaminimi i plotë për shëndetin riprodhues, konsultimi riprodhues dhe edukimi i çifteve mbi familjen dhe planifikimin familjar për çiftet jopjellore”, tha Moisu.
Në shkallë kombëtare ende nuk ka statistika të sakta për normën e infertilitetit. Në vitet 2004-2012, nga 33.304 lindje, që janë kryer në maternitetin “Koço Gliozheni”, 497 kanë përfituar shtatzëni të konceptuar me metodat MAR në klinika private në vend por edhe jashtë.
Të dhëna
497 shtatzëni – Në vitet 2004-2012, nga 33.304 lindje që janë kryer në maternitetin “Koço Gliozheni”, 497 kanë përfituar shtatzëni të konceptuar
1 mijë nëna – Sipas statistikave të bëra publike dje për 8 vjet, numërohen rreth 1 mijë nëna të cilat kanë sjellë në jetë fëmijët e tyre nëpërmjet kësaj metode
Deklarata – “Trajtimi i infertilitetit këto vitet e fundit po merr rol me rëndësi në shëndetin riprodhues të popullatës dhe në veçanti, për shëndetin e gruas”, tha ministri Vangjel Tavo.