Vrasja e biznesmenit në Fier, për shkak të një lidhje intime

Ekzekutimi - Ndërtuesi Taku Spaho u ekzekutua me 44 plumba më 1 dhjetor 2011, në lagjen “16 Prilli”, te bulevardi kryesor i qytetit të Fierit

Të arrestuarit - Për ngjarjen e rëndë, policia arrestoi pak kohë më vonë vëllezërit Hyka, të cilëve dyshohet se Spaho u ka vrarë babanë në Greqi

Hakmarrja - Babai i të arrestuarve, Skënder Hyka, mendohet se u vra nga Taku Spaho, pasi kishte krijuar lidhje intime me nënën e biznesmenit

Dosja hetimore

Zbulohet zanafilla e krimit makabër në dhjetor 2011

Prokuroria e Fierit ka dërguar për gjykim dosjen në ngarkim të dy vëllezërve Agim dhe Enea Hyka

Lidhja dashurore mes një burri dhe një gruaje, të dy të martuar me persona të tjerë dhe arratisja e tyre nga Shqipëria, ka sjellë dy viktima. Ky është konkluzioni i prokurorisë nga hetimet e kryera për vrasjen e ndodhur në muajin dhjetor të vitit të kaluar në Fier, kur u masakrua me 44 plumba biznesmeni i ndërtimeve Taku Spaho. Motivet dhe e gjithë ngjarja, për të cilën janë arrestuar dy vëllezër, janë zbardhur në kërkesën për gjykim të prokurorisë, e cila është dorëzuar në Gjykatën e Shkallës së Parë në Fier.

Kërkesa

Prokuroria e Fierit ka përfunduar hetimet ndaj të pandehurve për vrasjen më 1 dhjetor të vitit të kaluar, të biznesmenit Taku Spaho, në lagjen “16 Prilli”, në bulevardin kryesor të qytetit myzeqar, teksa ai ndodhej para pallatit që po ndërtonte. Dosja penale në ngarkim të dy të pandehurve, vëllezërve Agim dhe Enea (Besnik) Hyka i është përcjellë tashmë gjykatës dhe pritet që të nisë shqyrtimi. Hetimi i drejtuar nga prokurorja Elsa Miha ka nxjerrë në pah gjithë itinerarin e lëvizjeve të autorëve të dyshuar dhe bashkëpunëtorëve të paidentifikuar ende, si edhe motivin e ngjarjes, që e ka zanafillën në vitin 1997. Ndërkaq, prokuroria është duke vazhduar hetimin për gjetjen e bashkëpunëtorëve të tjerë në këtë ngjarje.

Vrasja

Nga hetimet ka rezultuar se për vrasjen e ndërtuesit Taku Spaho mbrëmjen e 1 dhjetorit 2011, kanë bashkëpunuar të paktën katër persona. Tre prej tyre janë ndodhur në një autoveturë tip “Volksëagen Polo”, me ngjyrë të zezë dhe targa FR 9637 B, në dukje false. Ndërsa një person tjetër ende i paidentifikuar, që drejtonte një autoveturë tip “Sharon” dyshohet të ketë bashkëpunuar në vrasje. Nga hetimet është konkluduar se rreth orës 17:00 të 1 dhjetorit 2011, teksa biznesmeni Spaho ka qenë duke shkuar për tek autovetura e tij, makina me ngjyrë të zezë është ndalur dhe prej andej kanë dalë dy persona të armatosur me armë zjarri automatike, duke derdhur breshëri plumbash mbi të. Pasi 40-vjeçari Spaho ka rënë në tokë, një prej autorëve ka shkuar pranë tij dhe ka shtënë sërish me breshëri në kokën e viktimës. Si pasojë e breshërive kanë mbetur të plagosur edhe dy kalimtarë, të cilët arritën të mbijetonin. Më pas, autorët janë larguar me shpejtësi në drejtim të stadiumit të qytetit të Fierit. Rreth 30 minuta pas ngjarjes, policia ka gjetur të djegur në Shënpremte të Fierit një autoveturë tip “Volksëagen” me ngjyrë të zezë, si ajo e përshkruar prej dëshmitarëve okularë. Nga ekspertimi mjekoligjor ka rezultuar se viktimës i janë shkaktuar 44 plagë për shkak të breshërisë së plumbave. Ky fakt ngriti dyshimet e prokurorisë se autorët kanë qenë emocionalë në kryerjen e krimit dhe kanë dashur të hakmerren.

Motivi

Nga verifikimi i së kaluarës së 40-vjeçarit Taku Spaho, prokuroria ka konkluduar edhe në një motiv të mundshëm të ngjarjes. Kështu, ka rezultuar se familja Spaho dhe Hyka kanë pasur njohje në të kaluarën. Por, në vitin 1996, babai i dy të pandehurve të sipërcituar, Skënder Hyka, është larguar për të jetuar në Greqi së bashku me nënën e Spahos. Që prej kësaj periudhe, mes familjeve ka lindur konflikti derisa në vitin 1997 është vrarë në shtëpinë e tij në Athinë, Skënder Hyka, vrasje ende e pazbardhur nga autoritetet e policisë greke. Por, familjarët e Skënder Hykës dyshuan se këtë vrasje e kishte bërë biznesmeni 40-vjeçar Taku Spaho. Tre nga vëllezërit Hyka prej vitesh jetonin në Greqi, ndërsa i vogli, Enea, jetonte në Povelçë të Fierit me të ëmën.

Provat

Në dosjen hetimore të prokurorisë të dorëzuar në gjykatë janë evidentuar gjithë provat e siguruara ndaj dy të pandehurve. Një dëshmitare okulare, e cila ka qenë e para që ka mbuluar viktimën e masakruar nga breshëria e plumbave, ka arritur të njohë një prej autorëve që ka qëlluar mbi Spahon. Kjo, pasi autorët nuk kanë qenë të maskuar. Gjatë seancës së njohjes, ajo ka etiketuar 34-vjeçarin Agim Hyka si një prej personave që qëlloi mbi viktimën. Ndërkaq, nga hetimet ka rezultuar se 34-vjeçari Hyka kishte hyrë në Shqipëri nga Greqia, pa i vulosur dokumentet. Ndërsa një ditë pas ngjarjes, ka qenë duke udhëtuar drejt Greqisë, por është ndaluar në Kakavijë si autor i dyshuar i vrasjes. Ndërkaq, alibitë e Hykës nuk kanë rezultuar të besueshme. Më tej, prokuroria ka akuzuar si bashkëpunëtor në ngjarje edhe vëllain e vogël të Agimit, 26-vjeçarin Enea Hyka. Nga verifikimet e tabulateve është konstatuar se një shtetase italiane ka shprehur shqetësime për Agimin. Ndërkaq, personi që i ka shitur makinën Eneas ka deklaruar se ky i fundit i ka kërkuar pak ditë pas ngjarjes që të mos tregonte gjë. Edhe deklarimet e 26-vjeçarit Hyka të marra pak pas ngjarjes, ku pretendonte se ndodhej në shtëpi në orën 17:00 kur kishte ndodhur ngjarja, kanë rezultuar të pavërteta. Prokuroria ka bërë shpalljen në kërkim të tij, pasi dyshohet që ai të ketë drejtuar autoveturën tip “Volksëagen Golf”. Një tjetër provë e fortë që ka siguruar organi i akuzës, janë edhe pamjet filmike të siguruara nga kamerat e sigurisë të një subjekti privat përballë pallatit që po ndërtonte biznesmeni Taku Spaho. Kamerat kanë fiksuar lëvizjet e dy autoveturave dhe gjithë ngjarjen, por për shkak të errësirës nuk arrihet të shquhen detaje të pamjes vizive të autorëve.

Akuzat

Prokuroria e akuzon 34-vjeçarin Agim Hyka për veprat penale të “vrasjes në rrethana të tjera cilësuese” në bashkëpunim dhe “prodhim e mbajtje pa leje të armëve luftarake e municionit”, parashikuar nga nenet 79/Ë-25 dhe 278/2 të Kodit Penal. Ndërsa Enea (Besnik) Hyka akuzohet për veprën penale të “vrasjes në rrethana të tjera cilësuese”. Kjo, pasi ekzekutimi i Spahos u krye në ambient të hapur, në bulevardin kryesor, kur aty kalonin me qindra njerëz, dy prej të cilëve u plagosën rastësisht, pa pasur asnjë lidhje me ngjarjen.

 

 

Prokuroria

Dëshmitarja - Një dëshmitare okulare, e cila ishte e para që ka mbuluar viktimën, ka arritur të njohë një prej autorëve që ka qëlluar mbi Spahon

Mjeti - Personi që i ka shitur Eneas mjetin e krimit ka deklaruar se ky i fundit i ka kërkuar pak ditë pas ngjarjes që të mos tregonte gjë

Kamerat - Një provë e fortë e organit të akuzës në Fier janë edhe pamjet filmike të siguruara nga kamerat e sigurisë të një subjekti privat

Autor te 19 Tetor 2012. Aktualitet. You can follow any responses to this entry through the RSS 2.0. You can leave a response or trackback to this entry