Shkodër
Drejtuesit e spitalit: Jemi në rikonstruksion të godinës, do ta rregullojmë
Të 45 pacientëve me dializë që marrin trajtim në spitalin rajonal të Shkodrës po u vihet jeta në rrezik, pasi reparti i dializës nuk po funksionon për shkak të mungesës së ujit. Në lidhje me këtë shqetësim të pacientëve me dializë, sipas drejtuesve të spitalit rajonal në Shkodër, kjo ka ardhur si rezultat i rikonstruksionit që ka përfshirë spitalin dhe pritet që problemi të stabilizohet. Por, aktualisht, pacientët raportojnë një situatë kritike. Një pacient me dializë, Agim Derhani, duke folur për gazetën shprehet se “deri në këto momente, na ka shpëtuar vetëm Zoti”.
“Në lidhje me shërbimin që na ofrohet, këtu pothuajse çdo ditë ka probleme. Një ditë s’ka ujë, një ditë s’punojnë aparaturat, një herë del diçka tjetër. Si ka mundësi që defektet nuk i lejojnë t’i riparojnë specialistët nga Shkodra? Përse duhet të presim sa të vijnë ata nga Tirana. Një seancë dialize zgjat deri në 4 orë, e në rast se pajisja pëson defekt, ne duhet të presim sa të njoftohen teknikët nga Tirana e sa të vijnë, kështu që kalojnë disa orë dhe pacientët janë të rrezikuar nga ora në orë”, shpjegon Derhani. Një tjetër pacient thotë se shprehet se të sëmurët nga veshkat, që bëjnë dializë prej ditësh, janë në vështirësi për shkaqe nga më të ndryshmet. “Në një kohë kur spitalit i është bërë rikonstruksion dhe kur personeli po përpiqet me të gjitha mënyrat për të na shërbyer, janë një sërë shkaqesh që nuk varen prej tyre, të cilat po na rrezikojnë jetën. Mungon uji në repart. Thonë se firma që po bën punimet në rikonstruksionin e godinës, akoma nuk ka bërë lidhjen përfundimtare të ujit. Një herë tjetër kanë defekt pajisjet, e për këtë duhet të pritet sa të vijnë specialistët. Ne po na rrezikohet jeta seriozisht”, shprehet pacienti. A. Hoti