DORIS ANDONI


Më datën 7 shtator, drejtori ekzekutiv i Komisionit Ekonomik të Europës i Kombeve të Bashkuara njoftoi gjithë stafin se, më datën 2 tetor do të mbahej “city hall” (këshilli bashkiak) – një formë për të shmangur përdorimin e fjalës “mbledhje” – një term i bezdisur për shërbyesit civilë dhe që personifikon burokracinë. Salla ishte e mbushur plot, aq sa edhe vetë drejtuesi i mbledhjes u habit. Sigurisht që stafi i përhershëm ish në dijeni të çështjes që do të trajtohej dhe nuk kishin humbur rastin të ishin prezentë. Drejtori njoftoi disa çështje që do të trajtoheshin, por ajo e para më bëri të qëndroj dhe ta ndjek deri në fund mbledhjen.


Ristrukturimi i sistemit të Kombeve të Bashkuara. Ishte një temë shumë e ngjashme, me të cilën u ndesha në fillim të këtij viti në Ministrinë Shqiptare të Punëve Publike, drejtuar nga z. Olldashi – ristrukturimi i ministrisë! Kisha filluar punë në këtë ministri që në mars të vitit 1995 si specialiste dhe pas disa vite punë e një sërë specializimesh pas universitare, përfshi edhe atë të masterit shkencor në fushën e menaxhimit, pasi kalova provimin për postin e drejtorit të krijuar rishtas në atë kohë, fitova statusin e nëpunësit civil në postin e drejtorit. Iu dedikova me pasion asaj pune, edhe pse vija nga fusha e arkitekturës dhe mjaft miq të mi nuk arrinin të kuptonin se si unë nga një natyrë antikonformiste, ushqyer nga familja, por edhe profesioni, të mund të kthehesha në një burokrate zyre. Fillimi ish i vështirë, por nuk m’u desh shumë për të kuptuar se, edhe pse në dukje burokratike, kjo sfidë e re ishte po aq krijuese sa edhe arkitektura, pasi konstatova se çdo gjë duhej krijuar nga e para. Nuk ekzistonte koncepti i politikave të strehimit, kish vetëm disa copëza ligjesh të përkthyer me kujdes nga versioni anglisht i konsulentëve të fillimviteve ’90, të cilat kishin prodhuar shumë probleme.


Në prill të 2012-s, plot pas 17 vite pune në ministri dhe 11 në pozicionin e drejtorit, lashë pas një kuadër të kompletuar politikash strehimi me një vizion të qartë për të ardhmen dhe me projekte të ideuara, shkruara, propozuara dhe të monitoruara nga unë (dhe me ndihmën e një stafi modest në numër – vetëm 2). Banesat sociale, edhe pse sot të marra peng nga politika, siguruan 1 100 apartamente sociale me qira për shtresat me të ardhura të ulëta. Projekti i subvencionimit të interesave të kredive, deri në mars të 2012-s, u mundësoi rreth 1400 familjeve të hyjnë në tregun e banesave dhe të kredive hipotekore, duke pasur një ndikim mjaft të ndjeshëm edhe në tregun e banesave dhe qarkullimin e një aseti rreth 30 milionë euro.


Largimi im nga puna erdhi në kulmin e karrierës sime në shërbimin civil, kur kisha ende shumë për të dhënë. Me një copëz letër A4, njoftohem se, përderisa nuk kisha pranuar të ulesha nga pozicioni i drejtorit në atë të shefit të sektorit, e vetmja zgjidhje ishte largimi im nga puna.


Po i kthehem përsëri mbledhjes me stafin e UNECE-së në Gjenevë, duke u munduar të perifrazoj mesazhin e drejtorit ekzekutiv (Kombet e Bashkuara që në vitin 2005 kanë filluar një reformë strukturore me synim rritjen e eficensës dhe shkurtimin e shpenzimeve). “Ju e dini që jemi në një proces ristrukturimi. Mund të ketë ndryshime në struktura dhe unë e di që ju të gjithë jeni të shqetësuar se çfarë do të ndodhë me vendin tuaj të punës dhe nivelin (e gradës) suaj. Dua të siguroj cilindo prej jush që, askush nuk do të humbasë nivelin e tij/saj në shërbimin civil. Edhe në ato raste kur pozicioni i punës do të shkurtohet ai person do të sistemohet në të njëjtin nivel, në një vend tjetër pune, duke i krijuar të gjitha mundësitë për t’u adaptuar me kërkesat e vendit të ri (dhe këtu nënkuptohen kryesisht trajnime)”.


Kjo ish pak a shumë quintessenca e fjalës së tij, të cilën e kam riprodhuar pothuajse fjalë për fjalë. Kjo gjë më dha spunton për të shkruar, gjë të cilën e kisha menduar edhe më parë, por për shkak të mbingarkesës emocionale të momenteve të shkëputjes, nuk po arrija dot ta strukturoja në mënyrë të atillë që të mos transmetoja problemin tim, por rastin tim ta paraqes si një fenomen që ka gërryer dhe shkatërruar administratën publike.


Në morinë e ngjarjeve që prekin dhimbshëm jetën e përditshme të familjeve, kriza ekonomike, papunësia, varfëria e skajshme, problemet me të cilat ndeshet administrata publike nuk arrijnë të perceptohen. Ka aq shumë probleme ky vend me drejtësinë, zgjedhjet, korrupsionin sa që as komisioneve të BE-së nuk u hyn më në sy se ç’po ndodh me shërbimin civil. Nuk arrijnë të shohin se si në emër të reformës dhe ristrukturimit gjenden rrugët për të lëvizur edhe njerëzit e fundit që kanë ngelur pa ndryshuar në shërbimin civil, se si investimet në kapitalin njerëzor hidhen në rrugë pa kurrfarë shqetësimi vetëm e vetëm për t’u hapur rrugën militantëve partiakë, të cilët duket se kanë dalë nga një fabrikë e prodhimit në masë.


Nuk ka asnjë reagim, askush nuk shqetësohet se si paratë e taksapaguesve shkojnë për të mbajtur me rrogë ata, të cilët janë hedhur që tani në fushatë zgjedhore.


Nuk ka asnjë reagim, as nga Komisionet e BE-së, paratë e të cilëve janë shpenzuar për trajnime dhe kualifikime të atyre që më pas flaken pa asnjë dinjitet.


Punonjësit e administratës publike nuk mund të mbrojnë dot veten e tyre, nuk ka asnjë institucion të pavarur që të marrë përsipër mbrojtjen e kazusit të tyre kundër qeverisë. Është nga shtresat më të nëpërkëmbura, më të shtypura, më të denigruara, nuk gëzojnë asnjë të drejtë, përveç pagës. Dhe është pikërisht kjo që i bën ata të konformohen me sistemin, të pranojnë denigrimin që u bëhet, të heshtin, të mbyllin sytë, të ulin kokën… E kam fjalën për punonjësit e administratës publike, jo për të rinjtë e forumeve partiake, një pjesë e mirë e të cilëve kanë mbaruar vetëm 3-vjeçarin, nuk kanë asnjë eksperiencë pune dhe e gjejnë veten duke drejtuar një drejtori në ministri.


A ka shkelje më të hapur ligjore se të mos mbrosh administratën publike (jo atë të forumeve partiake), që prej vitesh është e angazhuar me pastërti dhe sinqeritet në shërbim të publikut, apo është pikërisht kjo një vlerë e kundërt me atë që promovohet sot? A duhet medoemos të aderosh në një parti që të mund të bësh karrierë në administratën publike?


Për fat të keq, në këtë vend jo vetëm në administratën publike, por edhe të ekzistosh nuk arrin dot, nëse nuk i përket një klani politik.


Sipas Theodore Roosvelt, një nga ithtarët e reformave në administratën publike, që më 1889-n, u emërua si komisioner i Shërbimit Civil të Shteteve të Bashkuara “Rregullat e Shërbimit Civil në SHBA (të cilat u krijuan në fund të shekullit 19) kishin për qëllim të mbronin publikun nga të këqijat e favorizimit të miqve nën sistemin e “të llastuarve” ose patronazhit që ekzistonte në shumicën e vendit para viteve 1900, ku zyrtarët e zgjedhur emëronin miqtë dhe mbështetësit politikë në shërbimin civil pa u shqetësuar për kualifikimet apo performancën e tyre”.


A është politika jonë 100 vjet mbrapa?