Daja kërkon të ruajë ritmin, Rubio synon rikthimin si pretendent për titullin Kampion
Altin Manallari
Superiorja rikthehet sot me tri ndeshje, Bylisi-Luftëtari, Shkumbini-Kukësi, por ajo që spikat më shumë këtë të shtunë, do të jetë sfida mes Besës dhe Flamurtarit, e cila do të luhet në Kavajë. Të dyja skuadrat vijnë në këtë përballje nga dy ecuri të ndryshme në këtë fillimsezoni. Kavajasit kanë demonstruar një futboll të bukur dhe kanë vënë në vështirësi të gjithë kundërshtarët, por kanë mundur të grumbullojnë 11 pikë në 6 javët e para të kampionatit, që i rendit të tretët. Sot do të vuajnë mungesën e disa lojtarëve, por gjithsesi fakti që luajnë në shtëpi i stimulon të kërkojnë fitoren ndaj vlonjatëve. Në anën tjetër, Flamurtari është skuadra që ka investuar më shumë në merkaton e verës, por frytet e 6 ndeshjeve të para janë shumë pak për një skuadër pretendente: vendi i 10 me 6 pikë.
Flamurtari drejtohet nga spanjolli Rubio, i cili ka demonstruar gjatë gjithë javës se do të luajë vetëm për fitore dhe këtë detyrë Rubio pritet t’ua besojë futbollistëve më të mirë që ka në dispozicion, si Lena, Zeqiri, Muzaka dhe Memelli. “Lojtarët duhet të jenë të qetë, të karikuar dhe shumë të motivuar me të gjitha mënyrat në këtë sfidë, u shpreh Rubio. Ne do të shkojmë në Kavajë për të luajtur për fitore, edhe pse kundërshtari është një nga ekipet më simpatike të këtij sezoni”. Mungesa e një fitoreje mund t’i tronditë vërtet pozitat e Rubios në stolin e Flamurtarit. Ndërkohë që për kavajasit objektivi nuk ndryshon. Ata duan tri pikët për të mbajtur ritmin e mirë të këtyre javëve të fundit, por edhe sepse luajnë në shtëpi përballë publikut të tyre, i cili do ta meritonte një kënaqësi të tillë. Trajneri Ilir Daja në karrierën e tij ka treguar se e pëlqen gjithnjë futbollin e shpejtë, ofensiv dhe me kombinime të shumta. Të njëjtën gjë po aplikon edhe te Besa, e cila luan një futboll të bukur, me aksione të rrjedhshme, që në fund konkludohet nga treshja e sulmuesve Berisha-Aziri-Sefa. “Dua përqendrim maksimal në çdo top që pasoni, theksoi dje Ilir Daja. Gjithashtu, dua lojë të shpejtë dhe jo pasime paralele, vetëm ato diagonale sjellin avancim të ekipit dhe afrohemi afër portës kundërshtare. Jo vetëm Flamurtari, por çdo ekip të ndëshkon kur gabon”.
Kategoria Superiore
Java VII
SOT
14:00 Bylisi-Luftëtari
14:00 Shkumbini-Kukësi
17:00 Besa-Flamurtari
NESËR
14:00 Laçi-Apolonia
14:00 Tomori-Vllaznia
14:00 Tirana-Kastrioti
17:00 Teuta-Skënderbeu