Universitetet 


Në të gjithë vendin, mbi 4 mijë vende bosh, por këto janë fakultete pa interes


Lorina Mixha


Maturantët që kanë konkurruar për të fituar një të drejtë studimi në Universitetin e Tiranës dhe janë thuajse me pikë të njëjta me fituesit e fazës së parë, presin shansin e dytë.


E gjithë kjo javë ka kaluar pa marrë asnjë datë dhe asnjë udhëzim konkret nga Ministria e Arsimit dhe e Shkencës për sa u takon afateve dokumenteve për regjistrimet e fazës së dytë, për studimet universitare me kohë të plotë.


Sipas vendimit të Këshillit të Ministrave, kuotat që nuk plotësohen, rishpërndahen. Publikimi i vendeve vakante është detyrë e universiteteve, sekretaritë e të cilave dërgojnë relacionet në Ministrinë e Arsimit. Ndërkohë që rishpërndarjen e dytë, vendosjen e afateve për dorëzimin e dokumenteve dhe mbylljen e regjistrimeve e miraton kreu i Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës.


 


Degët e preferuara


Sipas raportit të rektoratit të Universitetit të Tiranës pas fazës së parë të regjistrimeve për sistemin e ditës, rezulton të jenë të paplotësuara mbi 500 të drejta studimi në degët e preferuara. Bëhet fjalë për degë si juridiku, mjekësia, shkencat sociale, ekonomiku, shkencat e natyrës, infermieria.


Studentët kanë kërkuar në rektoratin e UT-së informacion se kur do të mund të regjistrohen, pasi ata që vijnë poshtë listës dhe që presin shansin e dytë, nga “kolegët” që fituan shumë të drejta studimi, kanë një diferencë shumë të vogël pikës. Kështu, edhe ata janë vlerësuar me pikë maksimale dhe mund të konsiderohen si maturantë elitarë, njësoj si degët ku janë shpallur fitues, nxënës të mirë, me rezultate të larta që kanë arritur kualifikim në procesin e maturës shtetërore. Vitin e kaluar, ministria ka deklaruar se nuk do të ketë më rishpërndarje të kuotave në disa faza, ndërkohë që Këshilli i Ministrave ka miratuar kuotat dhe ka vendosur rishpërndarjen e tyre. Universitetet, nga ana e tyre, e kanë marrë parasysh numrin e studentëve të rinj që do të regjistrohen në vitin e parë dhe mbulojnë të gjitha kërkesat si për infrastrukturë dhe për burime njerëzore.


Numrin më të madh të kuotave të paplotësuara e ka Fakulteti i Gjuhëve të Huaja me 94 kuota dhe Fakulteti i Shkencave të Natyrës, me 92 kuota të paplotësuara. Po ashtu, në filialet e Universitetit të Tiranës rezulton të jenë 80 kuota të paplotësuara. Në degët e preferuara, drejtësi apo mjekësi sipas Universitetit të Tiranës ka sërish vende bosh, për të cilat kandidatët për student dhe familjarët e tyre po presin me padurim çeljen e regjistrimeve për fazën vijuese të renditjes së fituesve.


Kështu, në degën mjekësi, ka 21 vende të lira, dhe në degën drejtësi rezulton të ketë 33 vende bosh.


Fakulteti Ekonomik ka 63 vende vakante. Më shumë vende bosh rezulton të ketë dega financë dhe biznes, me 22 kuota bosh dhe më pas vjen dega ekonomiks me 10 kuota dhe dega informatikë ekonomike me 9 kuota.


 


Fakultetet e papreferuara


Në të gjithë vendin, numërohen rreth 4100 kuota të lira. Të detajuara sipas degëve, ato do të publikohen menjëherë pas përfundimit të konceptimit dhe hartimit të formularit A3.


Ky është shansi i fundit për të gjithë ata maturantë, të cilët nuk kanë mundur të fitojnë një shkollë të lartë. Sipas Ministrisë së Arsimit, përveç fazës së dytë, nuk do të ketë më fazë tjetër, ndërkohë që lista e fituesve nuk do të ketë më spostime. “Për të gjithë studentët, të cilët nuk janë në listën përfundimtare të fituesve do të ketë një fazë të dytë me Formularin A 3, i cili do të bëhet publik dhe procedurat paraprake, si dhe kuotat e lira, të cilat do të shpallen në këtë formular dhe mënyrën e procedimit që do të jetë po në sistemin online të regjistrimit të tyre”, tha pak kohë më parë Edlira Late, drejtoreshë e Arsimit të Lartë në MASH.


 


Të dhëna


Formualri A3 – Në këtë formular pritet të përfshihen të gjitha degët e paplotësuara jo të preferuara. Për këtë kategori, janë mbi 4 mijë kuota bosh


Rishpërndarje – Sipas vendimit të Këshillit të Ministrave, kuotat e paplotësuara rishpërndahen. Në vendimin e qeverisë sqarohet edhe procedura si bëhet ky proces


Pikët – Maturantët që presin të regjistrohen në degët e preferuara kanë arritur të kenë thuajse pikë të njëjta me fituesit e fazës së parë, diferenca është shumë e vogël