Në ditën e 29 të grevës së urisë, gjendja e 7 ish-të përndjekurve politikë është rënduar së tepërmi. Megjithë këmbënguljen e mjekëve për transportimin e tyre në spital, ata kanë kundërshtuar në mënyrë kategorike. Ata shprehen se nëse largohen nga çadrat, policia nuk do ti lejojë të rikthehen në grevë. Gjatë ditës së sotme ata i kanë shtuar dozat e akuzave ndaj policisë, që sipas tyre kanë ndërmarrë veprime të dhunshme pas mesazhit për dialog që ndihmës sekretari amerikan Philip Reeker i bëri qeverisë mbrëmjen e djeshme.
Grevisti Fatmir Lamaj deklaroi sot se kryeministri Sali Berisha vuan nga “kompleksi i hienës”, që kërkon kufoma, ndërkohë që theksoi se rast i ndërhyrjes brutale të policisë është i dyti, pasi një incident i tillë ndodhi edhe pas sinjaleve pozitive në takimin që ish-të përndjekurit realizuan me Presidentin Nishani.
Ora 19:50- Majko: Deklaratat e PD-së të turpshme
Pandeli Majko, aktualisht deputet i Partisë Socialiste dhe ish-kryeministër, i ka cilësuar akuzat e ngritura ndaj tij për shpërblimet monetare të nomenklaturës së regjimit komunist si të turpshme. Gjatë një interviste për “Top Channel” Majko është shprehur se: “Mendoj se jemi brenda një rutine ditore të një partie që ka humbur lidhjen me realitetin. Përfaqësuesi i qeverisë mbante në dorë një vendim gjykate. Të akuzosh një ekzekutiv për zbatimin e vendimit të gjykatës është absurde. Por unë them se sot ia vlen të ketë një reflektim. Unë me kolegët e së majtës nuk jetojmë me të kaluarën. Ata janë njerëz që janë përndjekur politikisht, janë pjesë e traumës që ne me dashje dhe pa dashje e kemi anashkaluar. Deklaratat e deputetit të PD janë të turpshme, sepse ata njerëz nuk kanë marrë asnjë shpërblim. Por më tepër e kam tek mënyra e PD, që akuzon atë që ka të bëjë me marrëdhënien e PS me këtë shtresë, që janë të zhgënjyer dhe kërkojnë zbatimin e ligjit në Shqipëri. Por përgjigjja është policia dhe heshtja, edhe para SHBA e BE”, është shprehur Majko.
I pyetur se përse ish-të përndjekurit nuk u kompensuan gjatë qeverisjes së Partisë Socialiste, Majko ka deklaruar se ka pasur një vakum marrëdhëniesh. “Ne nuk jemi njerëz që kemi fshehur lidhjen me të kaluarën dhe ka pasur një marrëdhënie të mërzitshme. Ne pas vitit ‘97 krijuam fondin për të përndjekurit dhe vazhduam. Por ne nuk kemi hedhur asnjë hap më shumë se legjislacioni, ndryshe nga PD. PS ka në programin e vetë çështjen e të përndjekurve dhe një përfaqësues të posaçëm për ta. Ato që ndodhin sot duhet të na bëjnë të reflektojmë dhe jo të bëjmë replika. Ajo që presin të përndjekurit është zbatimi i ligjit. Ne në këto 22 vjet demokraci kemi përgjegjësinë tonë. Por sot duhet realizuar një komunikim dhe të caktohet një kompensim për këtë shtresë. Nuk mund të burgoset dikush me mashtrimin se ka shfrytëzuar prostitucion, apo dikush tjetër se ka mashtruar një mashtrues italian”, u shpreh Majko.
18:10-Totozani: Të kthehet mbrapsht urdhri, të lejohen ilaçet e lëngjet
Avokati i Popullit Igli Totozani, ka bërë thirrje të tërhiqet mbrapsht urdhri për ndalim të ilaçeve, serumit, dhe lëngjeve për ish të-përndjekurit në grevën e urisë. Në vizitën e tij të parë, në ditën e 29 të grevës së urisë, Totozani e konsideroi të papranueshme këtë vendim që i privon grevistët nga elementët jetësore, ku ka kërkuar edhe hetim të kësaj çështje nga Prokuroria, pasi sipas tij përbën vepër penale.
“Kam parë shumë gjatë këtyre muajve, por vizitë më të vështirë dhe më të dhimbshme se kjo e sotmja nuk kam pasur. Duhet të kemi sa më pak situata të tilla në vend. U njoha me problemet e grevistëve, ajo çfarë mund të them është se mora informacion që u janë ndaluar lëngje, trisoli, ilaçet. Kemi pasur një komunikim me Policinë e Shtetit, i kemi shkruar një rekomandim zotit Burgaj për tu lejuar të gjitha sa më sipër. Ndërkohë që prapë sot konstatova se kjo u është ndaluar dhe në mënyrë të përsëritur. I drejtoj një apel personave përgjegjës që ta tërheqin në mënyrë të menjëhershme, dhe pse nuk ka një ligj që bën rregullimin e kësaj greve, por ka parime mbi të gjitha. Një urdhër i tillë është në ekstremitet e një trajtimi çnjerëzor dhe degradues, përbën vepër penale. Përgjegjësia mund të bjerë individualisht mbi atë person që e ka urdhëruar. Ne do ta hetojmë këtë çështje, do të ishte mirë që edhe Prokuroria ta bënte diçka të tillë” tha ai.
Ndërkaq Totozani u bëri apel palëve për ulje të gjakrave dhe dialog, në mënyrë që të zgjidhet sa më parë kjo çështje. “U kërkova grevistëve të ulin tensionet, të gjitha palët të ulin gjakrat, të kthehet qetësia, të fillojnë një dialog konstruktiv, gjithëpërfshirës. Besoj se gjeta mirëkuptim nga grevistët. Këtë gjë u kemi kërkuar edhe institucioneve shtetërore, dialog në mënyrë që të gjendet besimi i humbur mes palëve” theksoi Totozani.
17:50– PD: Martirët e lirisë, asgjë të përbashkët me trafikantët dhe amoralët
Qëndrimi që po mban Edi Rama me ish-të përndjekurit politikë është një cinizëm dhe poshtërim. Kështu i ka cilësuar deklaratat e kryesocialistit Rama gjatë Kongresit të Gruas Socialiste, zëdhënësja e partisë Demokratike, Silvi Bardhi. Sipas saj, të përndjekurit e vërtetë nuk kanë asnjë lidhje me Edi Ramën dhe se PD është vendosur t’u japë atyre dëmshpërblimin e miratuar me ligj.
” Duke dënuar me përçmim avokatinë e neveritshme të kryetarit të Partisë Socialiste ndaj Tufës, Patriotit dhe aleatëve të tjerë si ata, Partia Demokratike deklaron se dhjetëra mijëra martirë të gjallë të lirisë, viktima të shtypjes së egër të etërve mizorë të Edi Ramës, nuk i bashkon asgjë me aleatët e rinj të Edi Ramës.
Martirët e gjallë të lirisë nuk kanë asgjë të përbashkët me ata që me urdhër të Ramës në një akt terrorist ndaj ëndrrës së tyre europiane, i vënë flakën tjetrit me çrregullime psikike ditën që do të vendosej rekomandimi i Komisionit Europian për statusin e kandidatit për Shqipërinë, kurse vetë këta kriminelë me tre emra që djegin për qëllime politike njerëz të gjallë, jetojnë në vila luksoze në Korfuz. Martirët e gjallë të lirisë nuk kanë asgjë të përbashkët me ata të cilët nga shumica aktuale dhe qeveria e mëparshme e Partisë Demokratike kanë marrë mbi 60 mijë Dollarë për person dhe mashtrojnë para kamerave se nuk kanë marrë asgjë dhe kjo se kështu porositen, apo vetëm e vetëm se kanë shitur pasuritë e marra për bixhoz”, ka deklaruar Bardhi.
Ora 14:49- Meta: Të hiqet dorë nga akuzat, të zbatohet ligji
Kreu i LSI-së Ilir Meta u ka bërë apel palëve që të heqin dorë nga akuzat dhe të zbatohet ligji. “Duhet verifikuar mekanizmi i zbatimit të ligjit, të hiqet dorë nga akuzat dhe aktakuza dhe të bëjnë çka kanë për të bërë”,- deklaroi Meta, pasi hodhi votën për kreun e ri të LSI-së.
Gjykata, “arrest me burg” për Asllan Patriotin
Gjykata dha ditën e sotme masën e sigurisë arrest me burg për Asllan Patriotin, koordinatori i grevës së urisë së ish-të burgosurve politikë. Patrioti u arrestua nga policia tri ditë më parë, me akuzën e vjedhjes me anë të mashtrimit. Vendimi i gjykatës është kontestuar nga avokati mbrojtës i Patriotit, i cili theksoi se gjykata mori në konsideratë vetëm dëshminë e shtetasit italian dhe se nuk i ka lënë kohën e nevojshme për të mbrojtur klientin e tij.
Asllan Patrioti u shoqërua nga policia më 17 tetor, teksa gjendej në ambientet e grevës së urisë, pas denoncimit të një shtetasi italian që pretendon se Patrioti i ka vjedhur me anët të mashtrimit dhe presionit të vazhdueshëm shumën prej 700 eurosh.
Ndërkohë, në një deklaratë të mëhershme, koordinatori tjetër i grevës së ish të përndjekurve, Skënder Tufa e ka cilësuar si të motivuar politikisht arrestimin e Patriotit dhe ka kërkuar lirimin e tij.
PD: Qeveria e ish-kryeministrit Majko shpërbleu persekutorët e ish-të përndjekurve
Partia Demokratike ka hedhur poshtë ditën e sotme pretendimin e Partisë Socialiste se persekutorët e regjimit komunist u dëmshpërblyen nga Prokuroria e Përgjithshme gjatë kohës së qeverisjes socialiste.
Përmes një deklaratë për shtyp, deputeti i PD-së, Gent Strazimiri, publikoi disa dokumente me vendime gjykatash të asaj periudhe, sipas të cilave, dëmshpërblimi i kësaj kategorie u bë nga Ministria e Financave e ish-kryeministrit socialist, Pandeli Majko dhe jo me urdhër të Prokurorisë së Përgjithshme, siç është deklaruar nga PS.
“Janë disa vendime gjykatash që dëshmojnë se gjatë kohës kur deputeti socialist Pandeli Majko ishte kryeministër, Ministria e tij e Financave dëmshpërbleu për ditë burgu, bujarisht dhe në kohë rekord, të gjithë persekutorët, shkaktarë të këtij dëmi financiar dhe moral që akoma dhe sot ne po përpiqemi ta paguajmë”, – u shpreh deputeti demokrat.
Sipas tij, pasi secili prej atyre që janë deputetë të PS i kanë një borxh personal ish-të përndjekurve, të trashëguar nga baballarët e tyre, ndaj nuk duhet të ndyjnë kauzën e tyre.
Deputetët e PS kanë një borxh personal të lënë nga baballarët e tyre në drejtim të shtresës së ish të përndjekurve. Fakti se po përpiqen të ndyjnë kauzën e tyre, duke vendosur çadra në rrugë tregon se kemi hyrë në fazën e dytë të makrabitetit, ku po tentojnë ta kthejnë në një kauzë pa parime, pa ndjenja, një kauzë paresh”, – theksoi deputeti i PD-së, Strazimiri.
Greva e urisë, Lamaj: Policia ndërhyri me dhunë, na mori edhe ilaçet
Të përndjekurit politikë futen sot në ditën e 29 të grevës së urisë dhe ende nuk shihet ndonjë shenjë për negociata apo bisedime nga instanca qeveriste në lidhje me kërkesat e tyre, përkundrazi situata duket më e tensionuar.
Ditën e djeshme koordinatori i kësaj greve, Skënder Tufa kërkoi ndihmën e ndërkombëtarëve që të merrnin në mbrojtje grevistët, të cilët sipas tij po jetojnë në kushtet e një terrori të vazhdueshëm psikologjik.
Ndërsa gjatë mëngjesit të sotëm, njëri nga përfaqësuesit e grevës së urisë, Fatmir Lamaj ka denoncuar policinë, e cila sipas tij mbrëmë në darkë ka hyrë në çadrën ku zhvillohet greva dhe u ka marrë grevistëve ilaçet me të cilat disa prej tyre kurohen. Ai theksoi se kjo ndërhyrje e dhunshme e policisë, e dyta nga fillimi i grevës ka ndodhur menjëherë pas deklaratës së ndihmës sekretari amerikan Philip Reeker, i cili i bënte thirrje qeverisë për dialog. Lamaj akuzoi kryeministrin Berisha, i cili sipas tij me mënyrën me të cilën po vepron duket se kërkon vetëm vdekjen e tyre, ndërsa i bëri sërish thirrje për bisedime.
PS: Berisha si Enveri, u hoqi sheqerin dhe trisolin grevistëve
Në një reagim të sotëm para çadrave të grevistëve të urisë, Partia Socialiste, përmes deputetes Keti Bizhdari ka akuzuar qeverinë se është duke shkelur të drejtat më minimale të këtyre njerëzve, që janë organizuar në një grevë urie duke u hequr edhe lëngjet apo trisolin, që janë të nevojshme për organizmin e tyre.
Bizhdari e ka krahasuar me regjimin e Enver Hoxhës qeverisjen e kryeministrit Berisha, i cili sipas saj, menjëherë pas thirrjes së Philip Reeker për dialog, mori masa të tjera shtrënguese ndaj grevistëve.
20 tetor 2012 (gazeta-Shqip.com)