“Tetori Gjerman”
Ambasada e Republikës Federale të Gjermanisë ka organizuar “Tetorin Gjerman”, programi i aktiviteteve të javëve gjermane të cilat zhvillohen tashmë për herë të gjashtë radhazi në Shqipëri. Në kuadër të “Tetorit Gjerman”, kjo ambasadë organizoi një udhëtim me gazetarë nën shoqërimin e ambasadores Carola Müller Holtkemper në Shqipërinë e Mesme dhe Juglindore.
Qëllimi i udhëtimit ka qenë vizita në projekte të ndryshme të cilat financohen nga qeveria gjermane.
Një nga ndalesat e këtij grupi ka qenë edhe Projekti Rinor – Qendra në Cërrik. Qendra u vizitua më 18 tetor 2012. Menaxherja e projektit ka shoqëruar grupin nga ambasada deri në qendër për t’u shpjeguar në detaje projektin dhe zbatimin e tij në të dyja zonat e synuara.
Me fondet e qeverisë gjermane do të ndërtohet një qendër sociale rinore në Cërrik, e cila do të përmirësojë shërbimet në qendër, pasi hapësirat do të jenë më të mira. Ambasadorja Carola Müller Holtkemper përshëndeti të pranishmit, duke vlerësuar punën që bëhet në këtë qendër për përmasimin e jetës së këtyre fëmijëve dhe rëndësinë që ka ajo për shoqërinë shqiptare. Ajo gjithashtu shprehu përkrahjen për iniciativa të tilla dhe se e ardhmja e vendit janë fëmijët dhe të rinjtë. Fëmijët gjithashtu dhanë një shfaqje për të pranishmit me elementë të ndryshëm si këngë, teatër, valle. Një koktej i vogël u organizua për të ftuarit. Fëmijët u shprehën të ftuarve se ata mund t’i vizitojnë sa herë që ata do ta shohin të nevojshme, qendra e tyre i ka dyert e hapura gjithmonë.