Premtimi


Grupi i punës, i drejtuar nga Keti Bazhdari, paraqet raportin në Asamble


Grupi i punës për çështjet e ish të përndjekurve politikë në Partinë Socialiste, i drejtuar nga Keti Bazhdari, ka bërë të ditur dje në mbledhjen e Asamblesë Kombëtare, se kërkesat e grevistëve të urisë do të jenë pjesë e programit të Partisë Socialiste në lidhje me dëmshpërblimin dhe integrimin e ish të burgosurve dhe ish të përndjekurve politikë. Bazhdari ka bërë të ditur raportin e këtij grupi dje në mbledhjen e Asamblesë, në të cilin është akuzuar qeveria se nuk ka zbatuar ligjin e miratuar për dëmshpërblimin, madje mendimi i bërë këtij ligji nuk jep siguri. Ka mangësi serioze në zbatimin e ligjit sa u përket afateve në disbursimin e kësteve. Ligji 9831 i vitit 2007, parashikonte shpërndarjen e plotë të shumës së dëmshpërblimit me tetë këste brenda një limiti kohor tetëvjeçar. Kjo dispozitë është shkelur nga qeveria, pasi deri në vitin 2012 shumica e ish të përndjekurve kanë marrë vetëm këstin e parë, disa prej tyre nuk e kanë marrë ende këtë këst dhe një pakicë ka marrë këstin e dytë. Ndërkohë me amendimin që i është bërë këtij ligji në vitin 2009 prej ligjit 10111 dt. 2/4/2009, parashikohet se dëmshpërblimi nuk do të ketë afate kohore. Në gjykimin tonë, ky amendim qartazi krijon një pasiguri juridike për përfituesit e ligjit, e për rrjedhojë jemi të mendimit se amendimi në fjalë mund të jetë antikushtetues. Gjithë kërkesat e tjera janë të drejta dhe të moralshme. Ato janë pjesë integrale e projektprogramit për një rilindje shqiptare në lidhje me integrimin e ish të përndjekurve politikë”, theksohet në raportin e paraqitur nga grupi i punës dje në mbledhjen e Asamblesë. Duke iu rikthyer grevës së urisë, grupi i punës së PS-së theksoi se kërkesat e ish të burgosurve janë legjitime. Këto kërkesa janë: Zbatimi i ligjit 9831 të vitit 2007, mbi dëmshpërblimin e ish të përndjekurve politikë; njehsimi i letrave me vlerë të papërdorura në vlerën e tyre nominale; strehimi i atyre ish të burgosurve politikë, të cilët rezultojnë të pastrehë; dhënia e pensioneve për ata ish të burgosur politikë që janë gjallë me të njëjtën vlerë që gëzojnë personat që kanë statusin e invalidit të luftës; ofrimi i shërbimeve publike dhe shëndetësore falas për ata ish të burgosur politikë që janë gjallë; pasqyrimi objektiv i periudhës së përndjekjes politike në librat e historisë të sistemit arsimor”.


 


Ligji – “Ligji 9831 i vitit 2007 parashikonte shpërndarjen e plotë të shumës së dëmshpërblimit me tetë këste brenda një limiti kohor tetëvjeçar”


Shkelja – “Kjo dispozitë është shkelur nga qeveria, pasi deri në vitin 2012 shumica e ish të përndjekurve kanë marrë vetëm këstin e parë, disa prej tyre s’e kanë marrë ende”


Amendimi – “Në gjykimin tonë, ky amendim qartazi krijon një pasiguri juridike për përfituesit e ligjit e për rrjedhojë jemi të mendimit se amendimi në fjalë mund të jetë antikushtetues”


 


Ish-kryeministri


Majko: Blofi i mazhorancës për dëmshpërblimet e Byrosë


Pandeli MajkoIsh-kryeministri i vendit, Pandeli Majko, i ka quajtur blofe akuzat e përfaqësuesve të PD-së për sa u përket deklaratave se gjatë kohës që ai drejtonte qeverinë ka dëmshpërblyer përfaqësuesit e nomenklaturës komuniste. Kështu, deputeti socialist ka sqaruar se ish-anëtarët e Byrosë Politike kanë marrë dëmshpërblim për burgun që kanë kryer jo nga qeveria socialiste, por nga gjykata. “Nuk ka akte qeveritare me të tilla data nga qeveria që kam drejtuar unë. Blofe të tilla të turpshme janë pjesë e lojës politike të ditës. Po të ishte siç thotë PD-ja, aktet e mësipërme do të ishin publikuar si vendime në Fletoren Zyrtare. Pagesat në fjalë kryhen nga organi i prokurorisë për zbatimin e vendimeve të gjykatës gjatë vitit 1997 dhe nuk “mbulohen” nga veprimtaria e qeverisë e kujtdo viti tjetër”, deklaroi Majko. Sipas tij, PD-ja në këto momente kishte vendosur në punë gjuhën e urrejtjes karshi njerëzve që kërkojnë thjesht një të drejtë ligjore.