Siria
I dërguari ndërkombëtar i paqes Lakhdar Brahimi mbërriti në Damask dje për bisedime me zyrtarët sirianë për të siguruar një armëpushim të përkohshëm në konfliktin 19-mujor mes forcave siriane dhe grupeve rebele.
I dërguari i OKB-së dhe Lidhjes Arabe pritet të takohet me ministrin e Jashtëm, Walid Muallem, nesër në mëngjes. Nuk është ende e qartë nëse ai do të takohet gjatë kësaj ndalese me Presidentin Bashar al-Assad.
I dërguari i paqes po i shtyn zyrtarët sirianë të mbështesin një armëpushim gjatë festës së Kurban Bajramit që fillon më 26 tetor. Ai u tha gazetarëve dje pas takimit me ministrin jordanez se një pushim i luftimeve mund të ndërtojë besimin dhe të ndihmojë në arritjen e një marrëveshje më afatgjatë.
Ministri i Jashtëm turk, Ahmet Davutoglu, i ka bërë gjithashtu thirrje forcave siriane dhe grupeve rebele të respektojnë armëpushimin.