Për subvencionimin vendosen në dispozicion 200 milion lekë. Më shumë përfitojnë të varfrit
Shpresa Mezini
Familjet që u kanë blerë fëmijëve tekste shkollore, duke marrë para borxh apo duke u vendosur në vështirësi për shkak të gjendjes së tyre ekonomike muajin e ardhshëm do të marrin rimbursimin nga shteti.
Syuvencionimi i teksteve për shkollat parauniversitare do të bëhet në fillim të muajit nëntor. Të paktën këtë pohon këshilltari i ministrit të Arsimit, Jovan Kristiqi, i cili sqaron se çmimet e paketave të teksteve shkollore janë të ndryshme për çdo klasë.
Sipas tij, paketa që kushton më shumë është ajo që i përket klasës XI, 4800 lekë të reja, ndërsa më pak kushtojnë librat e klasës II, 900 lekë të reja. Kështu, bazuar në një përllogaritje të thjeshtë matematikore, duke iu referuar deklaratës së këshilltarit të ministrit të Arsimit, rezulton se pagesa mesatare që do të përfitojnë familjet që janë pjesë e listës së përfituesve është rreth 2900 lekë të reja.
Kristiqi sqaroi se rimbursimi do të bëhet një për një, ndërsa theksoi se fondi prej 200 milionë lekësh, që do të shërbejë për mbulimin e shpenzimeve për familjet në të gjithë vendin, është gati. Kështu, prindërit duhet të presin deri në nëntor për të marrë përfitimet. Ata që kanë marrë faturën e blerjes, por që nuk janë pjesë e pikave të përcaktuara në listë nuk mund të tërheqin shumën e parave.
“Si rregull, rimbursimi i teksteve bëhet në këtë mënyrë, të paktën kjo është formula e këtij viti. Nxënësi përfiton në rast se: Familja e tij jeton me ndihmë sociale, gëzon statusin e jetimit, ka kryefamiljar me aftësi të kufizuar ose me pension pleqërie, ose ka kryefamiljar me aftësi të kufizuar por që nuk kanë të ardhura të tjera, është i komunitetit rom, plotëson dhe dorëzon dokumentacionin e nevojshëm pranë drejtorive arsimore”, tha Kristiqi.
Dokumentacioni
“Kërkohet vërtetimi që lëshohet nga pushteti vendor dhe njëkohësisht fatura tatimore e blerjes së teksteve. Për sa u përket faturave tatimore, të gjithë shitësit janë të identifikuar dhe në rast se ndonjëri nuk e ka marrë faturën, drejtori i shkollës, në bashkëpunim me shitësin, lëshon këtë faturë tatimore”, sqaroi këshilltari i ministrit të Arsimit. Duke iu referuar udhëzimit të Ministrisë së Arsimit, afati i fundit për dorëzimin e dokumenteve në drejtoritë e shkollave ishte 30 shtatori. Kështu, pas këtij afati, shkolla ia përcjell dokumentacion drejtorisë arsimore. Ndërkohë mësohet se edhe për këtë proces, ka afate të caktuara. Kështu brenda datës 10 tetor, drejtoritë arsimore përpunojnë materialin dhe e dorëzojnë pranë Ministrisë së Arsimit për të hapur fondin pranë drejtorive arsimore.
Kategoritë
Kristiqi tha se jo të gjithë përfitojnë nga rimbursimi i teksteve. Kategoritë janë tërësisht të përcaktuara dhe po ashtu dhe përfituesit në masën 50 dhe 100 për qind. “Masën 100 për qind e përfitojnë kategoritë më në nevojë dhe që pamundësinë ekonomike e vërtetojnë nëpërmjet dokumentacionit të dorëzuar pranë drejtorive arsimore përkatëse. Ndërsa, në masën 50 për qind përfitojnë të gjitha ato familje që kanë të ardhura të ulëta dhe cilësohen si familje që jetojnë me minimum jetik”, theksoi Kristiqi.
Afati – Rimbursimi i teksteve për shkollat parauniversitare do të bëhet në fillim të muajit nëntor
Dosja – Dokumenti që merret pranë pushtetit lokal dhe njëkohësisht fatura tatimore e blerjes së teksteve
Çmimet – Tekstet për klasën XI kushtojnë 4800 lekë të reja, ndërsa më pak kushtojnë librat e klasës II, 900 lekë të reja