Në të njëjtën shtëpi ku u zbulua kodi “Enigma”, sot shtohen forcat për kibernetikën
Në një shtëpi të veçuar fshati ku dikur shkencëtarët më të mirë të Britanisë thyen kodin gjerman të komunikimit “Enigma”, një eveniment kyç ky në fitoren e Luftës së Dytë Botërore, Britania ka filluar të gjuajë për të gjetur spiunët e rinj kibernetikë. Ky vend quhet Bletchley.
Sekretari i Jashtëm, William Hague, thotë se qeveria po kërkon për mbi 100 të rinj të talentuar për t’i punësuar tek agjencitë britanike të shërbimeve sekrete, gjë që do t’i japë një jetë të re qendrës që dikur theu kodet sekrete naziste dhe që për shumë dekada, konsiderohej si vendi më sekret në të gjithë mbretërinë.
“Sot ne nuk jemi në luftë, por unë shoh shenja të sulmeve të organizuara dhe të qëllimshme kundër pronësisë intelektuale dhe rrjeteve qeveritare nga kriminelët kibernetikë apo aktorë të huaj”, tha Hague.
“Do t’u takojë të talentuarve të kësaj gjenerate për ta mbajtur vendin e sigurt në vitet e ardhshme përballë kërcënimeve, të cilat janë në çdo rast po aq serioze sa ato me të cilat u përballëm në Luftën e Dytë Botërore”.
Këtë vit, Jonathan Evans, drejtori i përgjithshëm i MI5, ose shërbimeve të kundërzbulimit të Britanisë, paralajmëroi për spiunazhin kibernetik të “shkallës industriale” dhe përmendi rastin e një kompanie londineze, e cila thuhet se humbi mbi 1.24 miliardë dollarë si pasojë e një sulmi kibernetik shtetëror nga jashtë vendit.
Programi i ri synon të rekrutojë studentë të talentuar për t’i përdorur për thyerje kodesh apo shkencëtarë kompjuterësh, të cilët do të punojnë para së gjithash në Zyrat Qendrore të Komunikimit Qeveritar dhe kjo e fundit është në fakt agjencia qeveritare e përgjimit.
Hague njoftoi gjithashtu se do të dhurojë mbi gjysmë milioni dollarë për të siguruar të ardhmen e selisë Bletchley, ekzistenca e së cilës u bë e ditur vetëm në vitet ’70. Kriptografët, të cilët punuan në këtë vend, vlerësohet se shkurtuan Luftën e Dytë Botërore me rreth dy vjet, duke kursyer një numër të madh jetësh, pasi arritën të deshifronin rreth 3 mijë mesazhe ushtarake gjermane çdo ditë.
Pikërisht këtu, grupi i shkencëtarëve nën udhëheqjen e matematikanit Alan Turing, theu kodin “Enigma”, të cilin gjermanët e konsideronin si të pathyeshëm, ndërkohë që shkencëtarët dizajnuan dhe zhvilluan makinën Kolosi, me përmasat e një kolosi dhe që qe kompjuteri i parë elektronik i programueshëm.
Por pas luftës, Kryeministri Winston Churchill urdhëroi shkatërrimin e kompjuterëve që u përdorën për të thyer kodin “Enigma”, në mënyrë që të mbaheshin sekret nga Bashkimi Sovjetik, ndërsa ambientet ku u zhvilluan u rrënuan nga mungesa e mirëmbajtjes.
“Pa gjenitë e thyerjes së kodeve në Bletchley, vendi ynë do të qe në dizavantazh shkatërrimtar gjatë luftës”, tha Hague. “Dhe pa njerëzit në agjencitë e inteligjencës sot, ne nuk jemi të aftë të mbrojmë vendin”.